Rishfaqet gripi i derrit
14 raste në Shqipëri

Rishfaqet gripi i derrit<br />14 raste në Shqipëri
TIRANE- Rikthehen rastet e gripit të derrit dhe atij amerikan në Shqipëri. Deri tani në Shqipëri numërohen 14 raste me virusin AH1N1. Lajmi është bërë i ditur nga Gazmend Bejtja, Drejtor i Drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor në MSH. “Nga 333 mostra vetëm 32 kanë rezultuar pozitiv për virusin A të gripit. Deri sot në Shqipëri rezultojnë rreth 14 raste me virusin AH1N1, nga totali i 33 rasteve që kanë rezultuar pozitiv” është shprehur Bejtja. Nga ana tjetër, mjekët e spitalit infektiv konfirmojnë dy paciente të prekur nga Ah1n1 dhe pesë të tjerë me Ah3n2.

Një prej personave të sëmurë me gripin e derrit ndodhet i shtruar në këtë spital në gjendje të rendë shëndetësore, për shkak të kombinimit të gripit me sëmundjet e tjera kronike që kishte. Mjeket pohojnë se vendi është ne prag epidemie nga gripi i zakonshëm, por kjo nuk është një situatë alarmi, pasi rastet janë nën kontroll.

“Nuk duhet konsideruar absolutisht alarmante pasi situata është brenda kufijve të madhësisë dhe të intensitetit të griprave që ndodhin vazhdimisht" tha Dhimitër Kraja, shef i Pavijonit të Infektivit. Sipas tij gjatë këtyre ditëve në urgjencën e pavijonit paraqiten rreth 45-52 raste të pacientëve me infeksion të ngjashëm gripal.

Mjekët infeksioniste thonë se bërja e vaksinës antigrip këtë sezon ka qenë në nivele të ulëta ndaj kemi dhe rritje të rasteve me grip. Por nga ana tjetër ata apelojnë të behet vaksina ndaj dy viruseve H3N2 dhe H1N1, pasi asnjëherë nuk është vonë për t'u mbrojtur, ndonëse kjo vaksinë duhej bërë që në fillim të sezonit. Specialistët nga ana tjetër shpjegojnë disa nga simptomat, ndërkohë që ju bëjnë apel qytetarëve që vuajnë nga sëmundje të tjera të drejtohen tek mjeku nëse kanë kompliakcione.

Një nga masat parandaluese është dhe vaksina anti grip e cila ka shtame të virusit AH1. “Shenjat të cilat janë paralajmëruese për nisjen e një gripi janë rishfaqja e temperaturës pas një gripi dy apo tre ditor. Po kështu shenja e dytë ka të bëjë me vështirësinë në frymëmarrje çka është edhe paralajmëruesja që pacienti duhet të paraqitet tek mjeku. Dhe e treta që në fillim të shfaqjes së shenjave gripale duhet pasur kujdes, sidomos për personat të cilët kanë një sëmundje kronike apo janë me imunitet të ulët” thekson Entela Kolovani, mjeke infeksioniste.

Sipas saj, shenja të tjera janë edhe dhimbja e muskujve, dhimbja e fortë e kokës dhe më pas fillon me shenja respitratore me rrjedhje hundësh, dhimbje fyti dhe kollë. Gripi i derrit rikthehet 5 vjet pas shfaqjes së tij të parë në vitin 2009 kur ishte edhe një pandemi kërcënuese për mbarë botën. Sa i përket rasteve të tjera specialistët e Institutit të Shëndetit Publik theksojnë se janë 16 mijë të prekur në javë të cilët kanë kërkuar ndihmën e mjekut për shkak të virozave respiratore dhe gripit sezonal.

Shkrimi u publikua sot (26.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Franca: Anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të shqyrtohet më vonë

Franca: Anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të shqyrtohet më vonë