Ministria e Financave pret që deri në fund të vitit të mblidhen 843.1 miliardë lekë, ose 20.1 miliardë më shumë sesa projeksioni fillestar, ndërsa plani i shpenzimeve shkon në 906.8 miliardë lekë në dispozicion për t’u shpenzuar për paga, pensione, ndihmën ekonomike, investime, arsim, shëndetësi, bujqësi e më tej.

Sa i takon burimeve të rritjes së të ardhurave, qeveria thotë se kanë ardhur nga rritja ekonomike dhe miradministrimi e jo nga inflacioni.

“Nga rritja e çmimeve kemi përfituar në total të ardhura shtesë 275 milionë lekë”, përgjigjet Malaj.

Ministri i Financave Petrit Malaj tha në Komisionin e Ekonomisë, se rishikimi i buxhetit ishte i domosdoshëm për të indeksuar pensionet dhe për të shtuar fondet për mbrojtjen në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s.

“Afrimin e indeksimit të pensioneve me efekt financiar nga 1 korriku (pra jo më nga 1 tetori). Plani është që vitin e ardhshëm indeksimi i pensioneve të bëhet në muajin Prill, siç ka qenë edhe më parë. Sigurimin e financimit të menjëhershëm të shpenzimeve prioritare në fushën e mbrojtjes, në funksion të përmbushjes së angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë ndaj NATO-s, gjatë vitit buxhetor 2026”, tha Malaj.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të opozitës Malaj u ndal edhe tek rindërtimi, për të cilin fatura në buxhetin e shtetit e ka kapërcyer shifrën 1 miliardë euro.

“Nga 2020 deri në 2026 kostoja totale e procesit të rindërtimit ka arritur 124 miliardë lekë ose 1.2 miliardë euro, deri më tani 108 miliardë lekë janë dhënë nga buxheti i shtetit”, tha Malaj.

Sa i takon dëmshpërblimit të ish të dënuarve politikë, ministri tha se deri më tani janë paguar vetëm të dënuarit drejtpërdrejtë.

“Kemi në proces 10.400 dosje dëmshpërblimi për pasardhësit e të ish të dënuarve politik, dhe brenda 4-5 vitesh synojmë të paguajmë 6 mijë dosje. 3100 dosje janë të paguara plotësisht që iu përket të dënuarve të drejtpërdrejtë”, tha Malaj.

Përmes rishikimit të buxhetit dyfishohet mbështetja financiare për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe 15 milionë euro shkojnë për barnat e onkologjikut në shërbimet spitalore në vend.