Ndryshon për herë të dytë buxheti i shtetit, 76 vota pro në Kuvend! Ministri: Mbështesim bujqësinë e infrastrukturën! Tabaku: Kthejini paratë profesionistëve të lirë

TIRANË- Me 76 vota pro dhe 24 kundër, Kuvendi miratoi aktin normativ për rishikimin e buxhetit të shtetit. Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi në Kuvend aktin normativ, ndërsa tha se pritshmëritë për të ardhurat janë rritur me 27 miliardë lekë. Kjo është hera e dytë brenda viti që rishikohet buxheti i shtetit. 

Malaj argumentoi se disa prej çështjeve emergjente që adresohen përmes rishikimit të buxhetit lidhen me nevojën për të shtyrë përpara investime të rëndësishme në infrastrukturë, bujqësi, arsim e shëndetësi; zbatimin në kohë të Kodit të ri Zgjedhor, pasi përmes Aktit financohet elementi që ka të bëjë me procesin e regjistrimit të zgjedhësve jashtë vendit.

“Rritje me 27.3 mld lekë të të ardhurave buxhetore, rritje në të njëjtën masë me 27.3 mld lekë të shpenzimeve buxhetore. Disa nga çështjet emergjente që adresohen lidhen me nevojat për të shtyrë para investimet në infrastrukturë, bujqësi, arsim dhe shëndetësi. Ky akt adreson edhe nevojën për zbatimin në kohë të kodit të ri zgjedhor, ku elementi që financohet ka të bëjë me regjistrimin e zgjedhësve jashtë Shqipërisë, adreson nevojën për të nxitur më tej bujqësinë, me këtë akt përhiqemi të akomodojmë nevojat shtesë të ministrisë së brendshme për kompensimin ushqimor të punonjësve  te policisë dhe orët shtesë gjatë sezonit turistik. Ndryshimet mbështeten në një sërë faktorësh reale dhe projeksioneve të pritshme.

Akti synon ndryshime edhe në kahun e shpenzime, duke alokuar financime shtesë në sektorët prioritarë, kemi shtesë 450 mlm lekë për arsimin. Shpenzimet publike në arsim zënë 3.2% PBB. 900 mln lekë për bujqësinë, 500 mln shkojnë për grante për fermerët dhe 400 mln lekë shtesë që shkojnë për investime në sektorin e ujitjes dhe kullimit”, tha ministri Malaj.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se ndryshimet në buxhet nuk sjellin asgjë të re për qytetarët, duke thënë se çmimet janë të rritura. Tabaku po ashtu u ndal edh etek pensionet duke thënë se se ishte një skemë e dështuar. 

“Vjen akti i dytë normativ i qeverisë brenda këtij viti, janë kthyer në normalitet, nuk bëhet më lajm që buxheti po ndryshohet. Sot çdo buxhet që vjen në Kuvend nuk sjell asgjë shtesë për qytetarët. A janë sot shqiptarët më mirë apo më keq, paguajnë çmime më të larta apo më të ulëta, paguajnë më pak taksa apo më shumë. Për të gjitha rastet e çmimeve, e rritjes së taksave e me radhë është po. Për shërbimet, është jo. Paga është në rënie reale, elementi i dytë që ka sjellë rritjen e të ardhurave është TVSH prej çmimeve të rritura, që vjen si rezultat i pagesës së çmimeve më të larta që rezulton në TVSH, prapë nga xhepat e qytetarëve. S’ka as krenari as mburrje me buxhetin.

Skema e pensioneve ka dështuar. Lexoni shifrat, vetë deklaruan se skema e pensioneve ka dështuar, si rezultat i faktorit që sot 400 mije shqiptarë janë larguar, 40% e forcës aktive të tregut të punës është larguar”, tha Tabaku.

Deputetja demokrate u përfshi në një debat me ministrin Malaj, ku kërkoi kthimin e parave për profesionistët e lirë, duke thënë se tatimi prej 15% tashmë është shfuqizuar nga Gjykata Kushteteuse. Por, ministri Malaj tha se po presion një mendim nga Gjykata Kushtetuese, së cilë si janë drejtuar me një shkresë, ku i kërkojnë që të saktësojë se çfarë do të ndodhë me fondet e paguara nga profesionistët. Tabaku i tha se Kushtetuesja nuk është zyrë në varësi të Ministrisë së Financave, duke theksuar se duhet zbatuar vendimi i gjykatës. 

Rishikimi i buxhetit

Buxheti i shtetit është rishikuar për herë të dytë brenda vitit, duke rritur pritshmëritë për të ardhurat me 27 miliardë lekë. Me këto shtesa të bëra, fondi i ministrisë së bujqësisë arrin në 14.6 miliardë lekë ku fondet e shtuara do të shpërndahen për fermerët. Kjo rritje e fondeve për këtë sektor vjen edhe pas kërkesave të ministrisë me qëllim që të mbulohen me financim të gjithë fermerët.

Por pjesën e luanit me këtë rishikim e marrin ujësjellësit buxheti i të cilëve arrin në 14.6 miliardë lekë nga 12.6 miliardë lekë që ishte. Rritje të madhe merr Ministria e Brendshme, ku buxheti arrin në 27,2 miliardë lekë nga 25.9 miliardë lekë. Ndërsa Ministria e Shëndetësinë shkon në 78,4 miliardë lekë nga 78.2 miliardë lekë që ishte. Kurse fondet e ministrisë së Arsimit arrijnë në total në 52.5 miliardë lekë.

BUXHETI I SHTETIT PËR VITIN 2024
                                   Ishte                       Bëhet
Të ardhurat            686,798 mln lekë       714,068 mln lekë
Shpenzimet           744,078 mln lekë        771,348 mln lekë
Deficiti                   57,280 mln lekë          57,280 mln lekë

 

BUXHETI PËR TRANSPORTIN RRUGOR
Ishte                24,083,544 mijë lekë
Bëhet              29,333,544 mijë lekë
Rritja                5,250,000 mijë lekë

 

BUXHETI I MINISTRISË SË BUJQËSISË
Ishte           14,180,500 mijë lekë
Bëhet          13,930,500 mijë lekë
Ulja               -250,000 mijë lekë
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:02
Manastirliu në Kuvend: Më shumë financim për arsimin, mbështetje për mësuesit dhe infrastrukturën shkollore

 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, foli sot në Kuvend për reformat e ndërmarra dhe risitë e vitit të ri shkollor.

“Ky vit shkollor e ka gjetur sistemin arsimor më të financuar dhe sot në aktin normativ janë 450 milionë lekë që i shtohen sistemit arsimor dhe pikërisht mbështetjes me paga për mësuesit tanë. Nëse ka sot mësues të motivuar janë nga rritja e pagave që është rritja më e lartë e bërë ndonjëherë për ta. Rritja mesatare e pagave për 31 mësues në 950 euro në muaj tashmë është në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit. Pagat janë rritur për edukatoret në çerdhe, për punonjësit socialë dhe psikologët në shkolla dhe për oficerët e sigurisë”, tha Manastirliu, duke folur dhe për sistemin e ri të kualifikimit të mësuesve që mundëson që mësuesit jo vetëm ta përfitojnë më shpejt gradën e kualifikimit, për “Mësues Specialist”, “Mësues të Kualifikuar” dhe “Mësues Mjeshtër”.

Gjithashtu Ministrja u ndal dhe te Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve që synon trajnimin dhe kualifikimin e 16 mijë mësuesve në vazhdim.

Në fjalën e saj Ministrja u ndal dhe te investimet në infrastrukturë.

“Në këto vite falë investimit të qeverisë shqiptare ne kemi mundur që procesi i transformimit, rindërtimit dhe rehabilitimit të shkollave të jetë ai më i madhi i bërë ndonjëherë duke bërë të mundur që vetëm gjatë vitit 2024 të jenë 100 shkolla të cilat janë rehabilituar apo rindërtuar, mes tyre 25 shkolla të reja që kanë hapur dyert më 9 shtator dhe 40 kantiere në të gjithë vendin, të cilat tashmë kanë nisur për të kthyer dhe këto shkolla në standarde bashkëkohore”, tha Manastirliu sot në Kuvend.

Ministrja u ndal dhe te programi për rritjen e aftësive digjitale të nxënësve.

“Janë 216 laboratorë të rinj Smart, duke përfshirë më shumë se 35 fëmijë nga klasa e parë në klasën e tretë për të cilët synojmë që të zhvillojnë aftësitë digjitale. Dhe nëpërmjet një kredie nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, qeveria shqiptare është e angazhuar që në dy vitet e ardhshme 654 laboratorë SMART të investohen në sistetim tonë parauniversitar duke garantuar gjithashtu një kurrikul të re të Teknologjisë dhe Informacionit”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj Ministrja u ndal dhe te mbështetja e nxënësve me nevoja të veçanta me shtimin e numrit të mësuesve ndihmës dhe me kthimin e shkollave speciale për këta fëmijë në qendra burimore.

Ora 19:49
‘Ju i urreni katunarët’, Sula i ashpër në Kuvend: 100 mln euro për 5 oligarkë, po largoni fshatarët nga vendi

 

Deputeti demokrat, Dash Sula ka kritikuar aktin normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit, duke thënë se qeveria ka si synim t’i japë para oligarkëve. Në fjalën e tij nga Kuvendi, Sula tha se janë 5 oligarkë që duan t’i japin paratë me pretendimin se janë rritur çmimet e materialeve të ndërtimit.

Sula kritikoi qeverinë edhe për mbështetjen për bujqësinë, duke thënë se vetëm 35 mln euro përfitojnë drejtpërdrejtë fermerët. “Ju i urreni katunarët”, tha me ironi Sula në Kuvend.

“100 mln euro që do ja jepni 5 personave që ia dhatë edhe në 2023, gjoja për rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit, në një kohë që nuk është e vërtetë. Kurum që prodhon hekur dhe çelik në Elbasan, ka deklaruar që çmimi i hekurit ka rënë krahasuar edhe para luftës. Janë ulur çmimet, ju i jepni para këtu 5 oligarkëve dhe nuk i specifikoni këtu.

Pse nuk shihni sektorët më jetik kush është? Pse e keni kaq urrejtje për katunarët. Ju nuk i jepni para katunarëve, vetëm 5 mln euro, ia ulët me 9% fondet bujqësisë dhe blegtorisë. Referojuni Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, 150 mln euro jep Maqedonia për bujqësinë, ju jepni 30 mln euro dhe i shtuat dhe 5 mln euro. Më pak tokë bujqësore ka Kosova, 120 mln euro jep Kosova. Ju i urreni katunarët dhe s’i jepni fare para, i thoni ikni braktiseni vendin. Çfarë i dhatë ju pensionistëve nga ky akt normativ, zero lekë, vetëm në tetor 2023 i shtuat 500 lekë në ditë të vjetra, pra 15 mijë lekë të vjetra në muaj. Ju nuk i jepni dot as një gjysmë buke pensionistëve. Ky akt normativ ka nuanca korruptive dhe në 2023 e njëjta gjë doli. Ju keni arritur atë që se ka bërë gjithë europa dhe bota, 25 mln euro e keni çuar ndërtimin e një km rrugë fushore”, tha Sula.

“Sektori i bujqësisë në 2024 ka përfituar 141 mln euro. Vlera 3.4 mld është përfitim direkt që marrin fermerët. Në total sektori i bujqësisë përfiton 141 mln euro. Jemi në linjë me të njëjtat vlera që ju i referoheni Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, iu përgjigj ministri i Financave, Petrit Malaj.  

“Flasim për përfitime të drejtpërdrejta të fermerëve, por çfarë përfitojnë drejtpërdrejtë. Maqedonia drejtpërdrejtë përfitojnë 150 mln euro në skemat e subvencioneve dhe ndihmës së drejtpërdrejtë të fermerëve. Ju i bëtë llogaritë me veprat e tjerave, pro ky nuk është përfitimi i fermerëve”, iu kthye Sula.

Ora 19:23
Vota e emigrantëve, Balla thirrje opozitës: Votoni rishikimin e buxhetit, mundëson financimin e këtij hapi të rëndësishëm

 

Në seancën plenare në Kuvend, ku po diskutohet projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për qeverisjen elektronike”, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit, Taulant Balla, i ka bërë thirrje opozitës të votojë aktin normativ për t’i dhënë fondin që i duhet KQZ-së për ngritjen e një regjistri për mundësimin e votës së emigrantëve.

“Votimi i aktit normativ mundëson financimin e këtij hapi të rëndësishëm nga autoriteti i ngarkuar me ligj për organizimin e zgjedhjeve”, tha Balla.

Ai tha se për krijimin e regjistrit, duhet që KQZ t’i propozojë rregullatorit, rregullatori me një shumicë të cilësuar të përcaktojë procedurën mbi të cilën të ngrihet regjistri. Më tej tha ministri, shqiptarët e diasporës ata duhet të regjistrohen, ndërsa njoftoi se procesi i regjistrimit fillon 120 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe mbyllet 60 ditë para ditës së zgjedhjeve.

“Tanimë kemi ndrequr më në fund një borxh që u kemi vëllezërve dhe motrave tonë që jetojnë jashtë territorit. Shqiptarët e diasporës do të vazhdojnë të jenë kontributorë të mëdhenj të ekonomisë tonë. Kanë qenë të tillë në këto 30 vite dhe nuk gjenden fjalët për të shprehur mirënjohjen për vijimin e dërgimit në Shqipëri remitancave. Për investimet në Shqipëri. Këtu ripërsëris shtesën e qeverisë tonë, ndaj të gjithë ata që janë të gatshëm për të investuar në Shqipëri në format më të ndryshme.

Sot jemi në një fazë të rëndësishme të zbatimit të asaj që kemi miratuar më 26 korrik. Të çojmë deri në fund procesin e ushtrimit të të drejtës të zgjedhjes nga ana jo vetëm e qytetarëve shqiptarë që kanë mbushur 18 vjeç dhe që jetojnë në Shqipëri, po dhe shqiptarët që jetojnë jashtë. Shqiptarët në diasporë, në pranverë, në prill apo në maj, se pashë që ishte bërë lajm se unë iu referova datave të kodit zgjedhor. për të shkuar deri te ajo ditë, na duhet që sot në aktin normativ, t’i japim KQZ-së një pjesë të fondeve që i duhen për të ngritur regjistrin.

Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë përgjatë këtij viti dhe në buxhetin e 2025 me të gjitha aktet e nevojshme. Përfitoj nga ky komunikim publik qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit, për tu bërë dhe ju pjesë e drejtimit që doni të vijojë Shqipëri, e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, sepse listat vazhdojnë të jenë të hapura, ajo që na duhet të krijojmë regjistrin, për krijiimin e regjistrit, duhet që KQZ t’i propozojë rregullatorit, rregullatori me një shumicë të cilësuar të përcaktojë procedurën mbi të cilën të ngrihet regjistri.

Prandaj ata duhet të regjistrohen, procesi i regjistrimit fillon 120 ditë opara ditës së zgjedhjeve dhe mbyllet 60 ditë para zgjedhjeve. Ata duhet të vetëregjistrohen. Shpresoj që rregullatori i KQZ ta përfundojë sa më shpejt këtë proces, lidhur dhe dokumentacionin, në mënyrë që të realizojmë këtë hap historik.

Në fund të kësaj pjesë, ashtu si më 26 korrik një pjesë e opozitës votoi ndryshimet e kodit zgjedhor, nuk e fsheh kërkesën që të votoni dhe sot aktin normativ që mundëson financimin e këtij hapi të rëndësishëm nga autoriteti i ngarkuar me ligj për organizimin e zgjedhjeve. Ftesa ime për opozitën është ta votoni”, tha Balla.

Ora 18:27
Denaj në Kuvend: 34 mijë fermerë kanë marrë deri më tani fondet nga skema kombëtare e bujqësisë, 71 mijë aplikime

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj nga foltorja e Kuvendit ka zbuluar se deri më tani 34,287 fermerë kanë marrë fondet nga skema kombëtare për bujqësinë. Denaj tha se ka pasur 71 mijë aplikime dhe se deri në fund të vitit të gjithë fermerëve do t’u disbursohen fondet.  

“Dy fjalë për disbursimin e skemës kombëtare, i cili ka nisur intensivisht prej fundit të muajit Korrik, dhe sot që flasim jemi në masën 28% të disbursimit të fondeve direkte tek fermerët. Deri më sot, janë paguar 34,287 fermerë. Vijon procesi i pagesave dhe kontrollit administrativ për masën e naftës e cila ka numrin më të lartë të aplikimeve prej 71,000 fermerë. Vijojmë me verifikimin e plotë të procedurave dhe deri në fund të vitit do të mundësohet disbursimi i plotë.

Interesi i lartë i aplikimeve për mbështetje në skemën kombëtare sigurisht tregon qartazi se sektori bujqësor nuk është më vetëm një prioritet i qeverisë por është një mundësi e jashtëzakonshme për qytetarët dhe fermerët të cilët po e shohim atë si një të ardhmen të qëndrueshme ekonomike dhe sociale”, tha Denaj.

Ministrja Denaj deklaroi sot se përmes Aktit Normativ të qeverisë për ndryshimin e buxhetit për vitin 2024 sigurohet një mbështetje shtesë prej 500 milionë lekësh për fermerët.

“Janë 500 milionë lekë shtesë në programin “Zhvillimi rural” që do të krijojë iniciativë për rritjen e investimeve në sektorin e bujqësisë nëpërmjet Skemës Kombëtare për Investime. Është një mundësi për të gjithë fermerët dhe blegtorët shqiptare të cilët me skemën e re të mbështetjes/grand për investime, do të realizojnë rritjen e prodhimit, agropërpunimit si edhe rritjen e eksporteve”, tha Denaj.

Ministrja iu përgjigj edhe akuzave të opozitës, teksa theksoi se përgjatë 7 muajve janar-korrik, eksportet janë rritur me 22 % drejt vendeve të Bashkimit Europian”, tha ajo.

Ora 18:19
Pensionet/ Braçe në Kuvend: Kemi probleme të mëdha me evazionin fiskal, duhet adresuar me urgjencë

 

Deputeti socialist, Erion Braçe i është përgjigjur në Kuvend deputetes Jorida Tabaku, e cil atha se skema e pensioneve ka dështuar. Braçe tha se nuk ka dështuar, por ka probleme të mëdha pasi ka evazion të madh. Barçe tha se ky problem duhet adresuar me urgjencë.

“Dështim me skemën e pensioneve u tha këtu. Kush tha dështim, prit se kam fol unë para zotërisë. Ai tha edhe në komision që reformat e bëra me parë kanë krijuar probleme të mëdha me skemën e pensioneve, ajo që ishte që në ‘93 kush kishte dalë në pension më parë duhet të vdiste, ndërsa ata pas ‘93 merrnin më shumë. Në 2004 përsëritej e njëjta skemë, në 2024 e bëmë ne gabim dhe ca ishte që dolën në pension para 2013 sot vuajnë, se ata që dolën nga 2014 është shumë herë më i madh. A kemi problem sot, po kemi se kemi problem të madh evazionin fiskal, siç kem problem të madh edhe demografinë e këtij vendi. E ka problem Italia atje matanë, e ka problem gjermania, se ka mohuar kush. A duhet adresuar? Po, jemi vonë as nuk e diskuan njeri këtë gjë”, tha Braçe në Kuvend.

Qeveria do të prezantojë një skemë të re për pensionet, ndërkohë që vetë kryeministri Rama ka lajmëruar se do të luftojnë evazionin fiskal. Kush nuk deklaron pagat reale, Rama ka thënë se do të arrestohet njëjtë si hajdutët e energjisë elektrike vite më parë.

Ora 17:46
Tabaku në Kuvend: Kthejuni paratë profesionistëve të lirë! Ministri: Presin mendim nga Kushtetuesja! Deputetja: Nuk është zyrë në varësinë tuaj, zbatoni vendimin

 

Ndërsa në Kuvend u diskutua mbi rishikimin e buxhetit të shtetit, deputetja demokrate Jorida Tabaku ngriti edhe shqetësimin për profesionistët e lirë.

Pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi tatimin 15% për profesionet e lira, Tabaku tha në Kuvend se qeveria duhet t’u kthejë mbrapsht paratë që kanë paguar. Por ministri i Financave, Petrit Malaj edhe njëherë tha se po presin të shprehet Gjykata Kushtetuese se çfarë do bëhet me fondet që janë mbledhur nga profesionistët e lirë. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar pjesërisht ligjin, por s’ka interpretuar se çfarë do bëhet me paratë e mbledhura.

Nga ana tjetër, deputetja demokrate iu kthye me tone të ashpra duke thënë se Gjykata Kushtetuese nuk është zyrë varësie e Ministrisë së Financave, pasi sipas saj ajo ka dhënë vendimin dhe tashmë duhet të zbatohet.

Jorida Tabaku: Pse si rimbursoni profesionistët e lirë, ca detyrimi tjetër ka qeveria veçse të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Petrit Malaj: Nuk është shprehur qartë sa i përket efektit që ka prodhuar ky ligj, të shprehet Kushtetuesja. Qeveria ka vullnetin për t’i kthyer këto fonde mbrapsht. Kemi pas një ligj që ka qenë legjitimin, Gjykata Kushtetuese përderisa thotë që ky ligj nuk është më në fuqi, të na thotë edhe efektet që ka prodhuar këtë periudhë ky ligj.

Tabaku: Ca e dini Gjykatën Kushtetuese zyrë varësie të Ministrisë së Financave, 'më interpretoni vendimin'. Ka marrë një vendim që taksa është anti-kushteuese, dje, sot dhe nesër. Ajo është në thelb antikushtetuese, kjo ka rëndësi për ju.

Petrit Malaj: Vullneti është për t’i kthyer këto fonde mbrapsht, nuk e kuptoj kush është arsyeja. Nuk po i mban shteti në xhep lekët.

Pasi gjykata rrëzoi disa nene të ligjit për tatimin e profesioneve të lira, Ministria e Ministria e Financave i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që të saktësojë se çfarë do të ndodhë me fondet e paguara nga profesionistët deri kur Kushtetuesja dha vendimin dhe çfarë do bëhet me detyrimet që kanë pjesa tjetër që nuk kanë bërë pagesat.

Janë 6541 profesionistë të lirë që kanë paguar këstet e tatimit mbi të ardhurat, me një vlerë prej 500 milionë lekësh, të cilët tashmë kërkojnë kthimin e parave.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • flori: 13/09/2024 02:51

    ky ka fytyre hajduti...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim