Përveç pensionistëve, rreth 285 mijë qytetarë të shtresave në nevojë do të marrin shpërblim për fundvit në masën 5 mijë lekë.

“Paketa përfshin bonuse sociale në të njëjtën masë të shpërblimit që sapo iu akordua pensionistëve për: 64 mijë përfitues të ndihmës ekonomike; 73 mijë përfitues të pagesave mbështetëse të aftësisë së kufizuar; 36 mijë familje me fëmijë në ndihmë ekonomike; 68 mijë invalidë të punës; 44 mijë përfitues të pensioneve familjare. Brenda kategorive që mbështeten me këtë akt normativ, për kategori të posaçme siç janë p.sh familjet me ndihmë ekonomike, por me fëmijë, edhe ata marrin dyfishin e masës, që do të thotë marrin 10 mijë lekë të reja”, tha ministri Ervin Mete.

Po ashtu do të marrin një pagë shtesë punonjësit e administratës që kanë marrë pjesë në procesin e integrimit në BE.

“Parashikohet një shpërblim për 1144 punonjës të administratës shtetërore, përfaqësues në takimet bilaterale të zhvilluara në kuadër të procesit të negociatave për antarësim në BE, edhe për shkak të rezultateve të lavdërueshme dhe të vlerësimeve të larta që kanë marrë edhe nga Komisioni Evropian”, tha Mete.

Me rishikimin e dytë që i bëhet buxhetit të këtij viti, parashikohen edhe 800 milionë lekë mbështetje për çdo punonjës policie për kompensimin e tyre ushqimor, si dhe për disa bashki të vendit do të shpërndahen 2 miliardë lekë për të shlyer borxhet e prapambetura.

Fondet për këto ndryshime, janë marrë nga projektet që nuk kanë pasur ecuri pozitive.

“Rialokimet bëhen nga projekte të huaja apo të brendshëm që për shkak të ecurisë vlerësohet që është më efektive të riaolokohen në projekte me ecuri më pozitive”, tha ministri.

Në total Ministri i Financave Ervin Mete tha se ky akt normativ rialokon 20 miliardë lekë, por nuk ndryshohet parashikimi për të ardhurat dhe shpenzimet për vitin aktual.