Për herë të tretë brenda këtij viti qeveria ka rishikuar përmes aktit normativ buxhetin e shtetit për 2025-ën. Me ndryshimet e bëra rriten me 121 milionë euro të ardhurat, të cilat deri në fund të vitit parashikohet të arrijnë në rreth 7.7 miliardë euro si dhe shtohen me 57 milionë euro shpenzimet dhe në total të gjitha institucionet pritet të shpenzojnë 8.3 miliardë euro.

Qeveria ka vendosur të shtojë fondin në dispozicion të bonusit të fundvitit për pensionistët. Nga 37.5 milionë euro që ishte parashikuar në buxhetin fillestar, vlera është rritur në 97 milionë euro. Një shtesë e barabartë me gjysmën e vlerës së rritjes së të ardhurave.

Nga bonusi pritet të përfitojnë rreth 756 mijë pensionistë. Edhe këtë vit shpërblimi do të jetë me fasha. Pensionistët që marrin deri në 200 euro në muaj pritet të përfitojnë më shumë. Kjo ishte skema që u përdor edhe përgjatë vitit të kaluar, ky fondi për bonusin ishte thuajse në të njëtën vlerë. Vjet 150 euro u dhanë për pensionet e ulta, dhe 100 euro për ata që merrnin mbi 200 euro në muaj. Por për shpërblimin e këtij viti ende nuk ka një ndarje finale sesa do të jetë vlera që do të marrin qytetarët.

Sa i takon institucioneve shtesa më e madhe në buxhet i bëhet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së cilës i jepen rreth 60 milionë euro shtesë për avancimin e projekteve të ndryshme rrugore dhe hekurudhore, mes tyre edhe për rrugën lidhëse Tiranë – Elbasan me koridorin VIII,  punimet për Tiranë–Durrës (Faza I– III) apo ndërtimi i rrugës Kashar – Nyja Vaqarr (Faza III).

Brenda këtij fondi shtesë 30 milionë euro shkojnë në formën e transfertës kapitale, për Albcontrol për shkak të vështirësive të funksionimit pas bllokimit të llogarive. Po ashtu fonde shtesë prej 16 milionë euro janë parashikuar për AKSHIN për sisteme kompjuterike, në kuadër të projektit me Bankën Botërore dhe projekteve me kompaninë Oracle.

SHISH do të marrë 5.5 milionë euro më shumë për blerje sistemesh, ndërsa ministria e Brendshme merr 4.6 milionë euro për nevojat e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.

Buxheti rritet edhe për Ministrinë e Drejtësisë për projektin e Institutit të të Miturve në Konflikt me Ligjin, për Ministrinë e Bujqësisë për programin e ujitjes, ILDKPKI fonde për  projektin e godinës së institucionit dhe 320 mijë euro shtesë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për rikonstruksionin e Vilës Qeveritare në Dajt.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë Ndryshimet në buxhet

Kliko këtu për të lexuar relacionin e buxhetit

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:06
Rishikimi i buxhetit 2025/ Qeveria: Ekonomia u rrit me 3.6% në 6 muajt e parë të vitit! Borxhi publik në fund të vitit 2024 ra në 54.2% të PBB-së

Në relacionin shoqërues të qeverisë për aktin normativ të rishikimit të buxhetit të vitit 2025, theksohet se ekonomia shqiptare ka vijuar trendin pozitiv të rritjes, duke ruajtur stabilitetin e aktivitetit ekonomik dhe uljen e borxhit publik. “Ekonomia në tërësi gjatë vitit 2024 vazhdoi rritjen duke treguar një stabilizim të aktivitetit ekonomik”, thuhet në relacion, ndërsa theksohet se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2024 është rritur me rreth 4% krahasuar me vitin 2023, duke u mbështetur në kërkesën e brendshme dhe të huaj, zgjerimin e konsumit privat, investimeve dhe aktivitetit të turizmit.

Në të njëjtin relacion theksohet se rritja ekonomike ka vijuar edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, ku ekonomia është rritur me 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2024 ka shënuar rritje prej rreth 4.0%, krahasuar me vitin 2023, sipas vlerësimit më të fundit të disponueshëm. Kjo rritje u gjenerua si nga kërkesa e brendshme ashtu edhe ajo e huaj, si rezultat i zgjerimit të konsumit privat, investimeve dhe aktivitetit të turizmit. Momenti pozitiv i rritjes ka vijuar edhe përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, me rreth 3.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kërkesa e brendshme mbeti e fortë, veçanërisht konsumi final dhe investimet, ku rritja shënoi normat 4.7% dhe 4.1%, përkatësisht, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025”, thuhet në relacion.

Sipas të dhënave zyrtare, borxhi publik në fund të vitit 2024 arriti në 54.2% të PBB-së, duke u ulur me 3.4% krahasuar me fundin e vitit 2023. Ky nivel shënon njëkohësisht edhe nivelin më të ulët të regjistruar që prej vitit 2010 (57.7% të PBB-së)

“Borxhi publik në fund të vitit 2024 shënoi nivelin 54.2% të PBB-së, duke u ulur me rreth 3.4% krahasuar me fundin e vitit 2023. Ky nivel, i cili është konsiderueshëm më i ulët edhe krahasuar me periudhën para Pandemisë (65.0% e PBB-së në vitin 2019), shënon njëkohësisht edhe nivelin më të ulët të regjistruar që prej vitit 2010 (57.7% të PBB-së).

Balanca primare në fund të vitit 2024 rezultoi pozitive, në nivelin prej 1.4% të PBB-së, duke vazhduar trendin pozitiv të regjistruar dhe një vit më parë (2023), ku përkatësisht shënoi normën prej 0.7% të PBB-së. Në vitin 2019 u regjistrua për herë të fundit një nivel pozitiv i balancës primare, prej rreth 0.2% të PBB-së”, thuhet në relacion.

Ora 18:35
Rishikimi i buxhetit 2025/ Nga AKSHI te SHISH-i e Ministria e Brendshme, ja sa para përfitojnë institucionet kryesore

1724161369_buxhetikronike.jpg

Disa institucione përfitojnë nga rishikimi i buxhetit të shtetit. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), përfiton rreth 16 milionë euro shtesë për zhvillimin e sistemeve kompjuterike, në kuadër të projektit me Bankën Botërore dhe bashkëpunimeve me kompaninë Oracle.

Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) merr rreth 5.5 milionë euro për blerjen e sistemeve dhe software-ëve të rinj, që synojnë përmirësimin e kapaciteteve teknologjike dhe të sigurisë.

Ministria e Punëve të Brendshme përfiton rreth 4.6 milionë euro, fonde që do të përdoren për nevojat e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, ndërsa pjesa më e madhe e financimit sigurohet nga kursimet e veta në shpenzimet korente.

Ministria e Drejtësisë merr rreth 4 milionë euro shtesë për financimit të projektit për Institutin e të Miturve në Konflikt me Ligjin.

Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përfiton rreth 3 milionë euro  për projektet e bashkive në programin “Ujitja dhe kullimi”, që synojnë përmirësimin e infrastrukturës bujqësore dhe menaxhimin e burimeve ujore.

ILDKPKI me rreth 600 mijë euro shtesë për projektin e godinës së re të institucionit dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, me rreth 320 mijë euro për rikonstruksionin e Vilës Qeveritare në Dajt.

Ora 18:22
Akti normativ për ndryshimin e buxhetit/ Borxhi publik 14.2 mld euro, ulet në raport me parashikimin fillestar! Ndikim pozitiv zhvlerësimi i valutave

1666676195_borxhi.jpg

Me rishikimin e fundit që pësoi buxheti i shtetit është rishikuar në ulje edhe stoku i borxhit publik. Në fund të 2025-ës borxhi publik parashikohet të arrijë në 14 miliardë e 255 milionë euro, nga 14 miliardë euro e 632 milionë euro që ishte parashikimi fillestar për këtë vit.

"Borxhi publik në fund të vitit 2024 shënoi nivelin 54.2% të PBB-së, duke u ulur me rreth 3.4% krahasuar me fundin e vitit 2023. Ky nivel, i cili është konsiderueshëm më i ulët edhe krahasuar me periudhën para Pandemisë (65.0% e PBB-së në vitin 2019), shënon njëkohësisht edhe nivelin më të ulët të regjistruar që prej vitit 2010 (57.7% të PBB-së", thuhet në relacion.

Një nga faktorët kryesor thotë ministria e financave që ka ndikuar pozitivisht në reduktimin e borxhit është kursi i këmbimit që po ju kursen para. Kjo pasi borxhi i marrë në valutë është bërë më i lirë prej zhvlerësimit të euros dhe dollarit.

"Kursimin prej 6.93mld lekë në shpenzimet për interesat e borxhit,  përkatësisht 4.62mld lekë në interesat e jashtme dhe 2.31mld lekë në ato  të brendshme, kryesisht si rezultat i rënies së normave të interesit në  krahasim me supozimet në fazën e planifikimit të tyre dhe pjesërisht si rezultat i efektit të kursit të këmbimit", vijon relacioni.

Ora 18:20
Ministria e Infrastrukturës përfituesja më e madhe nga rishikimi i buxhetit, 60 milionë euro shtesë! 24 milionë euro shkojnë për rrugët

1732050713_koncensioneterrugeve.jpg

Për herë të tretë brenda këtij viti qeveria ka rishikuar përmes aktit normativ buxhetin e shtetit për 2025-ën. Sa i takon institucioneve shtesa më e madhe në buxhet i bëhet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së cilës i jepen rreth 60 milionë euro shtesë për avancimin e projekteve të ndryshme rrugore dhe hekurudhore.

24 milionë euro nga buxheti që i bëhet Ministrisë së Infrastrukturës shkojnë për transportin rrugor, me qëllim përshpejtimin e disa projekteve si ndërtimi i rrugës lidhëse Tiranë–Elbasan me korridorin VIII; Arredimi dhe rikualifikimi urban i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza I–III); Ndërtimi i rrugës Kashar–Nyja Vaqarr (Faza III); Spostimi i linjave të tensionit të lartë përgjatë korridorit VIII.

Pjesa më e madhe e buxhetti shtesë që i bëhet këtij dikasteri shkon për Albontrol, i cili do të marrë rreth 30 mln euro për shkak të bllokimit të llogarive për çështjen Becetti.

Në programin e transportit hekurudhor, janë parashikuar rreth 3.6 milionë euro për vitin 2025 për zbatimin e projektit të linjës hekurudhore “Terminali i transportit publik – stacioni i trenit Tiranë (4 km)”, si zgjatim i linjës Durrës–Tiranë, me vlerë totale prej rreth 18 milionë euro.

Pjesë nga relacioni
Ora 13:23
Rishikimi i buxhetit/ Më shumë para për bonusin e fundvitit për pensionistët

1758112673_1752213707pensionistet.jpg

Me rishikimin e fundit të buxhetit të shtetit qeveria ka vendosur që të rrisë fondet për shpërblimin e fundvitetit për pensionistët. Nga 37.5 milionë euro që ishte parashikuar fondi për shpërblimin e fundvitit në buxhetin fillestar, vlera është rritur në 97 milionë euro.

“Shpërblimi i fundvitit për pensionistët, i cili në vijimësi ka shënuar si rritje të frekuencës, si edhe një trend rritës të masës së përfitimit, ka gjithmonë në fokus përmirësimin e nivelit të plotësimit të nevojave të kategorisë vulnerabël të pensionistëve, duke krijuar një siguri në pritshmëritë e kësaj shtrese prej rreth 756 mijë pensionistësh, krahas një besimi të shtuar të tyre për një qasje të vëmendshme dhe suportuese nga ana e qeverisë”, thuhet në relacion.

Bonusi i fundvitit edhe për këtë vit pritet të jetë i ndarë, pensionistët që marrin deri në 20 mijë lekë në muaj të marrin më shumë, dhe kush merr mbi këtë vlerë të ketë bonus më të ulët.