
Në relacionin shoqërues të qeverisë për aktin normativ të rishikimit të buxhetit të vitit 2025, theksohet se ekonomia shqiptare ka vijuar trendin pozitiv të rritjes, duke ruajtur stabilitetin e aktivitetit ekonomik dhe uljen e borxhit publik. “Ekonomia në tërësi gjatë vitit 2024 vazhdoi rritjen duke treguar një stabilizim të aktivitetit ekonomik”, thuhet në relacion, ndërsa theksohet se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2024 është rritur me rreth 4% krahasuar me vitin 2023, duke u mbështetur në kërkesën e brendshme dhe të huaj, zgjerimin e konsumit privat, investimeve dhe aktivitetit të turizmit.
Në të njëjtin relacion theksohet se rritja ekonomike ka vijuar edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, ku ekonomia është rritur me 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2024 ka shënuar rritje prej rreth 4.0%, krahasuar me vitin 2023, sipas vlerësimit më të fundit të disponueshëm. Kjo rritje u gjenerua si nga kërkesa e brendshme ashtu edhe ajo e huaj, si rezultat i zgjerimit të konsumit privat, investimeve dhe aktivitetit të turizmit. Momenti pozitiv i rritjes ka vijuar edhe përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, me rreth 3.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kërkesa e brendshme mbeti e fortë, veçanërisht konsumi final dhe investimet, ku rritja shënoi normat 4.7% dhe 4.1%, përkatësisht, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025”, thuhet në relacion.
Sipas të dhënave zyrtare, borxhi publik në fund të vitit 2024 arriti në 54.2% të PBB-së, duke u ulur me 3.4% krahasuar me fundin e vitit 2023. Ky nivel shënon njëkohësisht edhe nivelin më të ulët të regjistruar që prej vitit 2010 (57.7% të PBB-së)
“Borxhi publik në fund të vitit 2024 shënoi nivelin 54.2% të PBB-së, duke u ulur me rreth 3.4% krahasuar me fundin e vitit 2023. Ky nivel, i cili është konsiderueshëm më i ulët edhe krahasuar me periudhën para Pandemisë (65.0% e PBB-së në vitin 2019), shënon njëkohësisht edhe nivelin më të ulët të regjistruar që prej vitit 2010 (57.7% të PBB-së).
Balanca primare në fund të vitit 2024 rezultoi pozitive, në nivelin prej 1.4% të PBB-së, duke vazhduar trendin pozitiv të regjistruar dhe një vit më parë (2023), ku përkatësisht shënoi normën prej 0.7% të PBB-së. Në vitin 2019 u regjistrua për herë të fundit një nivel pozitiv i balancës primare, prej rreth 0.2% të PBB-së”, thuhet në relacion.
Lajmi kryesor:
Rishikohet përsëri buxheti, 97 mln euro bonus pensionistëve për fundvit! Qeveria i jep 30 mln euro Albcontrol pas bllokimit të llogarive









