Spektakël me kërcime dhe ngjyra folklorike në rrugët e Vlorës. Ansamble nga vende të ndryshme të botës kanë mbërritur këtë fundjavë në qytetin bregdetar në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Aulona Folk Festival”, duke sjellë atmosferë festive dhe performanca plot ritëm në rrugët dhe sheshet e qytetit.
Grupet pjesëmarrëse kanë dhuruar valle tradicionale, kostume shumëngjyrëshe dhe muzikë karakteristike nga kulturat e tyre, ndërsa turistë dhe qytetarë të shumtë janë ndalur për të ndjekur nga afër shfaqjet artistike. Më shumë vëmendje kanë tërhequr grupet nga Kili dhe Brazili, të cilët krijuan një atmosferë elektrizuese me performancat dhe energjinë e tyre në pedonalen dhe zonat kryesore të qytetit.
“Aulona Folk Festival”, që organizohet çdo vit në Vlorë, vijon të kthejë qytetin në një qendër të kulturës dhe traditave ndërkombëtare, duke promovuar turizmin dhe shkëmbimin kulturor mes vendeve pjesëmarrëse.
Komente






