TIRANE- Në qendër të sheshit “Nënë Tereza” në kryeqytet prej disa ditësh kanë filluar punimet me ritme të shpejta për restaurimin e tij për shkak të vizitës që do të bëjë më 21 shtator papa Francesku. Por çfarë parashikon projekti për rivitalizimin e këtij sheshi, i cili nuk ka prekur vetëm shatërvanin, por edhe ndërtesat përreth tij.
 
Kështu, në vendin e shatërvanit projekti parashikon që të krijohet një pasqyrë ujore. Në të njëjtën kohë po bëhet dhe pastrimi i fasadave të tre godinave që e rrethojnë sheshin “Nënë Tereza”, Universitetit Politeknik, Universitetit të Arteve dhe Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Për këto institucione do të bëhet dhe riveshja e shkallëve të tyre.
 
Për të bërë sa më mirë rivitalizimin e këtij sheshi është menduar që të bëhet dhe zgjerimi i trotuareve për këmbësorët, të bëhet rishikimi i linjave të trafikut si dhe të ketë vendosje të bimëve dhe pemëve dekorative .
 
Projekti parashikon edhe zhvendosjen e statujës së “Nënë Terezës”, i cili është menduar që të vendoset në rrethrrotullimin e aeroportit.
 
Sheshi “Nënë Tereza” është përzgjedhur si vendi ku do të zhvillohet Mesha e madhe nga kreu i Vatikanit gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
 
Por, përveç restaurimit të sheshit duhet që të mendohet dhe për heqjen e mbeturinave që ndodhen në të dy anët e universitetit.
 
Kjo është vizita e dytë e një Pape në vendin tonë, pasi në Prill të 1993 Shqipëria u vizitua nga Papa Gjon Palit i Dytë. Për shkak të rëndësisë që ka kjo vizitë bëhen në mënyrë të vazhdueshme inspektime në këtë shesh për të parë ecurinë e punimeve. Një ditë më parë Kryeministri Rama inspektoi punën në këtë shesh.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)