Rivlerësohet 5.5 milionë lekë
piktura e Androniqi Zengos

Rivlerësohet 5.5 milionë lekë<br />piktura e Androniqi Zengos
TIRANE- Ky “Autoportret” i viteve ‘30 i Androniqi (Zengo) Antoniut të jep përshtypjen sikur je përballë portretit të një vajze të kohëve moderne. Shpesh vlera e veprave të artit i thyen barrierat e kohës. Një meditim vajzëror universal... Meditim që ka ngjallur jo pak diskutime në komisionin për rivlerësimin e veprave të artit që u mblodh dje paradite në Galerinë Kombëtare të Arteve. Dje ka qenë mbledhja e parë e punës.
Artan Shabani, drejtori i Galerisë Kombëtare, në intervistën për “Shqiptarja.com” shprehet se mbledhja e bordit të specialistëve është kurorëzuar në mënyrë simbolike me rivlerësimin e një portreti të viteve ‘30 të piktores Androniqi (Zengo) Antoniu (1913 –2000).

Pas mbarimit të mbledhjes së bordit, Shabani na bën të ditur se cilat janë procedurat e rivlerësimit, i cili do të bëhet nga një bord specialistësh arti. Bëhet fjalë për kuotimin sipas standardeve të 500 mijë veprave të fondit të Galerisë Kombëtare, procedurë që prej  15 vjetësh ka munguar në këtë institucion. Rivlerësimi ka nisur nga shkronja e parë e alfabetit, me piktoren e shquar Androniqi Zengo (Antoniu është mbiemri i saj pas martese), dhe ky akt është vlerësuar si një gjest simbolik i përurimit të një rruge të gjatë që ka nisur GKA për rivlerësimin e thesarit të artit kombëtar. Me idenë “për t’i dhënë një vlerë dinjiteti çdo vepre të artit kombëtar”, Artan Shabani rrëfen se 500 mijë vepra do të kalojnë në këtë proces rivlerësimi. Vlerësimi i fundit është kryer në vitin 1999.
 
Zoti Shabani, ndër nismat tuaja të para si drejtor i Galerisë Kombëtare është edhe ajo e rivlerësimit të veprave të artit. Si nisi kjo ide?
 -Kjo nuk është veç një ide, por kjo është një praktikë që fillon sot, të hënën, dhe ju jeni të parët që e mësoni dhe interesoheni për intervistën dhe ju falënderoj. Sepse shqetësimi imediat është se çfarë ndodh me thesarin e vërtetë të artit shqiptar. Koleksioni i Galerisë Kombëtare, jo vetëm është një thesar i artit kombëtar por është thesar i trashëgimisë kulturore. Për sa i përket këtij institucioni, ka 15 vjet që nuk është bërë më vlerësimi monetar i çdo vepre.

Bëhet fjalë për 500 mijë vepra. Ideja ime si drejtor në këtë galeri kombëtare është që të manifestojmë dhe të demonstrojmë respektin që ne kemi në mënyrë konkrete për veprat e artit që janë pikturë, skulpturë, instalacion, të gjitha zhanret e arteve pamore. Besimi dhe respekti që ne duhet të kemi për të gjitha ata që kanë punuar dhe kanë lënë gjurmë në thesarin e përbashkët, sepse kjo është galeria e kombit shqiptar, duhet konkretizuar me një punë serioze, e cila sot u kurorëzua me mbledhjen e bordit për punën e rivlerësimit. Në këtë mbledhje u raportua unanimisht dhe në mënyrë simbolike vlerësimi i parë i një pikture të autores Androniqi Antoniu dhe vepra është një portret në vaj e realizuar në fillimet e viteve ’30. Rivlerësimi i saj shkoi në 5 milionë e 500 mijë lekë të vjetra, nga 1 milionë e 500 mijë lekë  të vjetra.
 
Përse e nisët rivlerësimin pikërisht me piktoren Androniqi Zengo Antoniu?
-Ky vlerësim i parë u bë edhe për nderin e mbledhjes së bordit, që nisi me veprën e parë të artistes së parë, duke e filluar nga germa e parë e alfabetit. Ja kështu sipas renditjes në dokumentacion do të vijojë vlerësimi sipas kritereve duke i marrë veprat e artit një për një. Disa nga kriteret rivlerësuese janë vlera artistike e veprës së artit, vlera historike e veprës së artit, vlera tematike e veprës së artit.

Biografia e secilit artist, CV-ja e autorit. Pra të gjitha këto e të tjera merren si pika të përbashkëta. Gjithashtu një ndër kriteret e vlerësimit është vendi që krijimtaria e artistit zë në artin kombëtar dhe më tej tematika e veçantë, stili i veçantë, koloriti veçantë i veprës. Tematika, gjinia, e kësaj vepre. Gjendja fizike, aktuale dhe peizazhi sepse mund të themi se ka edhe vepra në nivele jo të mirë ruajtjeje që duhen restauruar ose që janë dekompozuar, ose kemi edhe vepra në nivel perfekt, siç është “Motra Tone” e Kol Idromenos.
 
A mund të na thoni, sa do të rivlerësohet konkretisht “Motra Tone”, meqë ra fjala?
 -Për pesë mijë vepra arti do të ketë rivlerësime dhe rivlerësimet do të bëhen konkrete nga komisioni, sepse Galeria Kombëtare nuk përfaqësohet vetëm me “Motrën Tone” dhe kur veprat e artit hyjnë në sistemin e rivlerësimit, vlerat e tyre papritur mund të marrin një ngritje shumë të madhe, ose jo aq të madhe. Ndaj procesi ka të bëjë me një koleksion të madh dhe me vlera, dhe këto vlera janë bërë të njohura dhe janë ekspozuar edhe në galeritë ndërkombëtare të arteve. Shqipëria, me këto vepra është përfaqësuar në ekspozita jashtë vendit, duke nisur që nga Kina, Stambolli, Nju Jorku apo vende të tjera.

Ideja është që t’i jepet një vlerë serioze, një vlerë dinjiteti çdo vepre arti dhe kjo na takon ne shqiptarëve, ne nuk mund të presim që të vijë një nga jashtë nga Hëna apo një planet tjetër që të jap vlerësimin për shtëpinë tonë. Jemi ne të parët që duhet t’i japim identitetin e  munguar, kuotimin e munguar veprave. Nuk them maksimal, por as minimal; pra, një kuotim që kjo vepër ta ketë në aspektin kombëtar, që do të thotë të japësh një vlerësim të pasurisë kombëtare të secilës vepër; qoftë nga më e lira, deri tek ajo më e shtrenjta. Kjo është një punë që do të zgjas shumë muaj, sepse gjendja në të cilën mbahen  është alarmante dhe kritike. I kam kërkuar shtetit shqiptar disa herë edhe nëpërmjet medias sensibilizim që ne të kemi një strukturë me të gjitha parametrat bashkëkohorë ku të strehohet e gjithë kjo pasuri dhe jo të lihet në gjendje të diskutueshme.
 
Si do të bëhet rivlerësimi i koleksionit të GKA-së
Komisioni vlerësues përbëhet nga specialistë të artit. Kuotimi do të kryhet në bazë të 10 kritereve siç është vlera artistike, historia e veprës, cilësia artistike dhe koloristike, ekspozimi i veprës brenda dhe jashtë vendit, mendimi kritik. 
Komisioni do të zbatoje kritere të ndryshme për autorët shqiptarë dhe ata të huaj. Puna ka nisur në bazë të rendit alfabetik. Kuotimi do të kryhet në vlerën monetare lekë për shkak të lëvizjes së kursit të euros. Ky proces do te jetë afatgjatë për shkak të numrit të madh të veprave dhe gjinive të ndryshme si ikona, piktura dhe skulptura. 
 
Kush është Androniqi Zengo Antoniu
 Androniqi Zengo Antoniu lindi në Korçë më 26 maj 1913 në familjen Zengo, e njohur si familje artistësh, dhe ndërroi jetë më 10 shkurt 2000. Ishte e para piktore grua në historinë e artit figurativ shqiptar. Ajo studioi në Akademinë e Arteve të Bukura të Athinës për pikturë e skulpturë. Si ikonografe ka punuar në zbukurimin e tetë kishave në Korçë, Tiranë dhe vende të tjera të Shqipërisë. Punoi që 11 vjeçe si ndihmëse e të atit, Vangjel Zengo, për të pikturuar sfondet dhe veshjet e shenjtorëve tek ikonat që bënte ai. Ekspozitën e parë me punët e saj e hapi në Korçë, më 1935, të dytën në Tiranë, më 1937, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë.

Ka marrë pjesë me 15 punime në ekspozitën botërore të Nju Jorkut më 1939 dhe po atë vit në Bari në konkursin ndërkombëtar “Premio Albania”, ku u vlerësua me çmimin e tretë për veprën “Kalaja e Petrelës”. Në vitin 1941 u martua me këngëtarin e njohur lirik Kristaq Antoniu. Më 1964-n realizoi pikturimin e kishës së re të Vangjelizmoit në Tiranë. Më 1963-shin ajo u bë shumë e njohur për publikun me ekspozitën e saj e të katërt me rastin e 50-vjetorit të lindjes. Po atë vit merr pjesë në Bienalen e Aleksandrisë, në Egjipt, nga e cila kthehet në atdhe me dy medalje. Piktore e cilësuar që në hapat e saj të parë “impresioniste”, nga mbi 500 vepra në vaj, 55 punë i ruhen në Galerinë e Arteve në Tiranë.

Shkrimi u publikua sot (04.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

'Shkodra Elektronike' fiton Fest 63! Kënga 'Zjerm' do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025

'Shkodra Elektronike' fiton Fest 63! Kënga 'Zjerm' do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025