Rivlerësimi i pronave do nisë pas zgjedhjeve të 2025-ës! Çmimet e reja të referencës së pronës publikohen në mars

Rivlerësimi i shumë pritur i pasurive të paluajtshme do të bëhet në vitin 2025, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, pra përafrimi i vlerës së banesave me çmimin real të tregut. Por për te arritur deri këtu, më herët, Ministria e Financave do të hedhë për konsultim publik çmimet e reja të referencave të banesave në të gjithë Shqipërinë. Ky proces, siç burime për Report Tv thonë, pritet të përfundojë në muajin mars.

Deri më tani 14 bashki të vendit, kryesisht ato afër zonave bregdetare, i kanë gati çmimet e reja të referencës, edhe pse asnjë prej tyre nuk është bërë publike dhe do t’i bashkëngjiten vendimit të marsit për të 60 njësitë vendore.

Bashkia e Tiranës ndërkohë bën përjashtim, pasi çmimet e reja të referencës janë miratuar së fundi, në vitin 2023 ku pati rritje deri në 30% të vlerës së pronave.

Aktualisht 60 bashkitë në vend kanë vetëm një çmim reference, sipas qyteteve, për të gjitha banesat, pavarësisht rëndësisë së zonave ku janë. Ministria e Financave mësohet se po punohet që çmimet e referencës të bëhen përmes një ndarje në zona kadastrale, siç aktualisht funksionon në Tiranë. Nëse sot në Durrës çmimi mesatar për të gjitha pronat është 660 euro metri katror, me referencat e reja, çmimet do të jenë sipas zonave ku ndodhen banesat, pranë bregdetit më shtrenjtë, e në zona perifike më lirë.

Por çfarë sjell rivlerësimi për një qytetar që do të shesë shtëpinë?

Përmes rivlerësimit të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të përafrojnë vlerën e pronës së tyre me çmimet reale të tregut, dhe për diferencën mes vlerës aktuale të pronës dhe asaj të rivlerësuar do paguhet tatim më i ulët sesa 15% që paguhet nëse një pronë shitet aktualisht, tatim që ende nuk është caktuar, por ndër vite ka qenë nën 5%.

Shembull: Nëse sot një apartament me vlerë fillestare 100 mijë euro, shitet 150 mijë euro (për diferencën prej 50 mijë euro), paguhet 15% tatim ose 7,500 euro. Por në rast rivlerësimi paguhet më pak, pasi tatimi ulet, për këtë të fundit u diskutua 5% tatim ose vetëm 2.500 euro.

Nëse ky rivlerësim do të bëhet, do të jetë i pesti proces në 13 vite, kurse i fundit u mbyll në vitin 2022.

G.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Konsiderohen si numrat e 'engjëjve', çfarë simbolizojnë dhe kuptimi i tyre

Konsiderohen si numrat e 'engjëjve', çfarë simbolizojnë dhe kuptimi i tyre