Prej më shumë se një muaj ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme ka mbetur peng i akteve nënligjore. Ligji u miratua më 12 dhjetor 2025 dhe është botuar në fletoren zyrtare më 7 janar të këtij viti, ndërsa deri më tani nuk është bërë gati udhëzimi i Ministrisë së Financave, për të nisur zbatimin e tij.

“Ky ligj ka hyrë në fuqi më datë 22 janar dhe udhëzimet që shoqërojnë pritet të miratojmë shumë shpejt, brenda gjysmës së parë të muajit shkurt do kemi udhëzimet përkatëse që të vijohet me procesion rivlerësimit”, tha Petrit Malaj.

Kjo ishte deklarata e Ministrit të Financave Petrit Malaj më 26 janar, por deri më tani, as referencat e reja dhe as udhëzimi për rivlerësimin nuk janë miratuar.

Kjo fushatë e katërt rivlerësimi është parashikuar të bëhet mbi referencat e reja në 60 bashkitë e vendit me përjashtim të Tiranës, që i ka të miratuara në 2023-shin. Referencat e rrisin automatikisht vlerën e pronave dhe duhet që të hyjnë në fuqi para se të nisë rivlerësimi. Por, asnjëra nga nismat ende nuk ka marrë një vulë përfundimtare, pasi vendimi për referencat ende nuk është miratuar nga Këshilli i Ministrave, ndërsa rivlerësimi nuk ka udhëzimin që e bën të zbatueshëm.

Edhe nëse udhëzimi do të miratohej, përsëri s’do të ishte i zbatueshëm pa u miratuar referencat e reja për vlerat e pronave, që do të sjellin një rritje të çmimeve sidomos për pasuritë e patundshme përgjatë vijës bregdetare.

Mungesa e akteve nënligjore ka futur në ngërç tregun e pasurive të patundshme, pasi pronarët presin të bëjnë rivlerësimin dhe më pas të vijojnë me shitjen e pronave, si një mënyrë për t’i rritur vlerën banesës së tyre. Përveç kësaj, ata  përfitojnë edhe nga ulja tatimore, pasi rivlerësimi do të bëhet me tatim 5%, nga 15% që është aktualisht nëse shitet prona.

Rivlerësimi synon të afrojë vlerën që ka një pronë me çmimet reale të tregut, dhe për diferencën mes vlerës që ka prona të regjistruar dhe vlerës që del pas rivlerësimit paguhet tatimi 5%.

Konkretisht, nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai duhet të paguajë 15% tatimin për këtë diferencë. Për 20 mijë euro qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me rivlerësimin për të njëjtën diferencë paguan 5% ose 1000 euro tatim.

Rivlerësimi i pasurive të patundshme për qytetarët dhe bizneset është parashikuar të zgjasë deri më 31 dhjetor të këtij viti.