Rizespori nuk tërhiqet nga ideja për të pasur në gjirin e saj futbollistin e talentuar me origjinë kosovare Loret Sadiku dhe së fundmi ka përgatitur një ofertë të re për ta bindur që të largohet nga Helsingborgu. Klubi suedez e kishte refuzuar ofertën e parë për 21 vjeçarin, ndërsa tani mund të hapen sërish bisedimet, pasi propozimi i ri i turqve është më i arsyeshëm, pasi është rritur vlera e një transferimi të mundshëm. 

“Rizespori e ka bërë një ofertë të re të shtunën. Është një mundësi interesante, të cilën do ta provoja. Nuk ka asnjë klub tjetër që do të shpenzonte aq para për një lojtar aq të ri”, ka thënë Sadiku për mediat suedeze. Tani pritet vetëm përgjigja e kosovarit, por pas merkatos, kosovari do të vendosë edhe për të ardhmen për kombëtaren, pasi akoma nuk i ka thënë ‘po’ as Shqipërisë dhe as Suedisë.

Ndërkohë që drejtuesit e Federatës Shqiptare të futbollit akoma vijojnë të insistojnë për të pasur shërbimet e mbrojtësit të talentuar që po spikat në kampionatin suedez të futbollit.

(Shkrimi u publikua sot në gazetën "Shqiptarja.com")
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)