Holanda ka çelur një faqe të re në historinë e saj politike. Rob Jetten u betua si kryeministër dhe u bë lideri i parë homoseksual që drejton qeverinë holandeze.
38-vjeçari, që udhëheq partinë centriste D66, fitoi zgjedhjet në tetor duke lënë pas me diferencë të ngushtë partinë e ekstremit të djathtë të Geert Wilders. Të hënën, përpara mbretit Willem-Alexander, ai mori zyrtarisht detyrën, duke u bërë edhe kryeministri më i ri në historinë e vendit.
Qeveria e tij është koalicion me Kristian Demokratët dhe Partinë Popullore për Liri dhe Demokraci. Pra, një kombinim i qendrës me të djathtën, në një moment kur klima politike në Europë është bërë më e tensionuar.
Organizata COC Nederland, një nga grupet më të vjetra për të drejtat LGBTQ në botë, e quajti zgjedhjen e tij një mesazh të fortë: orientimi seksual nuk duhet të pengojë askënd të arrijë majat e pushtetit. Sipas tyre, fakti që një djalë me një orientim të qartë homoseksual mund të bëhet kryeministër tregon se shoqëria ka lëvizur përpara.
Jetten ka premtuar forcim të ligjeve kundër diskriminimit, më shumë mbrojtje për personat transgjinorë dhe interseks, si dhe masa për të luftuar dhunën dhe bullizmin në shkolla.
Në jetën private, ai është i fejuar me Nicolas Keenen, një lojtar argjentinas i hokejit në fushë që mori pjesë në Lojërat Olimpike Paris 2024.
Në nivel global, numri i liderëve hapur LGBTQ mbetet i vogël. Por emri i Jetten tani hyn në atë listë të shkurtër ku përfshihet kryeministri i Andorrës, Xavier Espot Zamora dhe Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs.
Komente







