Në një moment të rëndësishëm për negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Holandës, ku mori një tjetër sinjal mbështetjeje për avancimin e procesit të integrimit europian të vendit.
Gjatë takimeve me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Thom van Campen, Kryetaren e Senatit, Mei Li Vos, si dhe përfaqësues të Komisionit për Çështjet Europiane, u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe bashkëpunimi i deritanishëm në fusha të ndryshme.
Në qendër të bisedimeve ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Holanda i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në rrugën e reformave dhe integrimit europian, duke veçuar edhe vlerësimet për raportin IBAR.
Sipas tij, megjithëse Holanda ka mbajtur tradicionalisht një qasje rigoroze ndaj procesit të zgjerimit, ajo ka mbetur një mbështetëse e rëndësishme e perspektivës europiane të Shqipërisë dhe ka kontribuar në forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjes së mirë dhe luftës kundër korrupsionit.
Peleshi theksoi se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me negociatat dhe objektivin strategjik të anëtarësimit në BE.
“Procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë, i drejtë dhe i parashikueshëm”, u shpreh ai, ndërsa mirëpriti nismat europiane që synojnë integrimin gradual të vendeve kandidate në politikat dhe programet e Bashkimit Europian.
Në këtë kuadër, u diskutuan edhe propozimet për integrimin gradual, të cilat pala shqiptare i konsideron si një hap të ndërmjetëm drejt anëtarësimit të plotë dhe jo si një alternativë ndaj tij.
Bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe migracionit të parregullt ishte një tjetër temë e diskutuar gjatë takimeve. Palët vlerësuan rezultatet e arritura falë bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të informacionit mes strukturave përkatëse.
Në fokus ishte edhe forcimi i bashkëpunimit parlamentar. Peleshi mirëpriti vizitën që Komisioni për Çështjet Europiane i Parlamentit holandez do të zhvillojë në Shqipëri dhe Mal të Zi në korrik të vitit 2026, duke e cilësuar si një mundësi për të parë nga afër progresin e vendeve kandidate.
Gjatë qëndrimit në Holandë, Kryetari i Kuvendit ftoi gjithashtu përfaqësuesit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit holandez të marrin pjesë në Konferencën “Zgjerimi i Bashkimit Europian dhe Anëtarësimi i Shqipërisë”, e cila do të mbahet në Tiranë më 28-29 shtator 2026.
Në vizitën zyrtare në Holandë, Peleshi shoqërohej nga deputetët Damian Gjiknuri, Erjo Mile, Belind Këlliçi dhe Oerd Bylykbashi, si edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Artur Kuko.
Komente





