Sulmuesi holandez i Arsenalit, Robin Van Persi ka deklaruar se ende nuk mund të besojë se e ka fituar çmimin e futbollistit më të mirë të Premier League nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë të Anglisë.

“Ky është realizim i një ëndrre të madhe”, ka thënë holandezi. “Para tetë vjetësh kam ardhur këtu nga Holanda. Atëherë Rudi Gulit më thirri në telefon dhe më pyeti nëse do të qëndroja te skuadra e Fejnord, pasi ai ishte emëruar trajner i ri. Megjithatë, në fund vendosa të kaloja te Arsenali, dhe me këtë mu realizua një ëndërr, kurse tani fitimi i çmimit të futbollistit më të mirë është një tjetër ëndërr e realizuar”, ka shtuar Van Persi.

Sulmuesi holandez në këtë edicion ka shënuar 27 gola në 35 ndeshje në Premier League me fanelën e “Topçinjve”. Klubi londinez tre javë para përfundimit të kampionatit ndodhet në vendin e tretë dhe ka gjasa të mëdha për të siguruar kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm.(rb/shqiptarja.com)