Orë të tëra përpara telefonit ose kompjuterit, nervozizëm kur loja ndërpritet dhe mungesë përqendrimi në shkollë. Këto janë disa nga shqetësimet që prindërit anembanë botës, edhe në Shqipëri, po ndeshin gjithnjë e më shpesh te fëmijët që luajnë Roblox.
Pikërisht për këto rreziqe u diskutua në emisionin Studio Live në Report TV, ku ekspertët paralajmëruan se loja nuk është aq e pafajshme sa duket.
Inxhinieri i rrjeteve kompjuterike Erion Demiri shpjegoi se Roblox ekziston prej vitesh dhe është sot një nga platformat më të përdorura nga fëmijët në botë, por problemi kryesor lidhet me komunikimin e pakontrolluar.
“Roblox ekziston që prej vitit 2004. Ofron një sasi të madhe lojrash ku një nga pikat e debatit është fakti që aty ka mekanizma të tjerë që sjellin rrezik për fëmijët. Një nga gjërat më të diskutuara është mundësia e të folurit me zë në platformë me lojtarë të ndryshëm. Duhet që të kemi një kontroll më të qartë me cilët persona po komunikojnë këto fëmijë. Sot, autoriteti i mbrojtjes së konsumatorit në Hollandë ka hapur një investigim mbi Roblox. Në Shqipëri nuk kemi të dhëna të publikuara, por në total numri i përdoruesve të regjistruar është 10 miliardë dhe kemi diku tek 100 milionë përdorues në ditë në të gjithë botën që aksesojnë Robloxin ccdo ditë. Sot është një nga platformat më të vizituara” tha ai.
Psikologia klinike Anora Kroj tha se loja ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e fëmijëve.
“Roblox rrit kënaqësinë e lojës dhe u jep fëmijëve ndjesinë e pushtetit social. Fëmijët mendojnë vazhdimisht për këtë lojë dhe ndikon në vëmendjen gjatë mësimit, por edhe në cilësinë e gjumit si dhe në ndërveprimin me prindërit dhe bashkëmoshatarët. Loja ndikon shumë tek vëmendja e fëmijës, krijon agresion dhe varësi” shpjegoi ajo.
Sipas psikologes, prindërit vihen nën presione të ndryshme për të nxitur ndërprerjen e lojës nga fëmijët por kjo gjë nuk mund të arrihet menjëherë.
“Sepse duhet të kuptojmë që kur fëmija apo adoleshenti krijon një varësi, krijohet edhe një presion i madh dhe nëse do të nxitojmë që tua ndërpresim lojën, nuk do të jetë e shëndetshme por do të rrisë dëshirën për lojë tek fëmija. Nga ana tjetër, ai do të bëhet më agresiv sepse nuk do të realizojë dëshirën që e ka kaq të lartë në këto momente dhe nuk do të arrijë atë zbehjen e varësisë aktive. Duhet një sjellje më e moderuar dhe më e qetë nga ana e prindërit” tha ajo.
Ekspertët theksuan se Roblox nuk duhet parë thjesht si lojë, por si një platformë që kërkon vëmendje, kufij dhe komunikim të vazhdueshëm mes prindërve dhe fëmijëve.
Komente












