Dy lëvizje mjaft të befasishme kanë ndodhur në kampionatin shqiptar. Në Tiranë dhe Gjirokastër janë prezantuar trajnerët e rinj që do të drejtojnë, bardh e blutë dhe Luftëtari në pjesën e mbetur të kampionatit kanë ndryshuar timonierin, të paktën për pak kohë, pasi në të ardhmen gjithcka mund të ndodhë.

Pas rezultateve negative në Kupën e Shqipërisë, saktësisht humbjes 4-0 me Kukësin dhe humbjes me Skënderbeun në Superligë, drejtuesit bardh e blu vendosën që të shkarkojnë trajnerin Artur Lekbello për të emëruar Alban Tafajn. Lekbello drejtoi bardheblutë shumë pak ndeshje pas largimit të Rubios drejt Vlorës.

Kështu rikthehet edhe njëherë në kampionatin shqiptar fenomeni i shkarkimit të trajnerëve në kohë rekord. Lekbello pak javë më parë erdhi si hero, ndërsa pa u mbyllur ndoshta muaji i dytë është larguar. Në Gjirokastër Nevil Dede i ka dhënë fund historisë duke u zëvendësuar nga Edi Martini. Martini, ish futbollist i Luftëtarit, rikthehet si trajner.

Presidenti i ekipit Flamur Bime bashkë me stafin drejtues vendosën të zgjidhnin Martinin pas disa kandidaturave në tavolinë. Humbja me Flamurtarin ishte deçizive për Deden.

(d.b/shqiptarja.com)