Burime për Report Tv bëjnë me dije se për herë të parë Rocco Vata, djali i ish-kapitenit të kombëtares shqiptare Rudi Vata, ka marrë ftesë për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi. 

19-vjeçari deri më tani ka përfaqësuar moshat e Irlandës, përfshirë U-21, por pas shumë diskutimesh dhe polemikash ka marrë ftesën e parë nga Alban Bushi, trajner i kombëtares U-21 të Shqipërisë.

Ftesa bëhet fjalë për dy ndeshjet miqësore të marsit, që është edhe kleçka e momentit në këtë çështje.

Burime pranë futbollistit nuk e mohojnë mbërritjen e ftesës së Shqipërisë U-21, por dyshojnë te qëllimi i saj. Ata i druhen faktit se kjo "është një ftesë për të larë gojën" dhe për t’i lënë topin në derë familjes Vata, pasi nuk kanë një projekt për futbollistit. 

Aktualisht përflitet se Kombëtarja A e Irlandës do ta ftojë Vatën për ndeshjet kualifikuese të botërorit në mars, por mbetet për t’u parë se si do të shkojë situata.