Rolet e Operës dhe Baletit
do të jepen me konkurs

Rolet e Operës dhe Baletit<br />do të jepen me konkurs
TIRANE- Teatri i Operës dhe Baletit ka nisur punën për sezonin artistik që do të fillojë me premierën e parë që në muajin shtator. Artistët janë përfshirë në audicione për dy shfaqjet e para, “Traviata” e Verdit dhe “Dasma e Figaros” e Moxartit. Për audicionet e këtyre veprave shfaqin interes artistë të brendshëm, emra të njohur të karrierës dhe artistë të jashtëm të TKOB-it, të cilët konkurrojnë për rolet që kërkojnë këto opera. Brenda studiove të teatrit po zhvillojnë audicione disa prej artistëve si Evis Mula e Ramona Tullumani. Ato punojnë për të marrë rolin e Violetës. Studentja Maria Prifti përgatitet me to për një rol jo pak të rëndësishëm, shërbyesen e Violetës, Annina-n.

Ajo thotë se mezi pret konkursin për pasur “një mundësi të tregojnë veten në skenë”. Për operën “Traviata” të Giuseppe Verdi-t, rolet për të cilat po zhvillohen audicionet janë Violeta Valery(soprano), Flora Bervoix, mikesha e Violettes (mezzosoprano), Annina, shërbyesja e Violetës, (soprano), Alfredo Germont (tenor), Giorgio Germont, babai i Alfredos (bariton), Gastone, Viskonti i Letorieres (tenor), Baroni Douphol (bariton), Markezi i Obigny (bas), Doktor Grenvil (bas). Sa i takon audicionit për operën “Dasma e Figaros” nga Mozart, rolet për të cilat do të përzgjidhen artistët janë: Konti i Almavives (bariton), Kontesha e Almavives (soprano), Susanna, nusja e ardhshme e Figaros (soprano), Figaro (bas-bariton), Cherubino, shërbyesi i kontit (soprano ose mexosoprano) dhe Marcellina (soprano).

Mësohet se edhe regjisorët do të merren në konkurrim, ku një nga kriteret që iu kërkohet është që pjesën krijuese të trupës ta ngremë me forcat krijuese shqiptare. Me përfundimin e audicioneve pritet të shpallen dhe emrat fitues të artistëve që do të jenë pjesë e këtyre kryeveprave botërore. Një vendim ndryshe nga herët e tjera do të ndryshojë të gjithë konceptin e bashkëpunimit të artistëve të operës dhe baletit me drejtorinë e TKOB-it. Drejtorja artistike e TOB, Abigeila Voshtina, pohon se “politika e Teatrit të Operës dhe Baletit po shkon drejt ndërtimit të repertorit me zërat e rinj më të mirë vendas”. Gjithashtu juria përbëhet edhe nga tenori i rikthyer në atdhe Josif Gjipali. Gjipali ka pasur një karrierë të suksesshme në skenat e Evropës duke luajtur rolet me të rëndësishme të tenorit në operat e mëdha.

Ai ka debutuar në operën e La Scala-s, Milano, si dhe në të gjitha skenat me prestigjioze të Evropës në rolet e operave si "Trovatore", "Traviata", "Ballo me Maska", "Bohema", "Turandot", "Toska", "Norma", etj. Audicionet pas këtij vendimi të ri të udhëheqësve të institucionit do të zhvillohen për të gjitha veprat që do të vihen ne skenë, dhe me përfundimin e audicioneve juria e sipërpërmendur do të shpallë emrat fitues të artistëve që do të jenë pjesë e veprave që do të ngjiten në skenë. Edhe artistët e njohur, të cilët veprat “Traviata” e “Dasma e Figaros” i kanë i kanë interpretuar vite më parë, pavarësisht se i njohin mirë këto role do t’i nënshtrohen konkursit.
 
Disa nga veprat e sezonit që do të ngjiten në skenë
 
Opera “Traviata” pritet të ngjitet në skenë në datën 22 shtator, por para kësaj date nuk do të mungojë për publikun dhe një koncert. Sipas drejtoreshës artiske, Voshtina, TKOB do të ketë një sezon artistik me shfaqje baleti, opera dhe koncerte, duke nisur nga puna që në ditë e para të muajit shtator. Drejtuesit e TOB pohojnë se tani kanë nisur nga puna për dy premierat, ndërsa më vonë do të zhvillohen audicione të tjera për shfaqjet që vijnë si pjesë e sezonit artistik. 

Kalendari artistik për këtë sezon do të ketë disa opera dhe balete si “Traviata”,  “La Boheme” dhe “Toska” nga Puccini, “Così fan tutte” nga Mozart etj. Do të rikthehet baleti “Coppelia”, ndërkohë që do të ketë shumë premiera baletesh, si "Midis Vienes dhe Salzburg" me pjesëmarrjen e balerinit shqiptar Eno Peci, baleti "Table", baleti "Impact" i koreografit Daniel Cardioso dhe “Risveglio dell'umanità" me pjesëmarrjen e koreografeve Stefanescu/Cosi, dhe të balerinit shqiptar Dorian Grori.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Prishtinë, 41-vjeçarja ndërron jetë pas dhunës nga bashkëshorti! Qëndroi 3 ditë në koma

E rëndë në Prishtinë, 41-vjeçarja ndërron jetë pas dhunës nga bashkëshorti! Qëndroi 3 ditë në koma