Roli i vërtetë i Thomsonit për
të “qetësuar” jugun shqipta

Roli i vërtetë i Thomsonit për<br />të “qetësuar” jugun shqipta
Çfarë u bisedua në takimin e 15 marsit 1914 në Korfuz mes Thomson-it dhe Karapanos. Çfarë kërkesash parashtroi Karapanos dhe çfarë lëshimesh bëri Thomson-i, në drejtim të xhandarmërisë, lirisë fetare e arsimore...

Në valën e debateve historike, është përfshirë këto ditë roli i kolonelit hollandez Lodewijk Willem Johan Karel Thomson  gjatë ushtrimit të detyrës si Komisar të Përgjithshëm të Jashtëzakonshëm për distriktet e Korçës dhe të Gjirokastrës, ku ishte emëruar më 9 mars 1914 nga Princ Vidi. Si në çdo debat të kësaj natyre, zhvilluar  dendur viteve të fundit, edhe roli i kolonel Thomson-it është parë nën dritën e kundërshtive të forta.
Sa i takon këtij personazhi, një qasje mjaft të veçantë e të mirëargumentuar, e gjejmë në librin e  Dr. Ledia Dushkut “Kur Historia ndau dy popuj - Shqipëria dhe Greqia 1912-1914”, prej nga kemi zgjedhur pjesën e mëposhtme kushtuar bisedimeve Thomson-Karapanos në takimin e 15 marsit 1914.
 
Ishte 7 marsi i vitit 1914, kur Princi i Shqipërisë, gjermani i besimit protestant, Ëilhelm von Wied, vuri këmbë në portin e Durrësit. Vështirësia kryesore që Princi hasi me të mbërritur, ishte pamundësia e ushtrimit të sovranitetit në të gjithë territorin e shtetit shqiptar. “Lëvizja Vorioepirote” e aktivizuar në territoret jugore dhe prania e trupave grekë ishin pengesat kryesore të shtrirjes së atributeve qeverisëse në ato krahina. Në përpjekje për të zgjidhur situatën në Jug, Princi emëroi më 9 mars 1914, kolonelin holandez, Lodewijk Willem Johan Karel Thomson si Komisar të Përgjithshëm të Jashtëzakonshëm për distriktet e Korçës dhe të Gjirokastrës.

Ish deputet në parlamentin e Holandës, Thomson-i ishte nënkryetar i misionit holandez për organizimin e xhandarmërisë së shtetit shqiptar. Misioni i krijuar me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, pas refuzimit të suedezëve, kryesohej nga gjenerali holandez me përvojë, De Veer. Si komandant i xhandarmërisë shqiptare për Jugun, pretendohej se Thomson-i e njihte mirë gjendjen aty. Për të e vetmja rrugë për të rifituar Epirin ishte diplomacia, kjo sepse ai dyshonte se “ne [shqiptarët] ishim kundër diçkaje më të fortë se forcat tona të vogla dhe të pajisura keq”. Në dekretin e emërimit vihej në pah dëshira e shtetit shqiptar për të ushtruar të drejtën e sovranitetit, të njohur nga Fuqitë e Mëdha, dhe për t’u “shpënë banorëve të atyre viseve regjimin e barazisë dhe të drejta themelore për çdo qytetar”.

Dekreti i jepte Thomson-it fuqi të plotë për të siguruar rendin dhe funksionimin e mirë të degëve të ndryshme të qeverisë shqiptare në Shqipërinë e Jugut, menjëherë pas largimit të trupave grekë nga distriktet e Korçës dhe të Gjirokastrës. Qeveria greke, e cila në vazhdimësi i kishte përshtatur kërkesat e saj në varësi të qëndrimit të Fuqive të Mëdha, në momentin e mbërritjes së Wied-it, synonte që në Shqipërinë e Jugut të mbërrihej në akordimin e një lloj autonomie administrative; në përfshirjen e elementëve lokalë në xhandarmëri dhe, së fundmi, që garancitë administrative të ishin aq oportune, sa të eliminonin ose kufizonin çdo lakmi eventuale për ndërhyrje nga ndonjë Fuqi e Madhe e interesuar.

Duke mos shpresuar në zgjidhje të kënaqshme nga ana e autoriteteve shqiptare, Athina zyrtare dëshiroi plotësimin e kërkesave të mësipërme nga Fuqitë e Mëdha, në kuadrin e përgjigjes që ato duhej t’i jepnin notës greke, të 21 shkurtit të vitit 1914. Në fillim të marsit, ende pa mbërritur Princi në Durrës, Athina u kërkoi Fuqive t’i kthenin një përgjigje të shpejtë, veçanërisht mbi atë pjesë të notës, ku ajo kërkonte të drejta për “vorioepirotët”. Në rolin e fuqisë ndërmjetëse për kërkesat saj, ajo dëshiroi Britaninë e Madhe, por kjo e fundit e konsideroi të pavend të luante një rol të tillë. Në telegramin që sekretari i Punëve të Jashtme, Grey, i dërgoi ministrit grek në Londër, njoftonte se qeveria e tij “është në pritje të komunikimit nga Austro-Hungaria dhe Italia para se të bëjë ndonjë propozim”.

Deklarata britanike përforcoi bindjen greke se rruga për të zgjidhur sipas interesave të saj “çështjen e Vorio Epirit”, kalonte përmes Vjenës dhe Romës. Për këtë arsye, Athina vazhdoi t’u kushtonte kujdes të posaçëm kontakteve me dy kancelaritë e mësipërme. Nga ana e tyre, Fuqitë e Adriatikut më 8 mars 1914, i nisën një notë të përbashkët Ministrisë së Jashtme greke, që teknikisht nuk ishte gjë tjetër veçse përgjigjja që Austro-Hungaria dhe Italia po i kthenin notës greke të shkurtit.

Ato nuk pranonin ndryshim të kufirit në zonën e Korçës, sepse ai “ishte në kundërshtim me vendimet e Londrës dhe do të qe ekskluzivisht në dëm të Shqipërisë”. Në mbështetje të asaj çka ishte biseduar në janar me kryeministrin grek Venizelos, ishte i mundshëm një rektifikim kufitar në zonat e tjera jugore, por edhe ky i kushtëzuar. Realizimin e tij dy kabinetet do ta merrnin në shqyrtim sapo trupat grekë të kishin zbrazur territorin që i është dhënë Shqipërisë. Nga ana tjetër, ata mbështesnin garantimin e lirisë së plotë të besimeve dhe përdorimit të gjuhës greke, krahas asaj shqipe, për popullsinë greke në Shqipëri. Vjena dhe Roma deklaronin gatishmërinë e tyre për të marrë në konsideratë dhe për të përkrahur pranë Princit edhe kërkesën për pranimin e elementëve të aftë grekë të Shqipërisë së Jugut në xhandarmërinë shqiptare.

Nota entuziazmoi qeverinë greke, e cila avancoi më tej duke kërkuar që Të Mëdhenjtë të ndërhynin edhe në çështjet e administrimit të brendshëm të Shqipërisë. Por, Austro-Hungaria nuk e shihte të pëlqyeshme që Fuqitë të merreshin hollësisht me çështje që kishin të bënin me administrimin e Shqipërisë, të cilat me të drejtë, i konsideronte si kompetenca të qeverisë shqiptare. Ajo këshilloi homologen e saj greke që “t’i drejtohej vetë Princit”, sepse çështja e pozitës së “epirotëve” brenda shtetit shqiptar nuk varej nga Fuqitë e Mëdha. Çdo ndërhyrje nga ana e tyre do të thoshte marrje nëpër këmbë e sovranitetit të shtetit shqiptar.

Nën trysninë e këtij qëndrimi, qeveria greke kishte një arsye më shumë për të vendosur marrëdhënie të drejtpërdrejta me Wied-in. Me anën e tyre ajo mund të influenconte pranë autoriteteve shqiptare, jo vetëm në çështjet e administrimit të brendshëm, por edhe për të njohur e legjitimuar autoritetin e diskutueshëm të “qeverisë së Vorioepirit”. Zhvillimi i bisedimeve me Zografosin, ishte hapi i parë për njohjen e qeverisë së tij si palë nga autoritetet shqiptare. Zgjidhja e “çështjes së Epirit të Veriut” sipas dëshirës së popullsisë së atjeshme, konsiderohej prej saj si pengesa e vetme për lidhjen e marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë.

Zbatuesi i kësaj politike ishte një nga funksionarët më të mirë të shtetit grek, ish-prefekti i Korfuzit, Kostandin Varatasis, i dërguar që në fund të shkurtit në Shqipëri, si delegat special i qeverisë greke për të negociuar me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, mbi procedurat e evakuimit. Varatasis shquhej për natyrën e tij bashkëpunuese me shqiptarët. Në raportet e konsujve, delegati grek konsiderohej mendjehollë, administrator me përvojë dhe fjalëpak, por mbartës i ideve shoviniste. Pavarësisht karakterit të emërimit, fillimisht ai u kujdes pak për të negociuar me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, ndërsa punoi fort për të vendosur marrëdhënie mirëbesimi të drejtpërdrejta mes Greqisë dhe Princit. Delegati grek tregohej përbuzës ndaj shërbimeve të Komisionit dhe kishte prirje të pakësonte rolin e tij. Në kushtet kur Fuqitë nuk kishin unifikuar qëndrimet, sigurisht që ishte më e lehtë të merreshe vesh me një njeri, sesa me gjashtë anëtarë të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, prapa të cilëve në marrjen e vendimeve ishin qeveritë përkatëse.

Varatasis depërtoi shpejt te Princi, falë edhe terrenit të përshtatshëm që Oborri rumun i kishte krijuar nëpërmjet këshillave që i kishte dhënë Wied-it. Delegati grek e “ndihmoi” Princin të bindej përfundimisht për të hyrë në marrëveshje të drejtpërdrejtë me qeverinë e Zografosit. Prej konsullit francez në Korfuz, pretendohej se edhe emërimi i kolonelit holandez në detyrën e lartë ishte bërë me nxitjen e tij. Nëpërmjet emërimit të Thomson-it, Greqia synonte që dëshirat e saj të gjenin vend, jo vetëm tek autoritetet shqiptare, por edhe të mbizotëronin ndaj dëshirave të delegatëve të Fuqive të Mëdha në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit. Në relacionet e kohës, marrëdhëniet mes Thomson-it e Varatasis-it raportoheshin të afërta dhe komisari i sapoemëruar konsiderohej nën ndikimin grek.

Në realitet, marrëdhëniet e këtij të fundit me Greqinë ishin më të hershme. Në nëntor 1912, Thomson-i kishte mbërritur në Athinë si atashe ushtarak i dërguar në Ballkan, i caktuar vëzhgues në anën e grekëve. Në atë kohë, koloneli holandez krijoi një miqësi të fortë me kryeredaktorin e gazetës greke Ethos, Costandin Ladopoyos, i cili dallohej për doza të larta nacionalizmi. Po ashtu, konsulli francez në Korfuz pretendonte se Thomson-i frymëzohej “pak si shumë nga dëshirat e popullsisë epirote dhe nuk shqetësohej aq sa duhej ndaj dëshirave të qeverisë shqiptare për ruajtjen e integritetit të vendit”. Nuk hezitonte të deklaronte se ishte i gatshëm të bënte lëshime të gjera për popullsinë e Shqipërisë së Jugut, përderisa besonte në sinqeritetin e qeverisë greke, në lidhje me evakuimin e ushtrisë nga territoret e shtetit shqiptar. Për sa më sipër, interesimi i Varatasis-it pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit për ta njohur si të vlefshëm emërimin e Thomson-it, qe i madh.

Nga Durrësi në Korfuz
Një ditë pas emërimit, më 10 mars 1914, Komisari i Jashtëzakonshëm u nis nga Durrësi në drejtim të Korfuzit për të marrë informacione për gjendjen në Jug dhe për të hyrë në bisedime me Zografosin. Po në të njëjtën kohë, në drejtim të ishullit udhëtoi edhe delegati special grek, Varatasis. Me të mbërritur në Korfuz, Thomson-i kontaktoi me të dhe i kërkoi të bënte ndërmjetësin, duke i telegrafuar Athinës në emër të tij. Venizelosi u përgjigj shpejt dhe siguroi të tëra lehtësirat për zhvillimin e bisedimeve. Ai autorizoi Varatasis-in të zgjidhte me kolonelin holandez çdo pengesë që mund të shfaqej në lidhje me lirimin e territorit dhe po ashtu të ndërmjetësonte për “marrëveshjen e Kompetentit [Thomsonit] me z. Zografos, duke marrë çdo masë të nevojshme”. Sakaq, Varatasis kontaktoi me Jorgos Zografos-in, kryetarin e qeverisë së vetëshpallur të “Epirit të Veriut” duke e ftuar atë të hynte në bisedime me Komisarin e Jashtëzakonshëm.

Takimi u realizua më 15 mars 1914. Zografos-i nuk mori pjesë në bisedime. Ai i kishte dhënë mandat përfaqësimi ministrit të Jashtëm të së ashtuquajturës qeveri të Epirit autonom, nipit të tij, Aleksandros Karapanos-it. Takimi i Thomson-it me Karapanos-in u zhvillua në prani të delegatit, Varatasis. Pasi paraqiti një ekspoze mbi gjendjen në Jug, Karapanos-i kërkoi nga qeveria shqiptare “pavarësi mbi bazë autonominë”, çka nënkuptonte një autonomi tejet të zgjeruar analoge me atë të Hungarisë në shtetin austro-hungarez; dy guvernatorë zviceranë ose holandezë, një për Korçën e një për Gjirokastrën; formimin e një Këshilli nën secilin guvernator; xhandarmëri lokale; liri të plota për shkollat greke; liri në përdorimin e fesë; përjashtimin e krahinës së Himarës nga sistemi i taksave.

Në raportin dërguar qeverisë shqiptare, Thomson-i njoftonte se e kishte kundërshtuar në mënyrë të prerë kërkesën për autonomi, sepse “nuk mund të pranoja parime të tilla, të cilat shkatërrojnë themelet e shtetit tonë të ri”. Në takim, ai kishte deklaruar dëshirën e tij për të arritur një marrëveshje liberale mes palëve, me një afat prej pesëdhjetë vjetësh, e cila sipas tij, do të shmangte kasaphanën që do të shkaktohej nga urrejtja mes shtetasve shqiptarë.

Duke pretenduar se kishte fuqi të plota, Komisari i Jashtëzakonshëm propozoi “përfaqësim krahinor proporcional për Shqipërinë e Jugut”. Krahinat jugore ndaheshin në dy distrikte, atë të Korçës dhe të Gjirokastrës. Në krye të çdo distrikti do të emërohej një guvernator. Nëse Zografos-i pranonte propozimet, Thomson-i merrte përsipër ta propozonte atë në postin e guvernatorit të Gjirokastrës. Organizimi i distrikteve do të bëhej nga Asambleja Krahinore, që do të kishte seli të lëvizshme, herë në Gjirokastër e herë në Korçë. Asambleja Krahinore, në marrëveshje me Komisarin e Përgjithshëm të Jashtëzakonshëm, i cili ishte përfaqësues suprem i shtetit shqiptar dhe drejtues i punimeve të saj, duhej të studionte gjithçka që ishte e dobishme për administrimin e Shqipërisë së Jugut.

Xhandarmëria shqiptare duhej të ishte unike, por detashmentet e saj, që do të përdoreshin në Shqipërinë e Jugut, do të kishin në përbërje të tyre sa të ishte e mundur xhandarë me origjinë nga krahinat jugore. Njësitë e xhandarmërisë në Jug do të përbëheshin nga të krishterë dhe myslimanë, numri i të cilëve do të ishte në përpjesëtim me numrin e popullsisë. Propozimet jepnin të drejta të barabarta për të gjitha besimet fetare dhe liri arsimore, të shoqëruara me detyrimin për të mësuar gjuhën shqipe. Për të penguar propagandën, do të vepronin Këshillat Lokalë, të cilët duhet të mbikëqyrnin funksionimin e shkollave.

Në stadin fillestar në të cilin ndodhej shteti shqiptar, propozimet e Thomson-it nuk ishin të favorshme nga pikëpamja e forcimit të unitetit shtetëror. Ato krijonin një provincë të privilegjuar, aq sa diplomatë të Fuqive të Mëdha në Shqipëri e konsideronin me të vërtetë të pavarur. Në parim, koloneli holandez pranonte autonominë e krahinave jugore, duke njohur vetëm një varësi formale të tyre nga shteti shqiptar. Forcimi i unitetit të shtetit shqiptar ishte i vështirë të arrihej edhe sepse Komisari i Jashtëzakonshëm u rekomandonte autoriteteve vendimmarrëse të shtetit shqiptar, që, “nëse lëshimet e propozuara për krahinat e Jugut pranoheshin, ato duhej t’u jepen edhe krahinave të tjera të tij [shtetit shqiptar]”.

Adaptimi i një Asambleje Krahinore, atributet e së cilës ishin identike me ato të Asamblesë Kombëtare, që Statuti Organik i Shqipërisë do të parashikonte një muaj më vonë, përbënte një lloj vetëqeverisjeje lokale, një decentralizim administrativ për të ardhur keq, madje të rrezikshëm duke marrë parasysh qëllimet finale të drejtuesve të “vorioepirotëve” për shkëputje nga shteti shqiptar dhe bashkim me Greqinë. Edhe liria e arsimit përbënte një privilegj po kaq të rrezikshëm për shtetin shqiptar. Në kushtet kur Shqipëria kishte pak mundësi të pajiste shkollat me personelin mësimor të nevojshëm, ato do të vazhdonin të ishin nën ndikimin e propagandës greke. Pavarësisht krijimit të Këshillave Lokalë, propaganda nuk kishte mundësi që të frenohej, sepse nuk mund të shmangej dominimi i Këshillave nga elementë nën ndikimin grek.
 
“Tërmet” në Durrës: qeveria shqiptare rrëzon propozimet e Komisarit të Përgjithshëm për Jugun
Propozimet që Thomson-i i bëri Karapanos-it me gjasë nuk kanë qenë të konsultuara me Princin dhe qeverinë shqiptare, e cila u formua më 14 mars 1914, kohë kur ai gjendej në Korfuz. Sipas diplomatit austro-hungarez, August Kral, ata u vunë në dijeni sapo Komisari mbërriti në Gjirokastër, pasi kishte lënë ishullin e Korfuzit. Më 23 mars 1914, qeveria shqiptare u mblodh për të diskutuar propozimet e Thomson-it. Komisari i Lartë u gjend nën kundërshtimin e ashpër e të vendosur të qeveritarëve shqiptarë.

Për shkak të temperamentit të rrëmbyer dhe luftarak, ai nuk mundi ta ruante gjakftohtësinë, duke ndezur edhe më shumë debatin. Ndërhyrja e matur e kryeministrit, Turhan pashë Përmetit, arriti të qetësonte situatën. Thomson-i u akuzua se kishte tejkaluar kuadrin e mandatit të akorduar me dekret mbretëror dhe lëshimet që ai u kishte propozuar vorio-epirotëve, u hodhën poshtë. Po në të njëjtën ditë, kryeministri shqiptar i kërkoi Wied-it “ta shkarkojë nga funksionet e komisarit, kolonelin Thomson, në mënyrë që qeveria mbretërore të ruajë krejt indipendencën për ta trajtuar çështjen në konformitet me interesat e vendit”. Princi komunikoi vetëm suprimimin e postit të Komisarit të Përgjithshëm të Jashtëzakonshëm për distriktet e Korçës dhe të Gjirokastrës, mesa duket për të ruajtur ekuilibrat e brishtë dhe për të mos humbur bashkëpunimin e oficerëve holandezë. Ndërkohë bisedimet me Zografos-in u ndërprenë.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i qeverisë greke. Duke iu referuar historianit grek Vasil Kondis, ajo “me t’u njoftuar për propozimet e Thomson-it, arriti në përfundimin se Zografosi duhej t’i pranonte ato tërësisht”. Por, në telegramin që kryekonsulli austro-hungarez i dërgoi ministrit të Jashtëm, më 25 mars 1914, pretendohet se qeveria greke i kishte konsideruar të diskutueshme propozimet e Thomson-it. Në pritjen javore, organizuar me ministrat e Fuqive të Mëdha në Athinë, ministri i Jashtëm grek, Streit deklaroi se propozimet e palës shqiptare “njohin vetëm një pjesë të privilegjeve. Ato nuk mjaftojnë për të paqësuar banorët”. Ai kërkoi shpejtimin e përgjigjes së Fuqive të Mëdha ndaj notës greke të shkurtit, si një mundësi për të qetësuar popullsinë. Nga ky komunikim kupton se qeveria greke ishte duke i përdorur bisedimet me qëllimin e vetëm për t’i shtyrë Fuqitë e Mëdha që t’u kthenin përgjigje pozitive kërkesave të saj të shkurtit 1914.

Në deklarimet e saj të vazhdueshme, qeveria greke mbështeti vendosjen e një administrate lokale në Shqipërinë e Jugut, të ndarë në distrikte. Drejtimi i tyre duhej t’i besohej guvernatorit, të zgjedhur sipas shumicës së popullsisë, duke shtuar një autoritet ortodoks, atje ku guvernatori ishte mysliman dhe një autoritet mysliman, atje ku guvernatori ishte ortodoks. Xhandarmëria duhet të ishte lokale dhe të përdorej vetëm në distriktet prej nga ishte rekrutuar. Një sistem i tillë nuk i shërbente bashkimit dhe harmonizimit të shtetasve shqiptarë, por shtonte dallimet mes tyre.

Si i tillë, ai mbarte pasoja të rrezikshme për unitetin brenda shtetit. Ajo çka synonte të realizonte qeveria greke kishte të bënte me kufizimin e sovranitetit dhe të drejtës së vetëvendosjes së Shqipërisë. Shqetësim për të, duhet të ketë qenë fakti, se propozimet e Thomson-it nuk i garantonin Greqisë të drejtën e interesimit aktiv për ortodoksët e Shqipërisë, tashmë dëshirë e deklaruar e saj. Nisur nga ky interes, ajo i kërkoi Austro-Hungarisë dhe Italisë të merrnin përsipër angazhime karshi një të treti [nënkupto: Greqinë], për organizimin e brendshëm të shtetit shqiptar. Pranimi i kësaj kërkese i jepte Greqisë në dorë argumentin për t’u përzier në punët e brendshme të Shqipërisë. Ajo kufizonte sovranitetin dhe të drejtën e vetëvendosjes së shtetit shqiptar për çështje të administrimit të brendshëm.
 
*)Qendra e Studimeve Albanologjike
Instituti i Historisë
Tiranë

gjeneral thomsoni
















gjeneral thomsoni



















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit