TIRANE - Për të dytën ditë përfaqësuesit e komunitetit rom kanë protestuar që në orët e para të mëngjesit pranë godinës së Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Ata i bënë thirrje titullarit të këtij institucioni që të mbajë premtimet e dhëna për tu garantuar një vend strehimi, drita dhe ujë.

“Duam një përgjigje nga ministry. I thamë, por ai s’na dha asnjë lloj shprese, ai tha do fus policinë që t’i marri me dhunë në rajon dhe t’i jap nga një dajak, asnjë shpresë nuk do jap për ta, do i marrim me dhunë tha. Nuk më la të futem brenda.”, shprehet një grua rome.

I pyetur nga gazetarja e Televezionit A1Report, Genta Haxhiu se si do të veprojnë më tej mbi këtë situatë, ata shprehen: “Ne këtu do rrimë, do shtrimë kalamajtë në rrugë do bllokojmë xhaden derisa të dali e drejta jonë. Nuk lëvizim fare.”

Një pjesëtar i komunitetit rom thotë: “Shtëpitë t’i kemi tonat me dokumenta, vendin e punës, drita, ujë, ushqimin kaq kërkojmë asgjë më tepër. Kena dy vjet që vuajmë.”

Ndërkaq, ata ndihen edhe të diskriminuar nga shoqëria e politika duke u shprehur se dallimi racial është mjaft i dukshëm.

“Këtu në Shqipëri ka dallim racial, këtu romët nuk i përfill njeri. Sa i vemi ne na shajnë, na ofendojnë, na godasin.”

Në pamundësinë për të mbajtur takimin me ministrin Spiro Ksera dhe në mungesë të një përgjigjeje për kërkesat, komuniteti rom i është drejtuar sërish Avokatit të Popullit.

(gh/Gre.M/Shqiptarja.com)