Napoli i ka dhënë një goditje të fortë Romës në luftën për zonën “Champions” pasi të besuarit e Anchelotti-t i kanë mposhtur me shifrat 1-4 verdhekuqtë në ndeshjen e vlefshme për javën e 29 të “Seria A”.
Për të parë golin e parë në “Stadio Olimpico” u deshën më pak se 2 minuta, pasi Milik fillimisht bëri një marje të përkryer topi dhe më pas me një gjuatje potente e dërgoi atë në rrjetë. Gjithsesi në fundin e pjesës së parë Roma do të gjente forcat të barazonte me Perroti-n që ekzekutoi mjështërisht një penallti të fituar nga Schick.
Nuk u desh shumë as në fraksionin e dytë të lojës për të parë Napolin sërish në avantazh, me Mertens që pas asist të Callejon bëri më të thjeshtën duke dërguar topin në rrjetë. Vetëm pak çaste më pas ekipi i drejtuar nga Ranieri mori një goditje të fortë pasi Napoli shënoi golin e tretë me Verdi-n. Në fund, për të stampuar shifrat përfundimtare mendoi Younes.
Në “Premier League” Chelsea ka marrë një fitore mjaft të vuajtur kundër Cardiff. Skuadra e drejtuar nga Sarri me fillimin e pjesës së dytë e pa veten në disavantazh, ndërsa për të rikthyer edhe një herë baraspeshën u desh të kalonin mjaft minuta. Ekzaktësisht në të 84-n Azpilicueta i dërgoi shifrat në 1-1, ndërsa në kohën shtesë 18-vjeçari Loftus-Cheek përmbysi gjithçka dhe sigloi tre pikët për Chelsea-n.