Roma ka mundur ekipin e Fiorentinës me rezultatin 2-1 duke qenë vetëm tre pikë larg ekipit të Juventusit që kryeson kampionatin italian të futbollit.

Golat për ekipin e Romës janë shënuar nga Maikon dhe Destro, ndërsa për vjollcat ka shënuar Vargas.

Lazio fundoset cdo javë e më shumë në krizë, këtë herë ka qenë radha e ekipit të Torinos që të mposhtë lacialët me rezultatin minimal 1-0.

Sampdoria ka fituar me Katanian, Verona me Atalantën, ndërsa Sasuola me Kievon.

Mbrëmja ka qenë e gjitha për sfidën mes Interit dhe Parmës, e cila ka dhuruar shumë emocione, gola dhe spektakël, por në fund është ndarë në paqe 3-3.

Miqtë kalojnë të parët në avantazh me Sansonen, por Palacio ka barazuar në 1-1. Parma nuk dorëzohet duke shënuar sërish dhe kaluar në avantazh me Parolon.

Interi barazon me Palacion 2-2, teksa Guarin kalon Interin për herë të parë në avantazh, por nuk ishte e thënë që të mbante shumë kohë avantazhin, pasi Sansone barazon përsëri në 3-3.  

Në kampionatin anglez të futbollit e gjithë vëmendja e së dielës ka qenë përqendruar te ndeshja mes Arsenalit dhe Evertonit e zhvilluar në ‘Emirates Stadium’.

Arsenali nuk ka përfituar nga humbja e Çelsit për t’u shkëputur 7 pikë larg, por është ndaluar në barazim 1-1.

Fitorja ka qenë shumë pranë për ‘topçinjtë’ pas golit të Ozil në të 84’, por miqtë barazojnë duke i mohuar tre pikët ekipit të Venger, që tashmë ndodhet +5 nga vendi i dytë.



db/shqiptarja.com