Roma është fitues i kryendeshjes së javës së 25-të në Serie A. Verdhekuqtë kanë fituar 1-0 kundër Juventusit në Stadiumin ''Olimpico'' falë një goli të kapitenit Totti.

Gjysma e parë e takimit ishte e zbehtë për sa i përket rasteve dhe i tillë ishte edhe rezultati. Mund të përmendet vetëm gjuajtja e lirë e Pirlos, e cila u mbrojt nga portieri i Romës Maarten Stekelenburg.

Në fillim të pjesës së dytë, Pogba krijoi një rast për Vucinici, mirëpo ky i fundit dështoi t’i shënonte ish-skuadrës së tij.

Në vazhdim, Buffon ia mohoi golin Osvaldos, por nuk mund ta ndalë goditjen  e kapitenit. Pjanic dërgoi një kros të ulët drejt zonës, topi u bllokua nga futbollistët e Juves dhe arriti te Francesco Totti, i cili me një predhë la të pashpresë portierin Buffon në minutën e 58’.

Juventusi mbetet në krye të tabelës me pesë pikë më shumë se Napoli që me një fitore ndaj Sampdorias mund ta ngushtojë diferencën në dy pikë.

Roma ngjitet në vendin e shtatë me shtatë pikë nga vendi i tretë i kuqezinjve të Milanit.

(b.m/shqiptarja.com)