/ATSH-DPA/ - Italia do t'i bashkohet koalicionit ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik (ISIS) duke zhvilluar sulme ajrore kundër pozicioneve të ISIS-it në Irak, raportoi sot media italiane.
Sipas të përditshmes "Corriere della Sera", "avionët luftarakë italianë që ndodhen në Kuvajt do të urdhërohen gjatë orëve në vijim të bombardojnë objektiva të përbashkëta me komandën amerikane në Irak, por jo në territorin sirian".
Nga ana tjetër Ministria italiane e Mbrojtjes, e përgënjeshtroi këtë raport duke u shprehur se "sulmet ajrore janë thjesht një hipotezë që po diskutohet me aleatët tanë dhe nuk është marrë ende një vendim, që në çdo rast duhet të kalojë nga Parlamenti".
Ky raport në median italiane ishte publikuar disa orë para vizitës në Itali të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter.
Carter pritet të vizitojë bazën ushtarake amerikane në Siçili, të takohet me ministren italiane të Mbrojtjes, Roberta Pinotti dhe me presidentin Sergio Mattarella në Romë.