Roma, qyteti i përjetshëm,
në guidë me Valbona Sulçe

Roma, qyteti i përjetshëm,<br />në guidë me Valbona Sulçe
Kur Rovena, redaktorja e “Fundjava”, më propozoi të shkruaja një guidë të shkurtër për Romën, sytë i kisha ende të mbushur me pamjet e Qytetit të Përjetshëm, aq sa çdo dritë majë kodre rrugës nga Rinasi në kthim më shëmbëllente me një Villa Borghese, Villa Farnesina, Villa Medici…………..
Vërtet Roma nuk u ndërtua në një ditë, po romakët e ndërtuan atë në mënyrë të tillë që të mund ta vizitosh për dy ditë! Vetëm me tre kushte ama: e para, të rezervosh gjithçka më parë: biletat, hotelin, muzetë (sidomos Vatikanin) si dhe të bësh paraprakisht planin e vizitës të ndarë sipas zonave. E dyta: të informohesh sa më shumë rreth vendeve që duhen vizituar dhe motit, dhe e treta: të vishesh sa më lehtë, këpucë e atlete të rehatshme dhe një vullnet të paparë për të ecur. Pasi t’i kesh bërë këto, je gati për në Romë.

Avioni ynë nisej në 6.15 të mëngjesit të së shtunës dhe kthimi ishte në 21.40 të së dielës. E përsosur! Në zgjedhjen e hotelit sërish online, u kujdesëm të gjenim një hotel afër qendrës, ose të paktën afër linjave të metrosë a të autobusëve. Me pak fat se ishte vigjilja e pashkëve, rezervuam një hotel afër Piazza Bologna me 130 euro, dhomë dyshe pa mëngjes plus 4 euro taksa. Nga aeroporti, stacioni i parë Termini, pika lidhëse e rrjetit metrobus të Romës. Mund të shkosh me tren, 14 euro personi ose me autobus 6 euro, vetëm se udhëtimi zgjat 20 minuta më shumë. Prerja e biletës ditore 4 euro për të lëvizur në çdo autobus dhe metro brenda orës 24.00. Do t’ju këshilloja udhëtimin me autobus duke qenë se sheh më shumë, dhe që distancat për t’u përshkuar me metro nuk janë dhe aq shumë të gjata.

Meqënëse parashikimi I motit ishte me shi, kishim planifikuar që ditën e parë t’ia kushtonim muzeve. I pari, Muzeu i Vatikanit, një ndër më të pasurit në botë. Kundrejt rradhës kilometrike, dhe pamundësisë për të patur biletat online ( ishin mbaruar), zgjodhëm shërbimet e një agjensie që ofronte tur dhe guidë me disa euro më tepër. Dy orë e gjysëm midis veprave më të bukura të artit për të mbërritur te e famshmja Kapela Sistina dhe për të dalë tek Bazilika e San Pietros, ku po bëheshin përgatitjet e fundit për ceremoninë e Pashkëve.

Prej aty, 5 minuta ju ndajnë nga kështjella Sant’ Angelo, një nga perlat e arkitekturës romake me formën e vet trerrethore. Tarraca e saj ta jep Romën në pëllëmbë të dorës, mbase njësoj si te Koloseu, por me më pak rradhë. Hyrja në muze 10 euro. Pas një pushimi të shkurtër në hotel, rinisim zbulimin e qytetit kësaj here nga Piazza Venezia, sheshi me monumentet madhështorë , vendi ku gjendet Palazzo Venezia që mban brenda muzeun kombëtar me të njëjtin emër dhe Camcioneve kryesore të Romës së lashtë e që për shekuj ka shërbyer si qendra e jetës publike romake. Në fund të rrugës së Foreve, shquhet cepi i Koloseut, nën një qiell të mahnitshëm.

Një ndalesë e vogël dhe prej andej drejt Via del corso për të pare shatërvanin më të famshëm në botë, Fontana di Trevi, Piazza di Spagna me shkallaret e famshme deri te Piazza del Popolo. Këtu mund të admironi Bazilikën e Santa Maria del Popolo, dizenjuar dhe modifikuar nga mjeshtra si Bramante, Raffaello dhe Bernini, brenda së cilës janë ruajtur vepra shumë të rëndësishme të Karavaxhos dhe Karaçit. Në qendër të sheshit ndodhet Obelisku Flaminio, vendosur me urdhër të perandorit Ottaviano Augusto dhe sjellë nga Egjipti në shekullin 10 para erës së re. Dita e dytë nis me një aksion të rëndësishëm për çdo turist fundjave: çlirimi nga bagazhet.

Në Termini mund të lini bagazhet tuaja kundrejt një tarife 1 euro për 5 orët e para dhe 0.70 për cdo orë të mëpasme. Sërish 4 euro për metrobus dhe nga Termini kthehemi ne Via del Corso për të parë, Pantheonin, ndërtesën e famshme dhe të ruajtur më mirë të Romës Antike. Pak metra më tej, gjendet Piazza Navona, por nëse keni kohë mund të hyni në kishën në Via del Seminario, pasi çdo kishë është një vepër arti më vete në Romë. Pas disa rrugicave të këndshme, shfaqet me gjithë madhështinë e saj Piazza Navona, ndërtuar mbi stadiumin e Domizianos me formën e saj ovale. Në qendër të sheshit qëndron shatërvani i famshëm i Katër Lumenjve i Berninit, përballë kishës së mahnitshme të Sant’Agnese in Agone, një vepër e mrekullueshme baroke e Borrominit.

Në pamundësi për të vizituar të gjitha vilat, vendosim të shkojmë tek villa Farnesina, rezidenca që strehon disa prej afreskeve origjinale të Rafaelos. Bankieri i pasur kishte shndërruar çdo dhomë të residences në një muze arti, bashkë me kopshtin e kuruar me shatërvanin e bukur në mes. Do donim të qëndronim edhe më të shijonim përëndimin, po duhet të nxitojmë për në aeroport, duke kaluar më parë në Termini ku kemi lënë bagazhet, duke prerë biletën në makinat automatike pa mbajtur rradhë dhe duke mërmëritur nën dhëmbë “Arrivederci Roma….”. Pse kot I hodhëm monedhat te Fontana di Trevi?

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Luna feston 2 mujorin e lindjes, Kiara publikon foton e ëmbël

Luna feston 2 mujorin e lindjes, Kiara publikon foton e ëmbël