Romani “Kukulla” i Kadaresë promovohet në Rumani

Romani “Kukulla” i Kadaresë promovohet në Rumani

Ismail Kadare

Më 10 maj në qytetin e Iasi në Rumani do të promohohet romani “Kukulla” i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, i përkthyer nga Marius Dobrescu.

Pas suksesit të letërsisë shqipe në Sibiu do të vazhdojë promovimi i autorëve shqiptarë edhe në Iasi. Me rastin e këtij promovimi do të mbahet një mbrëmje poetike me vargjet e poetëve Frederik Rreshpja, Ilirian Zhupa, Visar Zhiti, Dritëro Agolli, Skënder Rusi, Rita Petro, Bardhyl Londo, Ermir Nika, Luljeta Lleshanaku, etj.
Veprimtaria organizohet nga Shoqata Lidhja e Shqiptareve të Rumanisë dhe Shtëpia Botuese "Humanitas", më e rëndësishmja në Rumani. Në promovimin e romanit të Kadaresë do të flasin vetë përkthyesi Marius Dobrescu, Luan Topçiu dhe Marius Chelaru, deklaron studiuesi shqiptar Luan Topçiu.

Lajmërimi në rumanisht për recitalin

“Kukulla” u botua fillimisht si kapitull brenda librit “Mëngjeset në Kafe Rostand- motive të Parisit” dhe më vonë si roman më vete. Personazhi nuk është thjesht imazhi femëror apo portreti i nënës të cilën shkrimtari e përshkruan sipas imazhit të nënës së tij, por tashmë një simbol letrar, ku për disa kritikë mund të jetë edhe vetë simboli i Shqipërisë, por edhe ky në një funksion tërësisht mëmësor. 

“Kukulla” e Kadaresë, Nëna, mbështillet me dritën e misterit. Qenia e mbushur me kujtesën e çasteve të përjetuara që në foshnjërinë e njeriut deri në rritjen dhe plakjen e tij përgjithmonë kthehen tek ajo, duke mbetur aty në të kuptuarin e asaj, në një marrëdhënie të pafundme zhvillimesh.

Nëna, në romanin ‘Kukulla’ të Ismail Kadaresë është personazhi më mbresëlënës në tërësinë e imazheve femërore në gjithë veprën e tij. “Ishte sa e qartë, aq edhe e errët, njëherësh fëminore dhe pakohë, që të gjente gjithsesi të papërgatitur. Shkurt ishte stili i saj, kuptim e moskuptim bashkë, të bëra njësh, në jetë enë mos jetë.”, shkruan Kadare duke portretizuar personazhin.   Duke përshkruar kështu profilin e nënës së vet shkrimtari na drejton drejt kuptimit të sistemit të shenjave dhe kodeve që na drejtojnë përtej lidhjes organike nënë e bir, tek kuptimi i lidhjes së përhershme me origjinën, ku vendoset qenia njerëzore, ku ka lindur me gjuhën, mjedisin, kodet.  

Romani i Kadaresë në rumanisht

“Kukulla e Ismail Kadaresë, është Shqipëria e tij, dashuria pa kushte, Shqipëria e përjetshme, e cila është baza dhe boshti, shtrati dhe kuptimi i krejt veprës letrare të shkrimtarit. Kjo Shqipëri, tek Kukulla e Ismail Kadaresë, në romanin e tij të fundit, mbetet e jashtëzakonshme në letërsinë e tij.”, shkruan poetja Entela Safeti Kasi.

Në përgjithësi kritikët mendojnë se Shqipëria në veprën letrare të Kadaresë mbartet prej shkrimtarit me përjetësimin e saj, që për të është lëndë e pasosur, shpirtërore, psikike dhe fizike.

Marius Dobresku përkthyesi i 30 romaneve të  Kadaresë në Rumani.

Përkthyesi i shquar rumun është bërë tashmë një emër i njohur për letërsinë shqipe, pasi zëri ai u ka dhënë jetë veprave shqipe në Rumani, kryesisht veprave të Ismail Kadaresë. Ai ka një kontribut të jashtëzakonshëm për njohjen e kulturës shqipe në Rumani, me botimet e panumërta për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare, në një hark kohor për afro katër dekada. Falë tij lexohen në Rumani mbi 30 romane të Ismail Kadaresë.

Romani i parë i Ismail Kadaresë në gjuhën rumune ka qenë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 1973, me përkthim të Foqion Miçaços, përfaqësues i një familjeje të vjetër shqiptare në Bukuresht.

Ndërsa Dobresku e ka filluar përkthimin e veprave të Kadaresë me romanin “Kronikë në gur”, që u botua 10 vjet më vonë, në vitin 1983. Pastaj ka vijuar me “Kështjellën”, “Nëntorin e një kryeqyteti” e kështu me radhë. Deri më sot janë përkthyer rreth 40 vepra të Ismail Kadaresë në gjuhën rumune. Para dy vjetësh u botua në Rumani “Kamarja e turpit”, ndërsa një vit më parë doli një vëllim me 5 tregime e novela të Kadaresë, mes tyre “Qorfermani”, “Kisha e Shën Sofisë”, “Breznitë e Hankonatëve” etj.

Dobresku e çmon Kadarenë dhe letërsinë e tij. Ai ka thënë për të se “Kadare është shkrimtari më i mirë, më i madh. Është shkrimtari i  Ballkanit, sepse përfaqëson ballkanasit dhe, në fund të fundit, na përfaqëson edhe ne rumunëve, sepse kemi pasur histori të përbashkët. Përsa i përket çmimit “Nobel” Ismail Kadare duhet ta kishte marrë me kohë. Ballkani nuk e ka një shkrimtar të kalibrit të Kadaresë. P.sh sot ne në Rumani ne sot kemi një shkrimtar i përkthyer në shumë gjuhë, por nuk është në nivelin e Kadaresë. Nuk e them këtë sepse jam partizan i Kadaresë, po ky është një realitet që vjen edhe përtej Oqeanit.”

/er.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin