Romët hyjnë në banesat e reja, nis
kujdesi shëndetësor dhe shkollimi

Romët hyjnë në banesat e reja, nis<br />kujdesi shëndetësor dhe shkollimi
TIRANE-  Të 37 familjet rome, të cilat, që nga dita e sotme jetojnë në kushte normale në ish-repartin ushtarak të Shtishtufinës, që nesër do të pajisen me kartela shëndetësore; do t'i nënshtrohen analizave e njëkohësisht, fëmijët do t'u regjistrohen në kopshtet dhe shkollat e zonës.

Këtë risi për jetën e këtyre 300 qytetarëve nga më të varfrit e Tiranës, e bëri të ditur Ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj, që sot kishte me vete të tjerë ministra shoqërues.

Veliaj, sëbashku me Ministrin e Shëndetësisë Beqaj dhe atë të Arsimit, Nikolla,shoqëruar nga Avokati i Popullit Igli Totozani dhe Raportuesi i Komisionit Europian Nikola Vuljaniç kanë vizituar pasditen e sotme, banesat e reja të 37 familjeve rome në ish-repartin ushtarak nr.1005 të rikonstruktuar në Shishtufinë.

beqajFamiljet rome, që jetonin  tek Rruga e Kavajës, janë transferuar gjatë natës në ambientet e reja - banesat e përkohshme të tyre - deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

 Ministri Veliaj tha: "Jam i lumtur sot që bëmë diçka për 300 qytetarë shqiptarë dhe çliruam një hapësirë të qytetit; po ashtu, jam i gëzuar që puna në ekip tregoi se kur Qeveria do të realizojë diçka për qytetarët e saj, e bën.

Sot, bashkëpunimin do ta vazhdojmë me dy ministra të tjera, që kanë këtu përfaqësuesit e tyre: Ministrin e Shëndetësisë dhe të Arsimit. Ata do të kujdesen për shëndetin dhe regjistrimin e fëmijëve romë në shkolla.

Transferimin e tyre në mes të natës e bëmë për të shmangur një “cirk” në mes të natës, bujën e zhurmën.

BEQAJ: QE NESER, FAMILJEVE DO T'U HAPEN KARTELAT E SHENDETIT DHE DO TE BEJNE ANALIZAT

Ministri i Shëndetësisë Beqaj, nga ana e tij tha: "Unë jam këtu me bashkëpunëtorë të afërt të Shërbimit Parësor; do të fillojmë që nesër me çeljen e kartelave shëndetësore, do nisim me analizat biokimike, të urinës dhe feçes dhe po ashtu, kemi disa të sëmurë dhe nëna të reja shtatzanë, që do të marrin atë kujdes shëndetësor që marrin edhe banorët e tjerë të Tiranës.

romeNIKOLLA: FEMIJEVE DO T'U AFROHEN ARSIMIMI PRANE BANESES

Ministrja e Arsimit, Nikolla shtoi: "Ne do të jemi këtu që këtyre fëmijëve të mrekullueshëm t’u afrojmë një shërbim arsimor sa më pranë banesësi."

VELIAJ: NUK KEMI SHUME FONDE, POR KEMI SHUME VULLNET PER PUNE

Ministri Veliaj vuri në dukje se "Gjëja e parë që tregoi ky operacion është se duke pasur vetëm vullnet shtesë, jo fonde shtesë, mund të zgjidhim shumë probleme të qytetarëve. 

I sugjerojmë edhe Bashkisë së Tiranës që ta lehtësojë ndarjen e banesave sociale, me qëllim që të jetë nevojtari i vërtetë ai që do ndihmohet.

Ne jemi shtet modest, përtej dëshirës sonë ekziston edhe kushtëzimi ekonomik, por ka kontribues të tjerë që ndihmojnë. Ku ka vullnet ka rrugëdalje, sepse të tjerat janë me limit."

RAPORTUESI I KE, VULJANOVIÇ: KOMUNITETI ROM DO KETE EDHE MBESHTETJEN E BE

Raportuesi i KE-së, Nikola Vuljanoçiv, nga ana e tij tha se familjet rome do ta kenë mbështetjen e qeverisë, por edhe atë të BE-së.

DEBIMI I ROMEVE DHE JETESA NE TROTUAR

Për më shumë se dy muaj, romët jetuan në trotuarin e Unazës së Madhe,  ku kishin ngritur çadrat e tyre, pas dëbimit nga barakat e ngritura në zonën e ish- Ndërmarrjes së Dekorit, për shkak të ndërtimit të një kompleksi pallatesh.

"Tani jemi mirë. Shyqyr, ikëm nga rruga se jetonim me frikë. Kushtet i kemi të mira, s'kemi problem me asnjë. Për të punuar do të dalim në qytet si çdo herë. Banesat na i kanë regulluar mire, kemi dhe ruajtjen e policisë këtu."- thanë ata sot.

Zhvendosja e romëve është kryer nga Ministria e Mirëqenies Sociale nga ora  03:00 deri 05:00 të mëngjesit të sotëm për të shmangur trafikun e rënduar të ditës dhe aksidentet e mundshme. Sot në mëngjes, trotuari ku ata jetuan mbi dy muaj, ishte boshatisur.

Përfaqësues të këtij komunitetit shpresojnë që një ditë bashkia të ndajë dhe banesat sociale, pasi nuk janë vetëm këto familje në nevojë por më tepër se kaq.

Katër ditë më parë, (13 tetor) dy ministra të Qeverisë, Mimi Kodheli e Mbrojtjes dhe Erion Veliaj i Mirëqënies Sociale shoqëruar nga Avokati i Popullit Igli Totozani inspektuan ambientet e restauara, të ish-repartit 1005 në Shishtufinë, ku do bëhej strehimi i familjeve rome.

Të drejtat e romëve janë një nga 5 rekomandimet e Brukselit për Shqipërinë për të hapur negociatat, pasi Komisioni Europian rekomandoi dje dhënien e statusit të vendit kandidat për në familjen e madhe të Bashkimt Europian.
 
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë