Romët kundërshtojnë regjimin
e Hoxhës, arratisen në mesnatë

Romët kundërshtojnë regjimin<br />e Hoxhës, arratisen në mesnatë
Nga fundi i korrikut 1947 e deri në dhjetor të atij viti, çështja e arixhinjve që vijonin të bënin jetë nomade dhe e ajo e lypësve të rrugës ishte ende një shqetësim i madh për regjimin komunist.

Pas shpërndarjes së tyre nëpër qarqe të ndryshme të vendit dhe instalimin pranë tokave bujqësore, ku edhe strehoheshin, familjet e arixhinjve shpesh nuk e pëlqenin jetën e re dhe ia mbathnin sërish nëpër natë me torba në krah. Korrespodenca e muajve korrik-dhjetor 1947, zbulon se këta familje synonin pothuajse të gjitha Pogradecin.

Kështu kishte ndodhur një natë me 7 familje, në total 43 anëtarë të këtij komuniteti, të cilët nuk pranonin të instaloheshin në Skrapar e Berat, por këmbëngulnin të iknin në Pogradec duke thënë se atje ishin regjistruar  me 30 shtator 1945. Këto 7 familje ishin larguar për gjithë natën nga vendet ku i kishin vendosur dhe ishin nisur drejt Pogradecit.

Më tej korrespodenca zbulon se edhe familje të tjera të këtij komunitetit ishin vendosur në Pogradec dhe kërkonin të qëndronin aty edhe pse nuk kishin kushte për të jetuar.

Nuk del në dokumente arsyeja e vërtetë e kësaj këmbënguljeje të familjeve të këtij komuniteit për të qëndruar në Pogradec, por ndoshta duke nuhatur formën e egër diktatoriale që po merrte regjimi komunist nga viti në vit, ata synonin të ishin sa më pranë kufirit për tu arratisur kur tu lindte nevoja, e për të vijuar më tej jetën e tyre nomade.

Më poshtë po i sjellim të plota për lexuesit e Shqiptarja.com 5 dokumentet e mëposhtme që i takojnë periudhës korrik-dhjetor 1947, që vijnë si vijim i pjesës së parë të dokumenteve mbi aksionin e gjerë të regjimit komunist për sistemimin e arixhinjve dhe lypësve që ndodheshin në Shqipëri pas Luftës. 
 
 Dokumenti 1
 
MINISTRIS BUJQSIS E PYJEVE
(Degës Reformës Agrare)
T i r a n ë
 Gjegje qarkores Nr. 333 Res. dat. 27/7/947.

Me marrjen në dorëzim me një her ky Komitet u dha urdhër N/Prefekturave mvartëse mbi vendosjen e arixhinjve. Arixhinj nga ata që lëvizin në për fshatra ka patur vetëm në Lushnjë dhe në Skrapar.

Në Lushnjë deri tani janë vendosur 45 familje arixhinjsh këto janë vendosur në tokat disponibël të Zgjanës dhe në Çermë Biçakaj. Tokat e tyre pjesërishtë janë punuar prej fshatarve vendës në punë vullnetare dhe pjesën tjetër po e punojnë vetë.

Në Zgjanë familjet e arixhinjve që janë të vendosur rishtas kanë punuar tokat e tyre dhe me traktor. Përsa i përket ngritjes së shtëpijave u është dhënë lënd druri dhe janë ndihmuar në prerjen dhe transportimin e saj, dhe kanë filluar të ngrohin njëkohësishtë nga ana e Komitetit Ekzekutiv të N/Prefekturës Lushnjës u është siguruar kashta për mbulimin e shtëpijave.

Në rrethin e N/Prefekturës Skraparit ndodheshin 7 familje arixhinjsh në lëvizje që përbëheshin prej 43 frymësh me anën e Sek. të Brendshëm të N/Prefekturës Skraparit u mblodhën në Çorovodë dhe mbaheshin atje, ata kishin deklaruar të shkonin në vendin ku kishin bërë rregjistrimin në 30 Shtator 1945, të cilin e quanin vendin e tyre, ky vend ishte Pogradeci. Këto shtat familje në bashkëpunim me Zyrën e Reformës Agrare u gjend vendi për tu instaluar duke, u dhënë tokë dhe ullinj ndërkaq lajmërohet Skrapari që t’i nisinj për Berat, mirpo arixhinjt kishin ikur natën në drejtim të Pogradecit. Kështu që ngelen të instaluar në Qarkë vetëm 45 familjet që janë instaluar në Lushnjë.
p. komitetin ekzekutiv të k.p.prefekturës
kryetari
(Zylyftar Veleshnja)
 
Dokumenti 2
KRYEMINISTRIS
T I R A N Ë

Për njoftim e në gjegje të shkresës Nr. 438 Res.dat 24/7/1947.
p. komitetin ekzekutiv të k.p.prefekturës
 k r y e t a r i
(Zylyftar Veleshnja)
(firma, vula)
 
VDEKJE FASHIZMIT
LIRI POPULLIT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPNIS
KOMITETI EKZEKUTIV I K. P. TË PREFEKTURËS
P E S H K O P I
Peshkopi më 30/X/1947
(K R Y E S I J A)
Nr. 351/11 Rez.
L a n d a: Puna që asht bërë në lidhje me zhdukjen dhe lëftimin e kriminalitetit.
 
K R Y E M I N I S T R I S
T I R A N Ë

Në lidhje me qarkoren t’uej Nr. 438 Res dt.21/7/1947, në të cilën bëhet fjalë mbi zhdukjen dhe luftimin e kriminalitetit që ekziston ende në vendin t’onë, këtu posht po ju njoftojmë shkurtimisht mbi masat e marruna dhe punën që kemi bërë në këtë drejtim:

Lypsija në qarkun t’onë nuk ka qenë e shumtë, me gjith’ atë dhe ay numër’i pakët që ka qenë me masat që ka marrë Pushteti Lokal këtu po t’ja thuesh se asht zhdukur fare.
Arixhijt, me gjith-se të pakët në këtë Qark, janë instalue në toka disponibël dhe u-asht dhanë ndihma e duhur si-për vend-banime ashtu dhe për furnizime me ushqime dhe me këtë masë tash nuk shifen që të qarkullojnë si për-para lart e poshtë.

Elementat pa-punë, parazitët të cilët endeshin andej-këndej, posht e lartë, janë mobilizuar nga organet e Drejtoris P. Mbrëndëshme dhe janë dërgue për të punuar nëpër aksione e ndërmarrje të ndryshme dhe nuk shifen më të tillë elementa të pa-punë në këtë qark.

Për elementa të këtillë që përmendëm sipër janë marrë dhe po të diktohen do të merren masa në konformitet t’urdhënit t’Uej të sipërmë.
Me nji fjalë çështjes i asht kushtue randësija e ‘saj e veçantë dhe në këtë drejtim asht punue.

Kaq sa për dijeni.
p. komitetin ekzekutiv të kësh.popullor të prefekturës
k r y e t a r i:
(Gaqi Nesho)
(firma, vula)

Dokumenti 3
 VDEKJE FASHIZMIT
LIRI POPULLIT
 
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIJA E BUJQËSIS DHE PYJEVE
DREJTORIJA E DEGA E REFORMËS
AGRARE DHE E BONIFIKIMEVE
 
Tiranë, 20-XI-1947
Nr. 333/15 Res.
 
Landa: Mbi installimin e arrexhinjve:
KRYEMINISTRISË
TIRANË
 
Në lidhje me urdhërin t’Uaj nr. 438 res dt. 21/7/1947, parashtrohet se mbas njoftimeve që na kanë ardhur deri më sot rezullton se janë installue 208 familje arrexhinj.
Në Fier, Skrapar, Peshkopi e nër disa vende të tjerë arrexhinjtë ose nuk kanë pranuar n’asnjë mënyrë të installohen si bujq ose janë largue nga toka mbas installimit.
Ndërkaq shtojmë se Seksionet e tjerë të Qarqeve nuk janë interesuar sa duhet për tu dhënë të përmendurve ndihmat e nevojshme dhe kjo e ka vështirësuar shumë installimin e ‘tyre.
 
M I N I S T R I:
(firma, vula)
 
Dokumenti 4
 

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIJA E P. TË MBRËNDËSHME
DEGA PËR ZHDUKJEN E KRIMEVE
Tiranë, më 21-XI-1947
Nr. 369/22 Rez.
 
L a n d a: Mbi arixhinjt.
 
 KRYEMINISTRISË
T I R A N Ë    
Organet t’ona mvartëse na informojnë se Komiteti Ekzekutiv i Rrethit të Pogradecit me shkresën e tij Nr. 240/4 Res. datë 18.10.1947 ka urdhëruar Seksionin e Mbrëndëshëm t’atij rrethi për grumbullimin e arixhinjve dhe transportin e tyre për në Kavajë, të cilët në bazë të Urdhërit të Ministris Bujqësisë dhe Pyjeve Nr. 333/8 Res. datë 2.10.1947 ju ishte caktuar që të sistemoheshin n’atë vënd.
Urdhëri sipërm i Komitetit Ekzekutiv është ekzekutuar nga organet e Seksionit Mbrëndëshëm dhe arixhinjt janë grumbulluar që të gjithë por, Komiteti nuk është interesuar për t’u siguruar transportin e tyre për Kavajë; për këtë Seksioni Mbrëndëshëm është detyruar t’i strehojë nëpër hanet e Progradecit ku qëndrojnë akoma dhe jetesa e tyre është bërë shumë e vështirë, prandaj lutemi të urdhërohet Komiteti Ekzekutiv për t’u siguruar transportin dhe ushqimin e tyre deri në vëndin e caktuar.
MINISTRI:
(firma, vula)       
 
Dokumenti 5
 
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
KRYEMINISTRIJA
Tiranë, më 3-XII-47
Nr. 438/8 Res.
 
KOMITETIT EKZEK. TË N/PREFEKTURËS
P O G R A D E C
Ministrija e P. të Mbrendëshme na njofton se juve nuk kini treguar kujdesin e duhur për të transportuar në vëndet e destinuara arxhijtë që janë grumbulluar n’atë qytet me urdhërin t’uaj. Ministrija e P. të Mbrendëshme thekson edhe se ky mos interesim ka shkaktuar që këta persona të grumbulluar aty jetojnë në kondita shumë të vështira dhe enden nëpër qytet për të kërkuar ushqime etj.
Ky diz-interesim i juaj tregon se qarkores së kësaj Kryesije Nr. 438 Res. datë 21/8/1947 nuk i është dhënë rëndësia e duhur.
Prandaj urdhërojmë që çështja e transportimit t’arëxhijve të përfundojë sa më parë dhe urdhëresat e direktivat e kësaj Kryesije të gjejnë zgjidhje të shpejtë pa i dhënë shkas një përsëritjeje tjetër.
SEKRETAR’I PËRGJITHËSHËM:
(firma)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

U shkatërrua nga flakët rreth 5 vite më parë, rihapet 'Notre-Dame'! Ja kur do të pres vizitorë katedralja historike e restauruar

U shkatërrua nga flakët rreth 5 vite më parë, rihapet 'Notre-Dame'! Ja kur do të pres vizitorë katedralja historike e restauruar