Romët në Hungari - jo të integruar, por të disiplinuar

Romët në Hungari - jo të integruar, por të disiplinuar

Vrasësit erdhën natën. Fillimisht i vunë zjarrin shtëpisë, e kur prindërit me fëmijët donin të dilnin nga ferri i flakëve, ata i qëlluan me çifte gjahu. Babai, Róbert Csorba, 28 vjeç dhe djali katërvjeçar u qëlluan për vdekje, vajza mbijetoi e plagosur rëndë, nëna u plagos lehtë.

Tatárszentgyörgy, 60 kilometra në juglindje të Budapestit. Më 23 shkurt 2009 terroristët e djathtë ushtruan këtu një nga atentatet me të tmerrshme në serinë e vrasjeve kundër romëve. Në vitet 2008-2009 humbën jetën 6 romë, 55 të tjerë, u plagosën pjesërisht rëndë.

Integrim i suksesshëm i romëve?

Atentati në Tatárszentgyörgy hungarez ishte shkallëzimi i një vale të anticiganizmit në Hungari. Në periudhën kaotike para fundit të një qeverisjeje 8 vjeçare të socialiberalëve të korruptuar, gjithkund në Hungari marshonin milicët ekstremistë të djathtë dhe kërkonin „zgjidhjen e çështjes së ciganëve." Sot pas 10 vjetësh, pak gjëra të kujtojnë atmosferën e helmuar të atyre viteve. Vrasësit ekstremistë të djathtë të romëve kanë marrë dënime të rënda, trazira kundër romëve nuk ka më.

Qeveria e kryeministrit, Viktor Orbán e sheh këtë si një nga sukseset e saj të mëdha. Kemi vepruar fort kundër elementit ekstremist të djathtë, theksojnë përfaqësues të qeverisë. Por më shumë kemi ndërmarrë përpjekje të mëdha për integrimin e romëve, sidomos përmes sistemit Közmunka, një program komunal për punësimin e rasteve të asistencës sociale.

Kritikët mendojnë ndryshe. Ata thonë, se qeveria e Orbanit duke pasur kujdes për atmosferën mes zgjedhësve e ka bërë të sajën një lloj retorike antirome. Nga ana tjetër me masa sociale, romët janë nxjerrë edhe më shumë periferi të shoqërisë. „Shoqëria është qetësuar, sepse shteti po bën realitet, atë që shumë vetë kishin parasysh me një dorë të fortë kundër ciganëve", thotë aktivisti rom Aladár Horváth, deputeti i parë rom në parlament nga partia liberale, SZDSZ. „Partia e Orbanit Fidesz gëzon kaq simpati mes zgjedhësve, edhe sepse ka vënë rregull mes romëve", thotë Horváth.

Paragjykime të rrezikshme

Vërtet që Viktor Orbán personalisht nuk i urren romët. Por ai gjithmonë shprehet me ambiguitet për ta. Kështu në korrik 2012, kur qeveria e tij bashkë me politikanë drejtues romë bëri publike një iniciativë sociale e politike për romët. Që në Hungari të ketë më shumë taksapagues duhet të punojnë edhe romët, tha Orbán. „Nga kriminaliteti nuk mund të jetosh, as nga ndihma sociale", citohet kryeministri Orban. Vulosja kolektive e romëve si kriminelë dhe qelepirxhinj është një paragjykim i përhapur mjaft mes hungarezëve, por i dëgjuar nga goja e kryeministrit është një mesazh për zgjedhësit hungarezë.

Në praktikë nuk është bërë realitet integrimi dhe përfshirja e vërtetë e 600.000-800.000 romëve që jetojnë në Hungari. Puna komunale është e detyrueshme për ata që marrin ndihmë sociale, sepse kush nuk merr pjesë aty humb pretendimin për ndihmë sociale. Por sipas ekspertëve, ndryshe nga sa pretendon qeveria hungareze, puna komunale nuk u ka hapur romëve rrugën e punësimit. Tjetra, ligje me hapësirë të gjerë interpretimi ia mundësojnë administratës lokale një kontroll gati policor të njerëzve të varfër, mes tyre edhe romëve. Në raste të mungesës së higjienës apo mungesës në shkollë të fëmijëve kërcënon ndalimi i menjëhershëm i ndihmës sociale madje edhe marrja e fëmijëve në kujdes shtetëror.

Politikë sociale përjashtuese

"Politika sociale e Hungarisë nuk i merr në konsideratë ata që jetojnë në varfëri të thellë, dhe këtu bëjnë pjesë edhe romët", thotë ish-deputeti liberal József Gulyás, që prej 10 vitesh koordinon një iniciativë private për mbështetjen e familjeve të të mbijetuarve nga seria e vrasjeve kundër romëve. "Integrimi shoqëror për romët e varfër sot është shumë më i vështirë se para ndërrimit të shekujve", thotë Gulyás.

Erzsébet Csorba, nëna e Róbert Csorbas, të vrarë në vitin 2009 është mësuar me mjerimin. Ajo jeton me fëmijët dhe nipërit pak hapa larg vendit, ku u vra djali në një shtëpi gati të rrënuar. Fëmijët dhe nipërit jetojnë nga punë të rastit, mbështetja e vetme që familja merr vjen nga iniciativa e József Gulyás. A ka ardhur kryetari i bashkisë në 10-vjetorin e vrasjes në Tatárszentgyörgy? Ndonjë politikan tjetër? Erzsébet Csorba përgjigjet: „Jo." DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda