TIRANE- Të nëpërkëmbur dhe të shpërfillur totalisht nga shteti i tyre. Kjo është situata në të cilën ndodhen rreth 37 familje rome, që po dëbohen me forcë nga vendi ku ata, që prej 10 vitesh, kanë ngritur kampin e tyre. Madje shpërfillja ndaj këtij komuniteti ka arritur deri në atë pikë, sa pranë tyre nuk është dërguar as edhe një autoambulancë apo ekip mjekësor që të mbikqyrë gjendjen e tyre shëndetësore, ndonëse vetë Avokati i Popullit, ka deklaruar se rrezikon të shpërthejë ndonjë epidemi.
 
Pronari i truallit të ndërtimit te Rruga e Kavajës, ku prej më shumë se një dekadë jetonin më shumë se 37 familje rome, është Mihal Delijorgji, i cili pasi vuajti dënimin minimal për tragjedinë e Gërdecit me 26 viktima dhe mbi 300 të plagosur, tashmë është rikthyer sërish në krye të bizneseve të tij. Ai rrezikon të krijojë deri probleme ndërkombëtare për Shqipërinë me dëbimin e romëve pasi do të riaktivizojë projektet e tij të ndërtimit. Kreu i institucionit të Avokatit të Popullit Igli Totozani shkoi mesnatën e së shtunës (10 gusht) pranë tyre. Ai i tregoi mbështetjen dhe solidaritetin e institucionit që ai drejton familjeve rome të braktisura nga shteti, por dhe për t’i bërë apel kryeprokurorit të nisë hetimet për  të zbardhur të gjitha paligjshmëritë si dhe bashkisë të marrë masa për strehimin e tyre.
 
ROMET: SOT DO NA PERZENE, XHELADIN TAÇO: SHTETI PO NA VRET
Gjatë ditës së djeshme dy të sëmurë, banorët e këtij komuniteti i kanë dërguar me motorr në spital. “Po çfarë thua moj? Këtu nuk ka ardhur asnjë person të interesohet për ne. Madje sot paradite, një djalë rreth 20 vjeç dhe një fëmijë të vogël, të cilët kishin nevojë për ndihmën e mjekut, i kemi dërguar me motorr në spital”, - na thonë ata.
 
Gjatë pasdites së djeshme situata është rënduar edhe më, për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Ata kanë mbuluar me plastmas çfarë kanë mundur, por pjesa më e madhe e gjërave iu kanë mbetur në qiell të hapur, ndërsa gjatë mbrëmjes ka pasur konfrontime me punonjësit e firmës se pronarët e firmës së ndërtimit të cilët kanë tentuar ti nxjerrin me dhunë. Kjo ka bërë që zona të rrethohet nga forca të shumta policie.
 
“Nuk e dimë çfarë do të bëjmë dhe ku do të shkojmë. Një pjesë e familjeve kanë 10 vjet që rrinë këtu, ndërsa të tjerë kanë 20 vjet. Sot (dje), këta të firmës së ndërtimit na kanë thënë që deri nesër (sot) duhet të jenë larguar të gjithë. Na kanë thënë merrni çfarë iu duhet se nga sot nuk do ju lëmë më të shkelni këtu. Ata po ndërtojnë edhe murin rrethues dhe kush ka dalë jashtë murit nuk e lënë më të futet brenda, ndërsa ata që janë brenda murit nuk i lënë të dalin jashtë. Është një situatë e tmerrshme. Ne nuk e dimë se çfarë të bëjmë. Përveç Avokatit të Popullit, askush nuk ka ardhur të na shikojë. As bashkia as ministria e Punës. Ku do të shkojmë ne tani??? Le të na gjejnë një vend dhe të na thonë të shkojmë, por jo kështu”, - thotë Xheladin Taço, përfaqësues i komunitetit rom.
 
Ndërkohë që një pjesë e tyre kanë filluar të mbledhin gjërat, tendat, madje edhe dërrasat, pasi frima e ndërtimit po vijon  punimet. Ndonëse çështja e romëve, ka tërhequr edhe vëmendjen e ndërkombëtarëve, shteti shqiptar nuk ka reaguar fare. As ministria e Punës,  as bashkia e Tiranës dhe as qeveria, gjatë gjithë këtyre ditëve, jo vetëm që nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike në lidhje me situatën, por as nuk kanë dërguar njeri që të shikojë nga afër se çfarë po ndodh me këta persona.

TOTOZANI: KJO ESHTE TURP, LLALLA TE HETOJE SHKELJET
Kreu i institucionit të Avokatit të Popullit Igli Totozani shkoi mesnatën e së shtunës (10 gusht) pranë 37 familjeve rome të cilat po dëbohen nga kampi që kanë ngritur prej 10 vitesh tek Rruga e Kavajës, pranë Pallatit me Shigeta. Totozani ishte aty për t’i treguar mbështetjen dhe solidaritetin e institucionit që ai drejton familjeve rome të braktisura nga shteti, por dhe për t’i bërë apel kryeprokurorit të nisë hetimet për  të zbardhur të gjitha paligjshmëritë si dhe bashkisë të marrë masa për strehimin e tyre.
 
Totozani e quajit turp që po ndodh në mes të Tiranës dhe që ndodh në prag të marrjes së statusit të BE.
 
“Sot është një ditë e vështirë për qytetarët rom  që po ndeshen me një nga turpet e historisë tonë të re. Sa herë që do të kalojmë në këtë zonë,  do kujtohemi për këtë që po bëjmë ndaj tyre. Jam këtu për t’i shprehur solidaritetin pasi më takon që në orë të vështira të qytetarëve të Tiranës të jem pranë tyre. I shoh të vetmuar sepse janë pa përkrahje, ndihmë, janë qytetarë jetim, jo të Republikës së Shqipërisë. 
Unë jam këtu për t’i thënë që jam këtu, aq sa ky instituicion ka në dorë.  I kërkoj policisë së shtetit të ndërhyjë t’i jap fund kësaj gjëndje të paligjshmërisë. Kryeprokurorit  
Adratik Llallës i kërkoj të bëjë çështë e mundur të zbardhë të gjitha paligjshmëritë që u ndeshëm në këtë çështje, dhe t’i kërkojë bashkisë së Tiranës të marrë masa për strehimin e tyre në mënyrë urgjente. Ministria e Punëve dhe Çështjeve sociale të marrë masat e saj.  I kërkoj dhe shoqërisë civile, të gjithë njerëzve, një moment të heshtin për këtë turp të madh që po jetojmë të gjithë së bashku, taman në prag të marrjes së statusit dhe afrimit me Europën. Kjo ngjarje nuk na afron por na largon me Europën.”- tha Totozani mbrëmë. Ai gjithashtu falenderoi dhe median për punën e madhe që po bën me sensibilizimin e kësaj çështjeje. 

 
delijorgji


delijorgji

(Në foto: Mihal Delijorgji duke inspektuar dje, (10 gusht) truallin e ndërtimit tek zona ku banonin romët, te Rruga e Kavajës) 

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11 gusht 2013

Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)