Ylli i Real Madridit mendon se gjermanët janë në mesin e favoritëve për të fituar Evropianin, por sipas tij edhe Portugalia ka atutë e veta. ”Ndjehem mirë. Jam i gatshëm për këtë ngjarje të madhe. Është një privilegj i madh të jesh pjesë e këtij grupi. Duhet të luajmë me vullnet dhe pa presion. Ne nuk bëjmë pjesë në mesin e favoritëve, por kjo është një gjë e mirë për ne, sepse kemi më pak presion. Unë dua që ta ndihmoj Portugalinë në arritjen e objektivave të saj. Unë nuk jam shpëtimtari. Në plan të parë është loja kolektive, më pas vijnë në shprehje individualitetet”, ka thënë Ronaldo. “Gjermania ka qenë gjithmonë një ekip i madh me lojtarë të nivelit të lartë dhe të fortë fizikisht. Ne e dimë se Gjermania ka ardhur në këtë Evropian për të fituar, por në futboll çdo gjë është e mundur. Ne besojmë në forcat tona. Ne kemi një skuadër cilësore dhe këtë duam ta dëshmojmë në fushën e lojës. Do të kërkojmë fitoren në këtë sfidë, por nëse nuk e arrijmë këtë, atëherë edhe barazimi nuk do të jetë një rezultat i keq”, vuri në dukje Ronaldo. ”Gjermania është shumë e fortë kolektivisht. Ajo ka një ekip kompakt. Të gjithë lojtarët i dinë misionet e tyre në fushë. Kjo është arsyeja pse ata kanë më shumë sukses se të tjerët. Për mua, kjo është një nga ekipet më të forta në Euro 2012”, ka shtuar Ronaldo.
(rb/shqiptarja.com)