Kristiano Ronaldo është plot vetëbesim pas fitores kundër Çekisë në çerekfinale të Evropianit, që po zhvillohet në Poloni e Ukrainë.

Ylli i Real Madridit shënoi golin e vetëm të kësaj sfide, në minutën e 79-të, duke e dërguar Portugalinë në gjysmëfinale, ku e pret dueli me fituesin e ndeshjes Spanjë-Francë. Ronaldo beson se tashmë kombëtarja e tij mund t’i shkojë deri në fund rrugës së Evropianit.

“Jemi të lumtur për kualifikim në gjysmëfinale. Mendoj se kemi fituar me meritë. Shumë herë kemi gjuajtur në kuadratin e portës, por në fund arritëm të gjejmë golin”, ka thënë Ronaldo.

“Jemi të vetëdijshëm se në gjysmëfinale na pret një punë shumë e vështirë, pa marrë parasysh se me kë luajmë. Mirëpo, ne besojmë në mundësitë tona. Jemi të gatshëm për t’i shkuar deri në fund kësaj gare dhe besojmë se do t’ia arrijmë këtij qëllimi” tha luzitani.(rb/shqiptarja.com)