Kush ishte motivi i cili të nxiti më së shumti që të paraqitësh kandidaturën tënde për kryetar të bordit të komisionerëve të ERE ?
Një nga motivet i cili më shtyu mua të paraqes kandidaturën time, është fakti se kam një eksperiencë të gjatë në këtë sektor, gjithsej 35 vjet ku prej tyre 30 vjet kam punuar në sektorin e energjetikës. Besoj se e njoh këtë sektor me të mirat dhe me të keqijat e tij, pasi kam punuar si specialist dhe si drejtues ne sektorë të rëndësishëm. Kam qenë edhe drejtues teknik e administrativ si përgjegjës reparti, kryeinxhinier i Hidrocentralit të Fierzës, si dhe Drejtor i filialit të energjetikës për Tiranën,dhe i rajonit të transmetimit të Tiranës.
Cila është strategjia, që do të ndjekësh në krye të ERE-es, në se do të votoheshit ?
Bindja ime është se në këtë situatë jo të pëlqyeshme që është sot e gjithë piramida e sektorit të energjitikës, ka përgjegjësi direkte edhe ERE me veprimet e mos veprimet e saj. Ajo që duhet parë dhe është një nga më të domosdoshmet, rishikimi i modelit të tregut, duke ju pershtatur ndryshimeve aktuale të ndodhura vecanërisht në sektorin e shpërndarjes dhe në atë të prodhimit me qëllim liberalizimin edhe rritjen e konkurencës në një nivel akoma më të lartë.
Me këtë dua të them se të gjithë prodhuesit duhet të operojnë në kushte të barabarta sidomos brenda vendit pasi sot psh. KESH-i, me tre prodhues që ka është tmerrësisht i diskriminuar. Ndërkohë mendoj që edhe në ligjin për Sektorin e Energjisë Elektrike duhen bërë ndryshime pasi jemi në kushte krejt tjera nga viti 2003. Po ashtu është e domosdoshme që ERE, të ketë një transparence maksimale, pasi ky institucion përçon politikat e qeverisë në sektorin energjetik.
Ju keni shfaqur mendimet tuaja edhe për Tec-in, e Vlorës, madje keni qenë shumë i ashpër dhe i drejtëpërdrejtë në kritikat tuaja për këtë investim, i keni ende të njëjtat mendime për këtë vepër ?
Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë ashpërsi por për realitet. Për mendimin tim TEC-i i Vlorës është një projekt i dështuar. Kjo vepër energjetike ka probleme të mëdha teknologjike dhe nuk ka punuar asnjë ditë. Sipas vlerësimit të specialistëve për tu vënë në punë duhen mbi 12 milionë Euro. Defekti i Tec-it të Vlorës qëndron tek vepra e marrjes së ujit.
Qysh nga dita kur mbaruan punimet ky Tec, nuk ka punuar, ndërkohë që për ndërtimin e tij u shpenzuan rreth 100 milionë euro. Teci i Vlorës u lidh me sistemin e transmetimit 220 Kv, dhe do të shërbente kur të kishte emergjencë pasi kosto e energjise se prodhuar me naftë është shumë e lartë. Mendoj që pas vënies në punë duhet të mendohet vetëm zgjidhja e prodhimit të energjisë me gaz.
Shkrimi u publikua sot (05.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)