Ma e para gjë që banë, më prenë cjapin e tufës). Morën dru nga turra e oborrit dhe mbasi e rropën cjapin e shkretë e futën në hell dhe duke qeshur e hallakatë filluan të kontrollonin nëpër shtëpi. Kërkojshin mjaltë, miell gruri për petulla, e gjetën aq sa u duhej nga mielli që kisha ruajtur për Këshndella. Morën miellin, filluan e më kërkuan qypin e tlynit të cilin e thyen copë-copë sapo u banë në qejf me raki e verë. Petullat i donin me mjaltë, në fakt ne kishim bletë, por i kishim te stani në bjeshkë, po ata nuk ranë ngushtë për atë punë pasi shkuan tek bletët e komshiut, të cilat ia qitën fare me barut tek dera e zgjojës.
Në dy tepsi të mëdha të mbushura plot e përplot morën me shqojtë mjaltit dhe ia filluan duke ngrënë petulla, mjaltë, mish të pjekur në hell, këndonin e shtinin me pushkë, talleshin duke më thënë:
-Plake, mos të dhimbet fort cjapi se do ta presim të tanë tufën e bagëtive, ndërsa një i pafytyrë më theu arkën e rrobave dhe mori një palë tirq të qepur për merak të burrit që i kish veç për shëtitje. Unë tërhiq e xhandari tërhiq e nuk ia lëshova. Pastaj ia mora një dru zjarri në dorë dhe i thashë: “-Je burrë e mos shko i turpëruar nga një plakë, lëshoi tirqit e mos i prek se burri nuk kapet me gra!”.
Shyqyr zotit nuk e bëri ma të gjatë, por i lëshoi dhe ka doli ia futi shqelm ceremës së bukëve prej qerpiçi e ma bëri copë-copë. Ndërsa shokët e tij të marrosur nga vera që kishin pirë gjithë etje të shoqëruar me mish të pjekur, kur dolën nga dera e shtëpisë më pyetën për gavixhin (enë druri me verë më madhe se voza.-Shënimi im) dhe pasi e pikasën se ku ishte i hoqën çepin duke ma përmbytur dyshemenë me verë. Kurse 91-vjeçari Nikë Mhilli nga Shala kujton me detaje:
-Kam kenë i vogël, 6-7 vjeç kur erdhën bashibozukët civilë zogistë e më prenë kaun, viçin dhe dy sqepa: Kazanin e mishit gjithë ditën e linin sipër zjarrit, mishin e zienin në yndyrën e vet, pa i hedhur asnjë pikë ujë. Secili prej tyre kishte punuar nga një hell druni me të cilin gjuanin (si me harpunë) copat e mishit të pjekuna në kazan dhe i kollofisnin si ujq të uritur kurse etjen e shuenin t’ue mrrotë nga një kungull vene për shoq.
Gjithë ditën këtë punë banin, del e sillu nëpër katund, plaçkit arkat e grave dhe hajde e rrasja mish tek kazani, i cili rrinte tuj zie 24 orë rresht. Kur pakësohej mishi, thernin bagëtitë e tjera ma të majmet që ua kapte syni në atë stinë të tmerrshme vjeshte.
”Pothuaj se gjithkund -thuhet ne raportin e konsullit italian dërguar Legatës në Durrës,- mercenarët kanë grabitur ose ngrënë bagëtinë, atë që nuk e merrnin dot me vete e vrisnin. Në disa krahina si Shalë, Shosh, Nikaj, Mërturë shtëpitë janë shkretuar me shumicë dhe një pjesë e popullsisë është gjysmë e zhveshur” Në këtë situatë shumë shaljanë bashkë me familjet e tyre braktisën krejt katundin e vet dhe kaluan në Gjakovë, Guci e Plavë.
Atje u grumbulluan edhe të arratisur nga Tropoja”. Më të fundit që kaluan kufirin sikurse njoftonte Ministria e Jashtme Italiane dhe ministri italian në Beograd, ishin kryengritësit e krahinës së Pukës. Por malësorët e arratisur nuk kishin ndërmend të qëndronin atje në tokë të huaj. Atje ata u përpoqën të riorganizoheshin për të filluar përsëri në pranverë një kryengritje tjetër.
Vlen të theksohet një fakt shumë i dhimbshëm se në qoftë se shumë shaljanë arritën të kalojnë kufirin, si Mark Sadiku, Lush Prela e dhjetëra e qindra të tjerë bashkë me ta varg burra, gra me fëmijë përdore e kalibuç, gjithkush mund të ecte kishte marrë ikjen masivisht dhe duke qenë në kufi me Malësinë e Madhe mundën të kalojnë fillimisht pa u hasë në ndonjë pengesë qeveritare. o e njëjta dukuri vërehej edhe për banorët e Shoshit nga skajet me të largëta të tij, e njëjta shfaqje e trishtuar vazhdonte për toplanasit, temalasit, mertursit, karvane njerëzish të rraskapitur, të lodhur, të dërmuar nga rruga e gjatë, ngarkuar me plaçka e me djepe në shpinë, të uritur, të mjerë e pashpresë po i afroheshin Qafës se Pejës për të kaluar nga Malësia e Madhe në Jugosllavi, por këta të mjerë nuk e patën një fat të tillë.
Zogolli me hipokrizinë e tij dhelparake arriti të nxiste një krahinë kundër një tjetre, duke përdor me shumë sukses mercenarët e verbër si topxhi të dhunës e terrorit të shfrenuar ndaj kundërshtarëve duke përdor reprezaljet masive ndaj një krahine të tërë siç ishte Dukagjini në rastin konkret. Mercenarë të armatosur nga Kelmendi zunë Qafën e Pejës duke i detyruar dukagjinasit të kthehen prapa në tokën e tyre të shkretuar, ku Hasan bek Bushati, Muharrem Bajraktari e kompani vazhdonin operacionin e pamëshirshëm....
(Vijon në numrin e ardhshëm)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)