Rrënjët shqiptare të poetit
francez Jean Moréas

Rrënjët shqiptare të poetit <br />francez Jean Moréas
Poeti i njohur francez vjen nga një familje shqiptare. Moreas është themeluesi i simbolizmit francez. Që i ri iku në Francë dhe atje shkroi poemat e tij ku dhe vdiq. Guillaume Apollinaire, një nga poetët më të mëdhenj të shekullit XX e kishte atë si “atin e vetë shpirtëror”. Është ai që shkruan dhe për shqiptarësinë e Moreasit.
Do të ishte një shkrim i poetit Apoliner, (Apollinaire), botuar në librin e tij “Bredharaku i dy brigjeve”, që do të zgjonte kureshtjen për të madhin Jean Moréas, (Zhan Moréas) siç e njihnin francezët, apo Jani nga Moréa siç e kishte francizuar emrin ai, pasi Moréas në fakt quhej Jani Papadiamanti.

Rrënjët e Moréas ishin bota arvanitase e ngjizur me shtegtimin dhe fatet e historisë së dy popujve, shqiptar e grek, rrënjë për të cilat ai shkruan dhe në poezitë e tij. Ishte nostalgji që do ta ndjekë atë gjatë gjithë jetës në Perëndim, gjer ditën kur do të vdiste si një pelerin dhe evropian njëkohësisht. Apolineri që e njohu nga afër Moréasin, veçanërisht në vitet e fundit të poetit arvanitas, shkruante: “Shumë herë, Moréas më ka folur për gjyshin e tij: “Kam shumë shënime që kanë të bëjnë me kohë të shkuara, të vjetra, – më tha njëherë ai, – por ato janë në një sunduk bashkë me një tufë dokumentash.

Kur të kem kohë do t’i shoh dhe do të shkruaj diçka”. Ndonjëherë unë ia kujtoja punën e sundukut. “S’kam patur kohë, – më përgjigjej ai, – “por duhet të merrem vërtet me to”! Dhe ai më fliste sërish për detarët hidriotë dhe ishullin e bardhë, Hidrën, të banuar nga shqiptarët, që kurrë nuk i kishin lejuar turqit të zbarkonin atje. Një ditë Moréas po e sodiste ishullin. Ai ishte në kuvertën e anijes që po e largonte nga Greqia. Ai e vështroi Hidrën gjersa ajo dukej ende, ashtu e tëra si në mermer. Toka, shtëpitë dhe vargjet e Orientales, atij i vinin në mëndje.

Në kulmin e lavdisë së tij në Paris, Moréas, i deklaronte biografit Byvanck: “Unë kam qënë gjithnjë një rebel. Në venat e mia rrjedh gjak klefti. Në fakt, unë nuk i përkas racës greke dhe besoj se nuk ka më përfaqësues të llojit tonë. Familja jonë fisnike është me origjinë nga Epiri. Ajo quhet Papadiamantopulos, mbiemër disi i zgjatur në mënyrë komike por që besoj se do të thotë “diamant” dhe “papa”, d.m.th. që ka patur një prift në familjen tonë dhe “pulos” është siç janë prapashtesat “viç” në gjuhët sllave.

Para persekutimeve të turqve ne kemi emigruar nga trojet tona bashkë me familje të tjera në Peloponez apo Moré, siç i themi ne në fillimin e shekullit. Prandaj dhe vjen emri Moréa, të cilin ne e adoptuam. Gjyshi im dhe vëllai i tij janë shquar në luftën për Pavarësi. Nuk dua të mburr bëmat e tyre por mjafton të them se kjo familje ka nxjerrë shumë heronj. Babai im jetonte në Athinë, në rrethin e princit bavarez, mbretit Othon, të cilin e sollën Fuqitë e Mëdha… Dhe pikërisht në këtë kohë nisi rebelimi im.”

Jani nga Moréa lindi në shtëpinë e prindërve të tij në 15 prill të vitit 1856 dhe si shumë arvanitas, ai u rrit në një shtëpi në lagjen “Plaka”, rrëzë Akropolit. Familja e tij banonte në rrugën e “Filohelenëve” pranë sheshit të Kushtetutës dhe Pallatit Mbretëror, e më vonë, në vitet 1873-1874, në rrugën “Shën Filothea”, pranë lagjes aristokratike “Plaka”. Pas tij lindën dy fëmijë të tjerë, të cilët vdiqën shpejt dhe më pas lindi e motra e tij, Kristina. I ati i tij kishte një shpirt artisti. Ai e donte artin dhe që i ri kishte marrë një kulturë gjermane e franceze. Përkthente Goethe-n nga gjermanishtja, por pëlqente shumë dhe gjuhën e letërsinë frënge. Shkruante poezi, siç dëshmojnë dhe disa poezi që kanë mbetur nga ajo kohë, një prej të cilave, poema e gjatë “Vetvrasja e ushtarit të moçëm”. Ai adhuronte ndër të tjera dhe tablotë e El Greco-s apo poezitë e Schiller-it.

Pikërisht këtë ndjesi artistike e trashëgoi dhe Moréasi. Historiani Julien Gaultier, në librin e tij “Promenades et visites” shkruan se “Babai i Jean Moréas ishte rritur në Munih në një kolezh të ngritur nga mbreti Othon për bijtë e heronjve të rënë në Misalongj”. Në një letër që shumë vite më vonë, miku i ngushtë i Moréasit, Raymond de la Tailhède i shkruante nënës së tij, ai i pohonte se “Jean Moréas është biri i kryetarit të Gjykatës së Lartë të Athinës dhe nip i ministrit Papadiamantopulos, të mbretit Jorgo… Nga piratët e ishullit Hidra dhe heronjtë e viteve 1820, ai ka marrë krenarinë e njerëzve që kanë lindur për të komanduar…” Duke kërkuar mbi prejardhjen e Moréasit, interesant është dhe informacioni se në zonën e Dodonës, në Epir, janë rrënjët e shtëpisë së Gjergj Margaritit, i cili më 1742 ishte varur nga turqit. Biri apo vëllai i tij mbante emrin “Diamanti”: Papa Diamanti Margariti.

Eshtë me interes të citojmë dhe disa rreshta të historianit anglez George Finlay nga libri i tij “Insurection et régénération de la Grèce”, ku ai flet për vëllezërit Tombazi, njëri prej të cilëve i quajtur Manolis, i cili ishte guvernator i Hidrës. Ai tregon se Manolis, gjyshi i Moréasit nga nëna “mori anijen e tij në Nafplio dhe me 200 luftëtarë zbarkoi në gjirin e Kisanos, duke pushtuar portin Drapani.

Kështjella e Kisanos, e rrethuar nga ai më së fundi u dorëzua nga turqit. Tombazi kishte sjellë topa dhe pastaj i kishte vënë ato në bedenat e kështjellës. Më pas, sulmoi drejt Kandanos, duke nxituar më vonë në kryengritjen e Selinos…” Edhe Jacob Tombazi, vëllai i tij ishte një nga prijësit e Revolucionit Grek. Në historinë e kësaj familje shkruhet se ata ishin në këshillin qeverisës të ishullit. Më 1821 kjo familje i dha Revolucionit të katër anijet e saj të quajtura “Leonidha”, “Cimon”, “Terpsichore” dhe “Themistokli”, ku kjo e fundit ishte më e madhja e flotës greke, me dy topa dhe komandohej nga Jacobi.

Rininë e tij, Jani nga Morea e kaloi nëpër rrugët që të çonin në sheshin “Omonia” dhe “Stygmatia”, që do t’i kujtojë më pas në poezitë e tij “Buzë një deti kam lindur”.
Atje ku takoheshin rruga “Eole” dhe “Hermes” ishte kafeneja “Greqia e bukur” ku shkonin zakonisht letrarët e rinj. Adoleshent, prindërit e thërrisnin Janko. Në Athinë, në atë kohë ekzistonin veçse tri periodikë: ai i Biblikotekës Kombëtare, “Ilissos” dhe “Byron”, ku ai lexonte me etje poetët e asaj kohe. Disa dekada më vonë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit të gazetës “Le Temps”, zotit Joseph Gaultier, Moréas i deklaronte: “Kur isha fëmijë, kisha një guvernante me shije mjaft të holla dhe të shkolluar, zonjën Dumény, hallën e aktorit tonë të famshëm Dumény. Kohën e adoleshencës unë e kam kaluar me poetët francezë. Lexoja pa pushim dhe pa u bërë ende dhjetë vjeç dukej se do këndoja me lirën franceze. Dhe hyjnitë e plotësuan dëshirën time…”

Historia e familjes së poetit është e mbushur plot fakte e ngjarje trimërie. Rrënjët e saj ishin fillimisht në Margarit të Çamërisë. Por pas mizorive turke, gjyshi i tij u vendos në Patras, ku shpejt u bë i pasur. Por si shumë shqiptarë të tjerë, pasurinë e tij ai e vuri në shërbim të revolucionit. Madje ai ishte nga të parët që nisi revoltën kundër otomanëve gjersa ra hero në Mesallongj, ashtu si dhe Boçari.

Në atë kohë, mbreti Othon kishte ngritur një kolezh në Mynih për bijtë e heronjve greke të rënë në Mesallongj. Kështu, i ati i tij, Adamandio, u rrit me kulturë gjermane. Ai bëri studimet për drejtësi në Heidelberg dhe në Berlin u rrit me poezitë e Heine-s, Schiler-it dhe Goethe-s. Më 1854, Adamandio u martua me të bijën e admiralit të famshëm shqiptar Tombazi. Vajza e tij quhej Parashqevi apo Shqevo Jurdi, nga Hidra. Që i ri ai u dallua për prirjet poetike. Ernest Reynaud shkruante në studimin e tij rreth Moréasit se “Turqit i përzunë shqiptarët nga Peloponezi dhe ata u vendosën me shumicë në ishullin e Hidrës, nga ku dolën familje të mëdha si ajo e Kunduriotit, Vulgarit, Miaulit, Tombazit, etj”.

Në “Kujtime mbi Greqinë”, M. Max, pasi përmend familjet e mëdha hidriote, dallon mes tyre Konduriotin dhe Tombazët, shkruan ndër të tjera se “Hidriotët dhe fqinjët e tyre speciotë janë me origjinë shqiptare. Ata flasin dhe greqishten dhe shqipen. Janë shtatlartë e të fuqishëm, trima dhe me ecje krenare. Kanë një lloj mburrje dhe përbuzje për grekët që jetojnë në kontinent. Ndryshe nga të tjerët, vëllezërit Tombazi i presin të huajt në mënyrë të gëzuar. Shtëpia e tyre është plot makete e modele anijesh, të cilat i kanë marrë në vendet e huaja. Të gjithë janë marinarë.

Aty takuam dhe kapitenin Shahin, kunatin e Tombazit, i njohur për betejat e tij detare…” Po kështu, udhëtarja franceze Adelaide Dufrénoy, e cila vizitoi në këtë periudhë Greqinë, në librin e saj “Bukuri të Historisë greke”, shkruan ndër të tjera se “komandanti suljot Diamantis ishte një nga komandantët më të guximshëm dhe më të shkathët të ushtrisë greke. Më 1803 suliotët u detyruan të tërhiqen në ishujt jonianë dhe ai shkoi në Agarfa ku u lidh me dy luftëtarë grekë, Kazantonis dhe Lepeniote, të cilët luftonin kundër pashait. Meqë pashai nuk i mposhti dot, ai i njohu ata si “armatolë”, shef milicie të Livadhiasë. Komandanti Diamantis i vazhdoi betejat e tij herë në Livadhja e herë në Eubea (Evia), në Olimp apo Volos e gjetkë.” Siç dihet, më vonë, më 10 prill të vitit 1826, Jani Papadiamanti, gjyshi i Moréasit, u vra në mënyrë heroike në kështjellën e Misolongjit, në moshën 52-vjeçare.

Moréasi i këndoi Hidrës dhe Sulit, që siç shkruante ai “ishte një kushmar për Ali Pashë Tepelenën”. Në tregimin e shkurtër “Kështjella e të bukurës”, ai flet për atë “zonjë të mbrojtur nga luftëtarët me pushkë të gjata shqiptare” dhe “kur kështjella do të pushtohej me dredhi, që të mos bjerë në duart e armiqve, zonja u hodh në greminë”. Një variant i ngjashëm me legjendën e kështjellës së Gjirokastrës. Ai shkruante poezi dhe parapëlqente kulturën franceze, veçanërisht Baudelaire, (Bodlerin). Më 1878, ai botoi në Athinë vëllimin poetik “Turtulleshat dhe gjarpërinjtë” me pesë kapituj, në frëngjisht. “Kur isha i vogël, – ka shkruar Moréas në librin “Udhëtim në Greqi”, – kisha dëshirë të vrapoja buzë detit. Isha një djalosh i shkathët dhe gaforret i kapja në vrimat e shkëmbinjve. Notoja çdo ditë dhe shkoja larg detit, si një “ksifias” i fortë, po aq i rrezikshëm si një shpatë që çan dallgët, të cilat bien duke u shpërbërë në formë harku. Por atëherë nuk e dija ende se ç’dashuri kisha brënda meje për oqeanin. Mungesa dhe muzat ma mësuan këtë më vonë…”

Babai i tij ishte i pasur dhe prokuror i Gjykatës së Lartë të Athinës, kështu që poeti i ri nuk përjetoi as mjerimin e Verlaine-it apo Baudelaire-it dhe as vuajtjet dhe marrëzinë e Rimbaud-së. Sigurisht, i ati donte që ai të bëhej jurist e jo poet, kështu që e dërgoi për studime në Gjermani. Por, në vend që të studionte Drejtësinë, ai lexonte Heine-n, Schopenhauer-in, dhe sidomos Goethe-n e Nietzsche-n, të cilëve do t’u referohej gjithnjë. Në moshën 17-vjeçare, ai u zhduk nga familja dhe bëri një arratisje të çuditshme me tren nëpër Itali, duke qëndruar në Bolonjë, Firence e gjetkë, dhe duke shijuar shumë lloj aventurash. Për Moréasin kishte filluar aventura e tij evropiane. Ç’kishte ndodhur në fakt?

Atë vit, Moréasi kishte shkuar për pushime në Patras, ku familja e tij kishte një pronë. Por poeti i ri donte të shikonte botën. Me 1000 franga që i kishte dhënë i ati për të kaluar pushimet, ai i hipi një anije për të zbarkuar në Itali e më pas të merrte rrugën drejt Parisit të ëndërruar që në fëmijëri të tij. E ëma e Moréasit, tregonte se kur i ati e mori vesh që ai ia kishte mbathur në Itali, i dërgoi dhe 200 franga të tjera që ai të kthehej, por Moréasi donte ta vazhdonte udhëtimin e ndërmarrë.
Pra, stacioni i tij i parë ishte Bologna, në Itali. “Kur mbërrita në Bologna munda të admiroj kullën Asinelli, – kujtonte Moréas. – Ishte verë…” Ai vizitoi teatrin dhe pastaj rrugën e prostitutave, siç kujtonte ai, të cilat iu shfaqën me një pamje që kurrë nuk e kishte parë. Padyshim duhet të ketë qënë një pamje tronditëse për një djalosh të ri që vinte nga Greqia konservatore dhe ku prostitutat ishin zhdukur që nga koha e Antikitetit, kur ato i përgjëroheshin monumentit të Afërditës dhe i jepeshin kujdo që vinte në Tempull. “Shumica e tyre kishte një lëkurë në ngjyrë mat. Ishin me flokë të zeza. Sytë u shkëlqenin dhe kur buzëqeshnin buzët u hapeshin. Ato më zgjasnin krahët e tyre të holla që mbanin zymbylë… Më në fund u dhashë ca para dhe ato nxituan të merreshin me zanatin e tyre, duke më lënë në duar plot lule…”.

Nga Bologna, Moréasi ishte nisur me tren drejt Gjenovës e më pas në Firence, ku ishte mahnitur me arkitekturën italiane. “Më së fundi mbërrita në Marseille e që andej në Paris… Ishte fati që më tregonte rrugën, pasi unë isha shumë i ri që të kuptoja veprimet e mia… Brigjet e Seinës, – kujtonte Moréas, më bënë aq shumë për vete saqë pastaj unë nuk munda të jetoja në Athinë, ku u ktheva në familjen time tri vjet më pas. Atëherë, unë u riktheva me nxitim në Paris dhe që nga mosha 20-vjeçare nuk u ktheva më në Greqi.”

Duke shkruar për jetën e mikut të tij Moréas, një nga kritikët e njohur të kohës, Félix Fénéon, shkruante: “… Që në adoleshencën e tij, ai udhëtoi nëpër tavernat e universitetit Heidelberg… Ai bëri gjithashtu dhe një pelegrinazh të trishtë në Frankfurt, ndaloi midis bavarezëve dhe për të shmangur studimet e vështira, me fantazitë e tij të holla, ai kaloi ca muaj të këndshme në brigjet e Rinit; pastaj përmes etapash të shkurtra, në dhjetor, ai zbriti në Shtutgart dhe Gjenevë, udhëtoi në Itali, ku u mahnit nga tablotë e Quatrocento-s, nga imazhet e Tiepolos dhe loja e ngjyrave të Guardi-t. Udhëtimi i tij i parë në Paris ishte në vitin 1872 dhe që këndej ai shkoi në Athinë për të jetuar ca ditë të zymta, me dëshirën e madhe për të ardhur përsëri në Paris, ku më së fundi erdhi dhe u fiksua para dhjetë vjetësh. Udhëtim përmes qytetërimeve si dhe përmes librave…” Në kujtimet e tij Moréas tregonte se “Kur lufta kishte mbaruar, (1871), dhe unë e lashë vendim tim për të ardhur në Francë. Në Athinë unë lashë një bibliotekë prej dymijë volumesh dhe veprash të autorëve të Rilindjes dhe të klasikëve tanë më të mirë. Në Paris ndoqa pa ndonjë interes shkollën e Drejtësisë. Babai im kishte qënë nxënës i Savigny-së dhe donte që të bëhesha magjistrat. Por unë u dhashë pas demonit të poezisë dhe frekuentova rrethet letrare dhe artistike të Quartier Latin e midis tyre të famshmin Hidropatë”

*autori është shkrimtar dhe ish-ambasadori ynë në Paris

Marrë nga kombëtarja.al
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë