Kjo nuk është përrallë. Është kryeministri i vendit, Sali Berisha, 68 vjeç, anëtar i PPSH-së prej vitit 1968, 22 vite në politikë, 5 vite president, 7 vite kryeministër dhe që premton të jetë edhe pas qershorit 2013. Është ai që një ish-miku i tij në kohën e komunizmit prej vitesh e quan "Sulltan". Është njeriu që merr nëpër gojë të gjithë dhe për gjithçka.
Vendtakimi është hoteli "Rogner", vetëm 100 metra larg Pallatit të Kongreseve ku në ora 18 të 11 dhjetorit, u bë festa e 22 vjetorit të themelimit të PD-së.
Berisha erdhi menjëherë aty, ndërsa në bulevard dhe në sheshin "Nënë Tereza" oshëtinin fishekzjarret për përvjetorin e partisë.
Për tu ulur në një tavolinë me disa njerëz të medias: Ylli Rakipi, Aleksandër Frangaj, Blendi Fevziu, Irfan Hysenbelliu etj.
Përballja e parë ishte me ish-botuesin e gazetës "Albania", të mbyllur tre vite më parë, Ylli Rakipi, i cili në vitet 1995-1999 ishte njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij. Një nga pjesëmarrësit në takimin e ngushtë tregon momentin e takimit mes tyre, ndërsa të hënën në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha i kishte lakuar emrin si pjesëmarrës në "darkën e gabuar", që në fakt ishte një darkë e zakonshme për 55-vjetorin e lindjes së politikanit dhe publicistit Preç Zogaj: "Berisha erdhi si ata të fëmijët e vegjël që zihen në faj se kanë bërë një gabim dhe i drejtohet Rakipit: "Si të futa unë aty! E di pse? Se ty të dinë për njeri të besueshëm. Ishe ti për atë bisedë aty, por ti nuk ishe aty dhe ky ishte një problem i madh shumë. Pastaj mendova dhe thashë se 30 veta ishin aty dhe mendova: Punë e madhe se nuk ishe ti dhe e futa të gjithë debatin dhe e kanë ngrënë në gjithë". Ish-botuesi Ylli Rakipi, që prej dy ditësh e kishte parë veten mes dyshimeve për përgojimin e bisedës mes miqve, kur në fakt nuk kishte qenë, iu përgjigj: "Po mirë ti duhet të lajmërosh kur bën gjëra të tilla".
Pastaj bisedat vijuan me komentet se sa mirë bëri Berisha që hapi thashethemet për "darkën e gabuar", duke zhvendosur vëmendjen nga refuzimi i statusit të vendit kandidat në BE, nga ministrat e jashtëm, deri te përplasja 22-vjeçare se si e ka privatizuar PD-në, duke përjashtuar gjithë oponentët.
KOKEDHIMA
Në një moment botuesi dhe pronari i TV Klan Aleksandër Frangaj i jep Berishës celularin e vet, pasi në linjë ishte botuesi i gazetës “Shekulli”, Koço Kokëdhima, të cilit kryeministri i drejtohet. Kokëdhima tha mbrëmë për “Shqiptarja.com” se biseda me Berishën ishte shumë miqësore. Berisha në dhjetra raste e ka akuzuar Kokëdhimën si “vëlla” të Edi Ramës, gjatë kohës që ai ishte kryetar bashkie dhe më pas kryetar i PS-së, duke thënë se kishte influencuar në shpërndarjen e fondeve për punët publike, deri të caktimi i kandidatëve për deputetë në partinë më të madhe të opozitës.
NGJELA
Në kohën që Spartak Ngjela ishte në studion e tv "A1 Report', duke shpjeguar "darkën e gabuar" dhe duke akuzuar Sali Berishën si vrasës dhe të çmendur, në "Ronger", Berisha kujtonte se si i kishte sajuar një rreng në median e vet Ngjelës, që aspironte të merrte drejtimin e Partisë së Legalitetit. Bëhej fjalë për vjeshtën e vitit 1997, kur PD-ja kishte dalë në opozitë dhe e kishte lënë vendin në kaos ekonomik dhe politik. Me ndihmën e gazetës që financonte, Berisha kujtoi në "Rogner" si iu sajua një martesë avokatit të njohur, që të diskreditohej publikisht dhe kështu të tërhiqej nga gara për kreun e Legalitetit. Dhe në fakt ashtu ndodhi. "Nuk kisha asnjë mundësi tjetër për ta hequr avokatin, se po ma merrte Legalitetin mënjanë dhe derisa ta merrnin vesh ata se problemin e kishte me Guron, i futëm urgjent martesën". Ngjela u largua nga drejtimi i partisë, ku ishte i ndjeri Guro Durollari dhe më pas në krye të saj u caktua po prej Berishës, Ekrem Spahia, sot zv.ministër i Mbrojtjes në qeveri.
YLLI NDROQI
Një tjetër emër i lakuar mbrëmjen e të martës në hotel "Rogner" ishte ai i pronarit të "Ora Neës". Njëri prej atyre që ishte në tavolin e ngacmoi edhe për Ndroqin, duke i kujtuar kohën kur shërbente si hoxhë. "Provizorisht, vetëm kur vinin gra që nuk lindnin"-e korrigjoi Berisha.
SHPIFJET
Ky është kryeministri i Shqipërisë dhe bisedat që bën, duke përgojuar kë të mundë. Një zanat që e ka patur pasion prej vitesh, duke sharë me "libër shpie" kundërshtarët politikë, duke u futur në krevatet e tyre, duke përfolur lidhjet e tyre martesore dhe jashtëmartesore. Gjykata e Lartë pak muaj më parë rrëzoi akuzën që familja e Edi Ramës bëri ndaj kryeministrit të vendit, që kishte përgojuar, të ndjerin Kristaq Rama, babain e kreut të PS.
BERISHA : PUCI NDAJ MEJE NE DARKEN E GABUAR
Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së grupin parlamentar të PD, të hënën u tregoi deputetëve të ashtuquajturin komplot, gjatë ditëlindjes së Preç Zogajt. "Më duhet t'ju rrëfej një "darkë të gabuar", jo si ajo e Kadaresë, por në disa nuanca shumë e gabuar, që ka ndodhur 5 ditë më parë, tek Rozafa, te kazinoja.
Aty, në dukje po festohej ditëlindja e njërit prej ish-bashkëpunëtorëve të mi. Në thelb, jo me një, por me disa dëshmitarë, kjo darkë ishte një lloj përpjekjeje për një gjysmë komploti apo puçi, që, natyrisht, nuk ishte ndaj kurrkujt tjetër, përveçse ndaj Sali Berishës. Darka së pari filloi me tezat se Enver Hoxha bëri shtet. Ideolog i kësaj teze ishte përzgjedhur nënkryetari i gjithëfuqishëm i PS-së, Koço Kokëdhima. Por dëshmitarë të çështjes ishin Edi Rama, Spartak Ngjela. Ndërkohë një ish mik i imi, një gazetar i një gazete që nuk botohet më, i thotë: Spartak, po çfarë shteti bëri Enveri, sepse ai të futi në burg ty dhe prindërit e tu.
Spartaku ia kthen: Në burg më futi, por më futi me ligje. Të pranishmit i kthehen Edi Ramës dhe i thonë: Kemi ardhur këtu për të bërë enverizëm, apo si të ftuar? Dhe ai u thotë se shtetin, Enveri e kishte serioz. Edi Rama bëri gjithçka për të lartësuar Enver Hoxhën dhe, natyrisht, për të nxirë figurën e Sali Berishës, muhabeti u prish komplet, kur gazetari që përmenda më lart, të cilit nuk po ia përmend emrin se nuk dihet si e marrin, i thotë: Kur unë kisha muhabet me Berishën, i kisha thënë në mënyrë të përsëritur që tre vetë nuk të duhen. Avokat Ngjela kthehet dhe e pyet kush ishin ata të tre. Dhe gazetari vazhdon: I pari Spartak Ngjela, i dyti Mero Baze, i treti Bamir Topi. Kjo gjë e xhindosi avokatin. Si përfundim, ajo çka në paraqitje ishte një ditëlindje, u shndërrua e tëra në një darkë të gabuar, jo me Gurametër, por me guralecë", deklaroi Berisha.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 13 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)