Rrëfehet i mbijetuari i Borovës: Si i
varrosa në oborr nënën dhe motrën

Rrëfehet i mbijetuari i Borovës: Si i<br />varrosa në oborr nënën dhe motrën
TIRANE - Një fshat i vogël, në këmbët e malit Gramoz, mes trekëndëshit Korçë-Ersekë Leskovik. Eshtë Borova. Pak kush e njihte deri në 6 korrik të 1943, dhe shumëkush e njeh pas kësaj date. Eshtë fshati i parë, ku shqiptarët provuan se ç’ishin në gjendje të bënin nazistët gjermanë. 107 të vrarë, nga foshnjat në djep, e deri tek pleqtë. 67 gra e vajza të masakruara. Një fshat i tërë në zjarr. Kjo ishte “njohja” e parë e Shqipërisë me ushtrinë e Hitlerit.

Sot fshati nuk ka shumë gjurmë nga “gjëma e Borovës”. Por ka kujtime. Kujtime të hidhura të grumbulluara tek i mbijetuari i Borovës dhe i vetmi i mbijetuar prej asaj kohe, Spiro Tota, sot 82 vjeç. Sytë e tij pikojnë ende lot, pasi brenda një dite, në moshën 12 vjeçare së bashku me babanë e tij, gërmoi dheun me një shatë në oborr të shtëpisë, për të varrosur njëherësh, nënën, motrën, gjyshen, djalin dhe vajzën e xhaxhait.  
 
Ai sot jeton në Pogradec. Kanë kaluar 70 vjet, mendja e tij mund të ketë shumë kujtime të humbura, por jo të asaj date, jo të 6 korrikut 1943. “Rreth orës 10 të paradites, nëna ime Eftalia, atëherë 38 vjeç, kishte përgatitur ushqimin për babain  Pandeliun që ishte në mullirin tonë  rreth 1 km larg fshatit”, nis ai mendueshëm rrëfimin e dhimbshëm. “Nuk kishin kaluar as dy orë që po qëndroja në mulli me babain dhe dëgjohet një batare e gjatë të shtënash.

Pas pak na vjen në mulli qeni ynë i shtëpisë, Bello i thoshim, ai hungëllinte dhe lëpinte plagën që i kullonte gjak. Babai e ndjeu se diçka e keqe na kishte ndodhur në familje. Ndërkohë në mulli mbërrin Thomaidha Lika me dy motrat e saja të vogla në krahë dhe i thotë babait se gjermani po bën hatanë në fshat, djeg dhe vret çfarë i del përpara. Ndërkohë që filluan të dëgjohen të shtëna më të shpeshta dhe shtëllungat e tymit ishin ngritur deri në qiell.

U kthyem në fshat me babanë. Shtëpi të djegura dhe mure të spërkatura me gjak, rrugët e kalldrëmta të fshatit ishin mbushur me kufoma. Babai më kishte kapur pas dore dhe me hap të shpejtë po drejtoheshim tek shtëpia jonë, por shtangëm. Tek dera e jashtme e shtëpisë gjetëm të shtrirë për tokë nënën, Eftalinë dhe motrën 17 vjeçare Poliksenin. I kam para syve, kokën e çarë të motrës dhe të nënës nga disa plumba që iu kishin depërtuar tejpërtej.

Pak më tutje shtrihej gjyshja ime 75 vjeç dhe pas gjyshes vinin me rradhë vajza e xhaxhait Venti dhe vëllaj i saj Koçua. Ishin qëlluar nga disa plumba me breshëri. Fillova të ulërij për njerzit e mi”, rrëfen Spiro përballjen e parë me tmerrin më të madh të jetës së tij 82 vjeçare, gati e gjithë familja e shfarosur nga plumbat në derë të shtëpisë. “I mori babai kufomat  në krahë dhe i futi  një nga një në oborrin e shtëpisë.

Babai pasi qëndroj disa çaste para trupave të pajetë të nënës, motrës, gjyshes dhe kushërinjëve të parë. Në masakër ishte vrarë edhe prifti i fshatit Grigor Papa. Tek secili që iu hidhja sytë më rrëqethej trupi. Së bashku me babain iu përkëdhelëm fytyrën iu fshim gjakun nga plagët e plumbave dhe iu  merrnim duart në dorën tonë, të gjithë pajetë nuk doja t`ju besoja syve. Edhe lotët më shterën, nuk kisha më lotë për të nxjerrë, isha tharë krejt.

Babai më tha që duhet t`i varrosim, por unë nuk pranoja do t’i marrim me vete në mulli i thashë unë. Por babai më bindi se ne duhet t`i nderonim dhe i vdekuri që t`a nderosh duhet t`a varrosësh. Me nga një shatë në dorë, vetëm ato ndodheshin, filluam të hapim nga një gropë jo shumë të thellë se nuk mundeshim. por vetëm sa i mbuluam me dhe se ishte vapë e madhe dhe prisheshin kufomat.

Pasi bëmë varrimin e tyre pas disa orësh shkuam përsëri tek mulliri ynë, ndërsa e lamë shtëpinë tonë krejt e rrënuar”, tregon dhimbshëm Spiro për ndarjen e fundit me njerëzit e tij më të dashur. Por nuk ishin të vetmit...”Të gjithë ata që kishin ngelur gjallë bënin të njëtën gjë, i varrosën të afërmit në oborret e shtëpive të tyre. Edhe pas dy ditësh, pas masakrës, kishte ende kufoma të pavarrosuar.

Ajri në fshat ishte i prishur, kufomat binin erë të rëndë. Ishte rreziku i një epidemie. Pas disa ditësh në përfytyrimin tim u skalit fjala jetim kur një bashkëfshatar që do të bluante ca misër i thotë babait, këtë jetimin si e ke? Babai i kafshoi buzën, unë vërtet kisha ngelur jetim. Në mesnatë, shkuam tek mulliri atje gjetëm shumë bashkëfshatarë tanë të rrënuar. Mulliri ishte një ndërtesë tre katëshe karakteristike dhe e quanin “Mulliri i Totës“.

Nuk kishin mbijetuar shumë dhe ata u mblodhën pikërisht tek ky mulli, jo vetëm për t’u ngushëlluar me njëri tjetrin, por edhe për shuar urinë. “Nata e parë u gdhi me uri dhe pagjumësi për më shumë se 40 veta që ishin grumbulluar aty duheshin ushqyer. Mbaj mend se babai kishte aty në mulli vetëm një sasi elbi, të cilën pasi e bloi, pasi e përzjeu me ujë dhe kripë, e bëri si kaçamak duke iu dhënë të gjithëve nga një racion.

Babai atë ditë ishte shumë i heshtur dhe hera- herës mundohej t’ju jepte zemër atyre njerëzve të dëshpëruar, por edhe ai vetë  ishte i dëshpëruar, sapo kishte varrosur njerëzit e tij më të dashur, por dhimbja të bëka të fortë, thoshte babai”. Këtu e mbyll kujtesën e tij Spiro për ato ditë tragjike që përjetoi Borova dhe familja e tij. Sytë e janë skuqur nga kujtimet dhe mundimi për t’i frenuar lotët të mos rrjedhin faqeve. “Jeta vazhdon”, thotë ai me dhimbje, por memeorja ime është plot.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Serie A/ Lazio dhe Milan barazojnë 2-2, Napoli përmbys 2-1 Parmën në fund! Ramadani dhe Berisha fitojnë derbin me Sherrin

Serie A/ Lazio dhe Milan barazojnë 2-2, Napoli përmbys 2-1 Parmën në fund! Ramadani dhe Berisha fitojnë derbin me Sherrin