TIRANË- Ai është “Petri i miss-eve”. Kjo është nofka që e ka ndjekur që prej angazhimit të tij me spektaklet e bukurisë. Për regjisorin Petri Bozo, rrugëtimi i tij në profesion ka qenë i mbushur me ngjyra, drita prozhektorësh dhe aq shumë bukuri, metaforike ose jo.
Studiot televizive janë për të një vend ku ai sillet aq natyrshëm, është në habitatin e tij, edhe pse gjithnjë ka qëndruar pas kamerës. Edhe këtë herë erdhi në “Esencë” për një retrospektivë, jo vetëm të jetës së tij profesionale.
“Kam pasur aparat që 5-vjeç dhe një laborator fotografik në shtëpi, çdo foto që bëhej stampohej në shtëpi dhe çdo mëngjes gdhiheshim me foto te pasqyra që thaheshin”, tregon ai.
![]()
“Dëshira ime për udhëtime, është ngjizur nga prindërit e mi”-rrëfen Petri ndërsa kujton kohën e fëmijërisë.
Kujton që ka qenë një fëmijë, shumë i lëvizshëm. Dhe ai tregon që këtë shpirt aventure e ka ngjizur edhe tek spektaklet që bën sot.
“Asnjëherë nuk e kam ndarë punën nga qejfi ose qejfin nga puna. Kjo ndoshta mund të jetë një simbiozë që i ka çuar shumë mirë përpara gjërat në jetën tonë”, shprehet Bozo.
Ai rrëfen se ai dhe bashkëshortja e tij Alda mbështesin njëri-tjetrin në çdo iniciativë sado e vështirë apo e guximshme të duket.
Teksa flet për dëshirën për të promovuar Shqipërinë më anë të “Miss Globe”,Petri rrëfen vështirësinë teknike për realizimin e tyre, një sfidë që ia vlen gjithëherët, për çdo vlerë historike dhe kulturore të vendit.
Një nga gjërat më të çmuara që regjisori Petri Bozo zotëron është një arkivë e larmishme me shumë foto dhe video nga jeta familjare dhe veçanërisht nga angazhimet profesionale, një pasuri për punën dhe kontributin e tij ndër vite. Disa video surpriza në studio e emocionuan regjisorin, ndër to fituesja e këtij viti e “Miss Globe” Anabel Payano.
Mesazhe të ngrohta erdhën edhe nga miqtë e tij të ngushtë Auron Janku, Aleksandër Marku, Arben Pëllumbi. Qershiza e tortës ishte mbesa e tij Noara e cila luajti një pjesë në piano për gjyshin e saj Petrin.
B.K./Shqiptarja.comKomente

