TIRANE-  Dje në pjesën e parë të intervistës babai i Ilir Metës, Rexhep Meta, tregoi fëmijërinë e djalin tij dhe një pjesë nga adoleshenca. Në këtë pjesë të dytë dhe të fundit, mësojmë se si Ilir Meta vazhdoi studimet për ekonomikun, si u përplas me zyrtarë të lartë të partisë në pushtet, e mandej përfshirjen e tij në politikë, duke u angazhuar me FRESSH që në momentin e parë të themelimit të këtij forumi.
 Pjesa e parë e Intervistës së Rexhep Metës: Ju tregoj djalin tim

Para se të dalim te Lëvizja e Dhjetorit dhe të ndalemi te roli i Ilirit në ato ngjarje, a mund të na thoni se për studimet e larta, Iliri e zgjodhi vetë degën e Ekonomikut?

Kjo është një histori më vete dhe shumë e gjatë, por që në fillim desha t’ju them se Iliri e zgjodhi vetë atë degë. Pasi mbaroi gjimnazin, siç ishte rregulli ai bëri kërkesë për tre degë:  Histori-Gjeografi, Mjekësi dhe Ekonomi Politike. Por edhe pse Ekonomikun e vuri të tretin, ai na thoshte: “Ose në Ekonomik, ose nuk shkoj fare në shkollë të lartë”. Dhe ne ramë në hall vërtetë. Kështu që filluam të lëvizim. Dy ditë para se të afishoheshin të drejtat e studimit, dërgova në seksionin e Arsimit, pranë Komitetit Ekezekutiv të Tiranës, shokun tim, Agim Zota (ish-nënoficer, jeton në Durrës) me qëllim që të pyeste se a i kishte dalë Ilirit për Ekonomik.
ilir meta
(Foto: Ilir Meta)

Ne donim ta dinim, pasi po të afishoheshin listat, nuk mund të ndërrohej më dega. Agimi erdhi ne repart dhe tha se nuk kishte mundur dot të çante për të mësuar degën e Ilirit. Këtë bisedë na e dëgjoi shoku ynë Flamur Xhangolli (oficer, Ndërlidhje)i cili mësoi se në fakt Ilirit i kishte dalë për inxhinieri ndërtimi. U mërzitem shumë pasi Iliri na e bëri të ditur: O Ekonomik, ose fare. E bisedova përsëri këtë gjë me një mikun tim të ngushtë. Dhe kështu Iliri në vitin 1988 filloi studimet për Ekonomi Politike (ku ishin vetëm katër vajza )duke i përfunduar ato me rezultate shumë të mira.
 
Të kthehemi tek ajo që ju ndërpreva më lartë, a kishte shfaqur Iliri ndonjë rezervë lidhur me regjimin në fuqi të asaj kohe?

Të jem i sinqertë deri në fund, nuk di të them me shoqërinë e tij, por në shtëpi edhe fliste ndonjëherë për ndonjë pakënaqesi. Më kujtohet 2 korriku i vitit 1990-të, kur shoku i tij i ngushtë, Tan  Gërmenji  hyri në një ambasade, Iliri erdhi në shtëpi dhe pikë e vrer rrinte vetëm në dhomë. Në një moment ai më thirri dhe me tha: “O ba, a të shkoj dhe unë të futem në ambasadë”? Ndërsa me shikonte drejt e në sy për të marrë ndonjë përgjigjie pozitive, une ia ktheva; Po e bëre këtë gjë, do të mërzitemi të gjithë në shtëpi…

Dhe kështu u mbyll kjo punë. Por rezervat e tij lidhur me regjimin e asaj kohe, Iliri i ka shfaqur hapur që në vitin 1990, më saktë në shtatorin e atij viti kur vazhdonte studimet e larta në Ekonomik. Në atë kohë ai debatoi ashpër me sekretarin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, Abdyl Backën, duke i thënë: “Shoku sekretar, kush është shkaku që ikën djemtë e nënave më 2 korrik nga ambasadat? Si e keni katandisur Shqipërinë kockë e lëkurë”? Pas kësaj shokët e tij studentë e duartrokitën, ndërsa sekretari nuk i ktheu fare përgjigje.

A pati probleme Iliri për këtë gjë, pasi në shtatorin e 1990-ës nuk kishte filluar akoma krisja e regjimit?

Ato gjëra ai i tha në mbledhjet e rinisë, (pasi Iliri në atë kohë ishte zgjedhur zv/ sekretar i komitetit të Rinisë së Fakultetit), dhe patjetër që nuk u shikua me sy të mirë. Them kështu pasi për atë debat më njoftuan mua zyrtarisht në repartin ushtarak ku shërbeja, duke me thënë: “Shikoje pak djalin, se po flet pak si shumë…”
ilir meta,monika,djali dhe vajza ilir meta,monika,djali dhe vajza
(Foto: Ilir Meta me bashkëshorten Monikën, djalin dhe vajzën)

A biseduat me Ilirin për atë gjë?

Po patjetër. I thashë për sa me kishin thënë shokët e komitetit të partisë në repart dhe ai m’u përgjigj: “Baba, për këto gjëra nuk ju pyes më”. Dhe ashtu ndodhi në të vërtetë. Pas disa ditësh po në një mbledhje rinie ai pati një debat tjetër me Foto Çamin, të cilit i tha: “Shoku sekretar, nuk është aspak e vërtete se ata të 2 korrikut ishin huliganë. Ne kemi pasur shumë shokë tanët që ikën me ambasadat dhe ata ishin djem model. Ata ikën se kështu e katandisët ju Shqipërinë”. Dhe Foto Çami iu përgjigj” “Ahhh…. ke të drejtë more djalë…!”
 
A ka qene Iliri si anëtar i PPSH-së në atë kohë që merrej me punët e rinisë në fakultet?

Jo vetëm që nuk ka qenë, por as nuk ka dashur që të pranohej. Edhe kur i flisnim ne ndonjëherë për këtë gjë, pra që të pranohej në parti, ai me ironi shprehej: “Jam i ri, duhet të piqem”.
 
A e ka pasur Iliri si të thuash ndjenjën e protagonistit, pasi është i njohur fakti se; edhe pse ai ishte në takimin e studentëve me Ramiz Aline, nuk u shqua më, apo si të thuash mbeti në hije në Lëvizjen e Dhjetorit, nuk u aktivizua fare me Partinë Demokratike të sapoformuar  dhe vetëm kur u formua Partia Socialiste ai doli në skenë?

Lidhur me këtë pyetje unë po u tregoj disa gjëra se çka ndodhur me Ilirin në atë kohe dhe ju nxirreni vetë konkluzionin nëse ai ka pasur ndjenjë protagonisti. Në tetorin e vitit 1990-te, Iliri shkoi me shokët e tij studentë për eskursion në Himare dhe kur u kthye që andej më tha: “Babi, krijuam një qeveri tjetër me shokët e fakultetit dhe si kryeminister zgjodhëm një djalë nga Kruja, pasi jo vetëm pse ishte 10 vjet më i madh se ne, por dhe më i zoti. Ndërsa mua më zgjodhën zv/kryeminister”. Nuk më kujtohet për momentin emri i atij djalit krutan, por Iliri e ka shok edhe sot e kësaj dite. Po kështu edhe për takimin me Ramiz Alinë që shtruat pyetjen, Iliri vajti edhe pse unë i thashë që të mos shkonte pasi do të na linte pa bukë. Por ai nuk na pyeti, fare shkoi në atë takim dhe na krijoi shume probleme si familje.
 
Çfarë problemesh?

Të nesërmen e takimit të studentëve me Ramiz Alinë ku ishte dhe Iliri, mua më thërritën në Komitetin e Partisë së repartit ku shërbeja (Ndërlidhje në Tufinë) dhe më kërkuan llogari se pse, si komunist që isha, e kisha lejuar djalin që të dilte në protesta e demonstrata kundër vijës së partisë etj etj. Dhe më bënë presion se në rast se nuk do e mblidhja djalin, do më përjashtonin nga puna dhe do më lironin si ushtarak. Të gjitha këto gjëra ia thashe Ilirit në darkë në shtëpi, duke i përsëritur disa herë se po të shkonte më në protestat e studentëve mua do më hiqnin nga puna dhe do vuanim si familje për bukën e gojës.
 
Më pas ai u aktivizua me Partinë Socialiste duke dalë deri në krye të saj…?

Po u aktivizua, por kjo ndodhi në vitin 1992 dhe deri atëherë rrodhën shume ujra…! Iliri fillimisht u aktivizua me FRESH (Forumin Rinor të Partisë Socialiste). Gjatë periudhës që ishte aktivizuar me FRESSH-in, Iliri pati disa ftesa nga organizata dhe forume socialiste dhe udhëtoi disa herë jashtë. Për herë të parë ka qenë gushti i vitit 1992 kur ai shkoi në Danimarkë dhe kjo gjë u realizua me shumë sakrifica pasi shpenzimet ishin tërësisht të tijat. Deri në momentet e fundit që do nisej ishin problem shpenzimet e udhëtimit derisa e ndihmoi e motra, e cila prej vitesh zotëron shtatë gjuhë të huaja dhe Iliri për këtë fakt thotë shpesh se: motrën e kam më të zonjën se veten.
ilir meta ne vitet e para te angazhimit ne politike
(Foto:Ilir Meta në vitet e para të angazhimit në politikë)
 
Ju personalisht deri në ç’kohë shërbyet si oficer dhe me se u morët më pas?

Unë kam shërbyer si oficer deri në vitin 1992 kur na kapi reforma dhe dola në lirim. Në atë kohë si shumë familje shqiptare edhe ne mbetëm keq. U detyrova dhe dola në Pazar te tezgat. Fati e deshi që tregtia të na shkonte mirë dhe për dhjetë vjet me rradhë, së bashku me bashkëshorten time Fiqretin, kemi dalë aty te tezgat, në të ftohtë dhe në të ngrohtë, në shi, borë e diell përvëlues dhe shyqyr dolëm shumë mirë e nuk jemi keq.
 
Thuhet se atë punë, pra tregtinë te tezgat, e keni bërë edhe në kohën kur Iliri ishte kryeministër?

Po po, pa asnjë problem dhe me kënaqësinë më të madhe. Nuk kishte asnjë lidhje puna apo funksionet e djalit me punën që bënim ne. Nuk i kemi ngatërruar kurrë këto gjëra. Djali ka parë punën e vet dhe ne kemi jetuar e jetojmë me djersën tonë. Dhe kjo gjë na ka bërë të jemi shumë mirë dhe mjaft të lidhur me njëri tjetrin.
 
Zoti Rexhep, ju falënderojmë për intervistë
n...

Falemnderit dhe prej jush dhe gazetës suaj të nderuar Shqiptarja.com.         

Shkrimi u publikua sot(13.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
Redaksia online
(v.gj/shqiptarja.com)