Rrëfehet violinisti, Papavrami: Bah-u 
më ka shoqëruar gjithë jetën time

Rrëfehet violinisti, Papavrami: Bah-u <br />më ka shoqëruar gjithë jetën time
TIRANE- Tedi Papavrami këto ditë rikthehet në Tiranë, jo vetëm me violinën, por edhe me librin e tij të përkthyer në gjuhën shqipe “Fugë për violinë ”. Violinisti virtuoz do të interpretojë për herë të parë në Shqipëri ciklin e plotë të sonatave dhe partitave të Johan Sebastian Bah. Artisti do t’i dhurojë publikut shqiptar për dy ditë rresht në Teatrin e Operës dhe Baletit dy koncerte me violinë solo. Koncertet do të jepen sot dhe nesër në orën 20.00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Dje paradite, në Universitetin Europian të Tiranës, Papavrami ka promovuar librin e tij “Fugë për violinë”, i cili është përkthyer nga Blerta Hyska dhe redaktuar nga Ajola Xoxa.

Violinisti virtuoz ka rrëfyer në këtë libër peripecitë e tij që nga koha e fëmijërisë në Shqipëri nën presionin e diktaturës, deri tek sukseset e mëdha në Francë, Europë e në mbarë botën. Presidenti i UET, Adrian Civici pasi çeli ceremoninë e promovimit të librit, theksoi se libri duhet konsideruar “si një manual shumë i vlefshëm për të gjithë të rinjtë që në auditorët e universitetit imagjinojnë dhe dëshirojnë një karrierë të suksesshme në profesionet e tyre”. “Tedi Papavrami sot është një nga personalitet më të shquara botërore në fushën e muzikës dhe një krenari për të gjithë ne”, pohoi ndër të tjera Civici. Papavrami është shprehur se është ndier shumë i emocionuar për botimin e librit në shqip, pa e fshehur se është edhe kurioz për mbresën që do të lërë tek shqiptarët. “Dhe tani është një rikthim në gjuhën shqipe. Kjo bën një jehonë të çuditshme te mua, po aq sa edhe ardhja ime këtu”, tha Papavrami, i cili ka folur edhe për programin e koncertit të tij dyditor në Tiranë.

“Nuk është i rastit që koncerti i kushtohet kompozitorit Bah, ai që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës time dhe që është shumë prezent në librin tim. Shpresoj që libri do t’iu sjellë shqiptarëve diçka nga ajo që unë jam munduar ta shprehë me sinqeritet”, tha dje Papavrami. Ndërkohë Ajola Xoxa, e cila ka bërë redaktimin e librit, në fjalën e saj e vlerësoi këtë botim si një e mirë shumë e madhe që i vjen publikut shqiptar. Sipas saj në këtë botim rrëfehet edhe Shqipëria komuniste me dramën e shumë njerëzve të asaj kohe.

Tedi Papavrami i detyruar të arratisej me dy prindërit e tij nga Shqipëria në vitet ’80, edhe pse ishte në një moshë shumë të re, nuk e harroi asnjëherë Shqipërinë. Ai shprehet se e kaluara bashkëjeton me të sotmen. Dhe e kaluara ka qenë e mbushur me emocione dhe drama personale. Ndërsa këto ia rrëfen lexuesit në librin “Fugë për violinë”, Tedi Papavrami aktualisht është një artist me famë botërore, i cili jo vetëm ka interpretuar në sa e sa vende të botës, por krahas karrierës si violinist ka përkthyer edhe një seri veprash të njohura të Ismail Kadaresë, Jusuf Vrionit, etj. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit