Rrëfej babanë tim Selman Riza
Jeta mes përndjekjeve, intrigave

Rrëfej babanë tim Selman Riza<br />Jeta mes përndjekjeve, intrigave
TIRANE- Ai kishte tipare dalluese prej shkencëtari që prej viteve të hershme të rinisë së tij. Dhe po, mjaft dominante ishin edhe tiparet e tij prej atdhetari. Por këto tipare, duket ia vështirësuan e ja komplikuan jetën Selman Rizës, një kritik i pashoq gjuhësor e një gjuhëtar që shkencën nuk e ngatërronte kurrë me politikën. “...Pas ndëshkimit me burg dhe internim prej pushtuesve fashistë për rreth dy vjet, lidhet me qëndrimin e hapur kundër pushtuesit. Më pas, si udhëheqës i veprimtarisë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, burgoset për shtatë vjet në Shqipëri dhe Kosovë nën pushtimin serb. Regjimi Enverist, në vitin 1948, ia dorëzoi Selman Rizën autoriteteve serbe, për të kaluar i prangosur prej burgut të Tiranës në atë të Prishtinës.


Intelektuali me përmasa europiane, kalonte prej këtyre burgjeve paralele në mbarë treguesit si “kriminel ndërkombëtar-lufte”, ashtu si dhe patriotë të tjerë kosovarë....” Këto fjalë të Emin Rizës, djali i gjuhëtarit Selman Riza, na zbulojnë një pjesë të vogël të fi llesave të dramnës së shkencëtarit të njohur. Ai na rrëfen për rrafshin jetësor, profesional dhe botimin e veprave që la dorëshkrim babai i tij, na rrëfen përndjekjet, spiunimet, smirën dhe intrigat, që iu bënë një jetë të tërë, të cilat, pavarësisht, nuk ia prenë hovin e studimeve dhe kërkimeve gjuhësore.

Selman Riza pati shumë uljengritje në jetën e tij, disfata të mëdha jetësore e profesionale. A mund ta përmbledhim në një përgjigje se çfarë e karakterizon veprën e Selman Rizës në rrafshin jetësor? Në fushën e albanologjisë, apo veprimtarisë kërkimore të gjuhësisë, historisë dhe krijimtarive lëndore e gojore të etnosit iliroshqiptar, Selman Riza zë një vend të veçantë në atë të gjuhësisë. Siç pohonte, me synimin ngulmues për saktësi, ai ishte studiues i morfologjisë së shqipes që prej fillimit të shkrimit të saj dhe deri më sot. Më tej rreth viteve 1970, pas përjashtimit zyrtar prej veprimtarisë kërkimore, të pashembullt për një shoqëri normale dhe unike, madje edhe në atë bolshevike, ai nuk iu nda veprimtarisë kërkimore. Tashmë ai e shtriu atë edhe në fushën e një kërkimi të ri për të hedhur bazat e një shkence të re të formuar prej dy degësh komplementare “intelektologjisë” dhe “komunikativistikës”. Krahas, ai nuk rreshti së menduari, siç e provon vepra e fundit “Mendime të shkëputur të një vazhde së vetme” botuar pas vdekjes, më 2009, prej shtëpisë botuese Dukagjini në Kosovë.

Studiuesi Selman Riza, për disa arsye është një figurë e jashtëzakonshme, mbështetur në jetën e tij të zotëruar fortas, prej profesionalizmit dhe patriotizmit. Në dyemërshin profesionalizëm-patriotizëm, ai pa ngurrim i dha përparësinë e duhur të dytit. Ndëshkimi me burg dhe internim prej pushtuesve fashistë për rreth dy vjet, lidhet me qëndrimin e hapur kundër pushtuesit. Më pas, si udhëheqës i veprimtarisë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, gjatë enverizmit, apo bolshevizmit të skajmë, ai burgoset për shtatë vjet në Shqipëri dhe Kosovë nën pushtimin serb. Regjimi Enverist, në vitin 1948, ia dorëzoi Selman Rizën autoriteteve serbe, për të kaluar i prangosur prej burgut të Tiranës në atë të Prishtinës. Intelektuali me përmasa europiane, kalonte prej këtyre burgjeve paralele në mbarë treguesit si “kriminel ndërkombëtar-lufte”, ashtu si dhe patriotë të tjerë kosovarë. Bashkëjetues me të, pas moshës 18 vjeçare, shpesh, madje dhe sot mendoj dhe çmoj si rrallësi të karakterit njerëzor, qëndresën e Selman Rizës, kaluar dy vjet në burgjet dhe internimet e fashizmit dhe shtatë vjet në ato të enverizmit dhe titizmit, shembullorë për çnjerëzinë e tyre. Më tej, edhe pas kthimit në Shqipëri, me këmbënguljen e tij në vitin 1955 dhe punësimin në Institutin e Gjuhësisë, atij nuk iu ndanë përndjekjet, gjurmimet dhe spiunimet, shoqëruar me smira mizore mjeshtërish të intrigave dhe poshtërsive, kuptueshëm në poste drejtuese. Viti 1967, shënoi ndalimin e veprimtarisë kërkimore të Selman Rizës dhe botimeve të punimeve të tij, pas veprimeve, qartësisht synuese për poshtërim dhe shpërfillje.

Po në rrafshin profesional ç’mund të thuhet për Selman Rizën?

Njohës intim i Selman Rizës, si bir i tij, pa qenë gjuhëtar, mund të pohoj pamëdyshje se ai shfaqet në fushën kërkimore të gjuhësisë shqiptare, apo në albanistikë, siç shprehej ai, me tipare qartësisht individuale. Kjo mëvetësi, shprehej në konceptet e tij, përgjithësisht të vetëformuara, natyrisht mbështetur edhe mbi arritje metodologjike bashkëkohore, me synimin e qartë për të arritur, apo siç pohonte ai për t’iu afruar sa më pranë të vërtetave. Për dy arsye bashkëplotësuese, arritjet fillestare në fushën e gjuhësisë shqiptare dhe përgjithësisht niveli mesatar i studiuesve e bënin një studiues të formuar dhe lartsynues si Selman Riza, sa kritik për arritjet paraardhëse, aq edhe novator për këndshikimet e reja. Kuptueshëm, veçanërisht në shqyrtimin kritik të trajtesave pararendëse, ai është njëherazi i thelluar dhe i prerë, për të ndaluar, sipas tij, pasaktësitë, apo gabimet e llojeve dhe thellësive të ndryshme. Besojmë ngultas se ky qëndrim, as për së largu nuk duhet mbajtur si vetëpohim, por thjeshtë si mishërim i synimit për t’iu afruar të vërtetave. Kuptueshëm, niveli i tij profesional dhe konsiderimi i punës dhe më gjerë njohjes së dukurive si thelbësore, e shfaqin të tillë këtë studiues. Do të pohonim se prirjet e tij qartësisht rinuese (novatore), lidhen edhe me fondin e gjerë të kulturës franceze të cilën ai e kishte përvetësuar dukshëm. Kështu vetia e bashkëlindur kërkuese, gjeti te shkolla franceze hapësirat e synuara në rrafshet praktike, pra metodike dhe metodologjike. Risitë e studiuesit Selman Riza, shfaqen nëpërmjet një gjuhe qartas vetjake, me sintaksë dhe terminologji synuese drejt saktësisë, njëherazi shprehëse të një mendësie në disa këndvështrime të veçantë. Është rasti për të pohuar se kjo mendësi, shpesh ka qenë objekt konsiderimesh që prej atyre shpërfillëse deri tek ato lartësuese, do të thoshim në përputhje me nivelin profesional dhe kulturor të shprehësve të tyre, shpesh me implikime jashtëshkencore.

Ai la shumë vepra në dorëshkrim, e kjo ëpr shumë arsye që lidhen me jetën e tij në diktaturë. Ç’mund të thuhet për botimin e veprave të Selman Rizës?

Pa synuar të jetë origjinal me çdo kusht, si pohonte vetë Selman Riza, ai qe i tillë edhe në fushën e publikimit të veprave të tij. Situatat jashtëshkencore, kryesisht politike, si dhe shfrytëzimi deformues i tyre, veçanërisht në gjysmëshekullin enverist, qenë përcaktuese në pengesa deri në heqjen e së drejtës së botimit për studiuesin sa të palodhur, aq edhe veprakrijues. Artikulli i parë i Selman Rizës “Serbët dhe kosovarët” është botuar më 1 tetor të vitit 1930 në të përjavshmen “Shqipëria e re” të Kostancës, me nënshkrimin “Një djalë kosovar”. Artikulli i fundit, në të gjallë të tij, është “Kostaq Cipoja gramatikan dhe stilist”, botuar në “Revista pedagogjike”, Tiranë 3/1973. Jeta e tij dinamike, pleksur me realitetet nën tre diktatorët zemërzinj, Duçe, Enver hoxha, Tito, pandarë e lidhur me fushën e gjuhësisë shqipe, madje edhe copëzueshëm, në rrethana thuajse në kufijtë e pamundësisë, shprehin bashkëlidhjen e Selman Rizës me kërkimin. Në këtë kontekst, botimet e Selman Rizës në revista shkencore, krahas monografive, kryesisht për gjuhësinë shqipe, kanë ecuri të veçantë. Ato janë botuar së pari dhe kryesisht në Shqipërinë politike dhe gjerësisht në Kosovë. Për arsyet e njohura të vetëmbylljes së Shqipërisë enveriste dhe trajtimit të tij si kundërshtar i regjimit, deri më 1967 mbikqyrtas dhe më pas sheshazi, ai nuk pati mundësi të botonte jashtë vendit. Nëse do të klasifikonim botimet e Selman Rizës, për arsyet e lartpërmendura, kjo renditje, gjithashtu paraqet veçanti deri në unikale. Kështu botimet në Shqipëri, në gjalljen e tij, i përkasin dy periudhave asaj të viteve 1930-1944 dhe të viteve 1955-1967. Rifillimi i botimeve të veprës së Selman Rizës në Shqipëri, i përket periudhës, pas përmbysjes së enverizmit më 1990. Në Kosovë, botimet e veprave të Selman Rizës fillojnë që në vitin 1951 një artikull në gazetën “Jeta e re” me titull, “Problemi gjuhësuer dhe zgjidhja e tij”, për të vazhduar pandërprerë, ende dhe sot.
Botimet e Selam Rizës, lidhen edhe me fillesën e gjinisë së monografisë gjuhësore shqiptare me veprën “Tri monografina albanologjike” të vitit 1944. Më tej, në vitin 1953 ai botoi në Kosovë, një monografi për Diftoret e shqipes, për të vijuar në Shqipëri për Pronoret e shqipes dhe Emrat në shqipe, dhe në vitin 1994 në monografinë për foljet, vepër e përfunduar që në vitin 1967. Krahas, Selman Rizës i është botuar pas vdekjes monografia për pesë autorët më të vjetër të shqipes (2002) në Shqipëri.
Kur flasim për botimin veprave të studiuesit Selman Riza për gjuhën shqipe, duhet të theksojmë ndihmesën e jashtëzakonshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe posaçërisht gjuhëtarit të shquar Rexhep Ismajli. Me nismën dhe vijimësinë prej profesionisti të përkushtuar, Rexhep Ismajli është realizuesi i botimit të veprave gjuhësore të Selman Rizës, në pesë vëllime, duke filluar i pari në vitin 1996 dhe përfunduar i pesti në vitin 2009.
Krahas gjuhësisë, siç përmendëm, Selman Riza është marrë me filozofi në kuptimin e kërkimeve të karakterit përgjithësues në fushën e mendimit, siç e provon vepra e tij e fundit, botuar gjithashtu në Kosovë më 2009.
Jeta e tij dramatike, apo e truar, siç pohonte ai në porosinë e fundit, lidhet edhe me humbjen e disa veprave të rëndësishme. Kohësisht, po përmendim së pari, monografinë Elena Gjika (Dora d’Istraia), shkruar më 1936, për mbrojtjen e doktoraturës në Fakultetin e Filozofisë së Universitetit të Vjenës. Kopja e vetme e shtypur e mbetur e këtij punimi, humbi në rrethana të paqarta. Në vitin 1944, Selman Riza hartoi monografinë, me rreth 200 faqe, “Mbi çështjen nacionale të Kosovës”, në vijim të veprimtarisë si frymëzues dhe drejtues i Lëvizjes irredentiste, që kërkonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo vepër, dorëzuar një shtëpie botuese në Tiranë, nuk u botua dhe prej saj nuk mbeti asnjë gjurmë. Edhe monografia “Hyrje në gjuhësinë e përgjithshme”, hartuar gjatë viteve kur Selman Riza ishte shef i Seksionit të Gjuhësisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në vitet 1953-1955, ka humbur.
Natyrisht Selman Riza e ndjente thellë dëshpërimin për mosbotimin e veprave, fryt i një mundi mbinjerëzor, shpesh në rrethana të vështira. Mund të pohojmë se kjo padrejtësi, e cila dëmtonte atë dhe fushën kërkimore të gjuhës shqipe, qëndronte paralelisht me mbetjen e Kosovës nën thundrën çnjerëzore serbe. Pak muaj para vdekjes ai më pat shqiptuar: sa kohë që në Kosovë kemi shumicën dërmuese të popullsisë shqiptare, nuk duhet t’i humbasim shpresat. Pas rreth 11 vjetësh Kosova u çlirua dhe në 100 vjetorin e lindjes së tij më 26 nëntor 2009, eshtrat e tij u prehën përfundimisht në Gjakovë. Kështu u krye porosia e tij e shkruar më 23.12.1973: “Mbjetjet e një jete të truar, padallim gjithë bashkëkombasvet të mi, dëshiroj të më prehen atje ku kam lindur: NË KOSOVËN SHQIPTARE”.

Pas gjithë kësaj pasyre që bëmë më lart, a mund të themi se në ç’shkallë është njohja dhe vlerësimi i veprës së Selman Rizës sot?

Për t’iu përgjigjur saktë dhe ngjeshurazi pyetjes suaj do të thosha se njohja është ende e pakët dhe për pasojë vlerësimi thuajse i mangët. Njohja me jetën e Selman Rizës, madje edhe për profesionistët e rinj të fushës së gjuhësisë shqiptare i përket kryesisht periudhës pas viteve 1990. Rifillimi i botimit të veprave të tij në Shqipëri dhe vazhdimi, madje me ritme të shpejtuara dhe synime ezauruese në Kosovë, po e bëjnë përherë e më të njohur figurën dhe veprën e Selman Rizës. Është rasti për të theksuar botimin e Engjëll Angonit “Selman Riza, gjuhëtar dhe atdhetar i shquar”, botuar në vitin 1999 dhe atë të akademikut Rexhep Ismajli “Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës”, botuar në vitin 2009. Këto botime, mbështetur në fakte, shtjellojnë jetën dhe veprën, thuajse të panjohur të Selman Rizës. Krahas një sërë gjuhëtarësh dhe intelektualësh shqiptarë, kanë shtjelluar jetën e tij plot brenga dhe pengesa deri në çnjerëzore. Pa qenë specialist i fushës, do të pohoja se për disa arsye, kryesisht pseudopolitike, veçanërisht figura e Selman Rizës dhe kryesisht vepra e tij, presin trajtimet e tyre për ndihmesat në fushën e kërkimeve albanistike. Gjuha shqipe, thelbi i etnisë së stërlashtë iliro-arbëresho-shqiptare, pret zhvillimet e duhura, në të cilat ndihmesa e gjuhëtarit Selman Riza do të jetë e pranishme, sepse të vërtetat i qëndrojnë kohës. Më lejoni të pohoj se unë, që as për së largu nuk i afrohem Selman Rizës si studiues dhe atdhedashës, sot jam akademik, ndërsa ai mezi siguroi një pension të vogël, sepse iu njohën vite pune vetëm 16 vjet, duke pasur vetëm titullin “profesor”.
(Foto: Selman Riza dhe faksimile e dorëshkrimit që fl et mbi qëndrimin e Selman Rizës mbi diskutimin në sektor mbi punimin “NYJAT E SHQIPES”)

Shkrimi u publikua ne suplementin RILINDASI, 10 shkurt 2013

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim