Ndërsa Fatos Nano ndodhet i shtruar në spital Rudina Xhunga ka risjellë një intervistë të tij të dhënë për “Koha Jonë”, ku ai tregonte disa detaje nga jeta e vet.
E një prej tyre ishte se Nano, për pak ndërroi jetë kur ishte vetëm 9 vjeç.
-Si t’ju drejtohet “Koha Jonë”, pas daljes nga burgu, zoti, apo shoku Fatos?
Të bëhemi shokë, aq më mirë. Ndoshta, shoku është apelativ më pak zyrtar dhe më shumë njerëzor.
Ku keni lindur dhe kur?
Në maternitetin e Tiranës, në shtator të 52-shit.
Ju kanë treguar për ndonjë shenjë të veçantë të ditës së lindjes?
Ka qenë ditë krejt e zakonshme. Shenjat e çuditshme, s’di sa parathënëse u shfaqën më vonë. Në moshën 9 vjeçare nëna më solli dhe një herë në jetë. Ndërsa kisha rënë në kllapi, pas një konvulsioni ethesh dhe gjyshja mendonte se flija, nëna, e porsa kthyer nga shkolla ku jepte mësim, me intuitën që vetëm nëna e ka, më rrëmbeu nga vdekja e afërt dhe me biçikletë më çoi përtej çdo shpejtësie të imagjinueshme në spital.
Në shkollë ishit nxënës ambicioz apo…?
Vizioni im i hershëm ka qenë të shijoja jetën pa neglizhuar përgatitjen për gjithë ç’mund të ndeshja rrugës. Ngaherë i kam pranuar dhe përballuar sfidat, por s’mund të them se i kam fituar të gjitha. Ambicioz? Sigurisht, në sensin ndërtues.
-Kur filluat të interesoheshit për socializmin?
Atë kohë socializmi ishte ideja fener. Qiell i kaltër, ku dhe mund të luaje, së paku deri në adoleshencë. Raporti me jetën i brezit tim s’ka qenë fort i ankthshëm dhe rrjedhimisht pa shumë maja. Ka pasur nga ata që kanë dëshiruar majat derisa kanë dëgjuar ndonjë… fërshëllimë polici. Për shembull, mua dhe Fatos Lubonjës na ka qëlluar të na përjashtojnë nga gjimnazi për një ngjarje krejt banale. Dikush edhe është ndeshur në moshë të hershme me kufizimet e regjimit e dikush jo, për kombinacion rrethanash.
-Pse student i Ekonomisë Politike?
Isha në plazh, kur më thanë se më kishte dalë e drejta e studimit për ekonomi politike. Kur pyeta, ç’kërkonin bashkë ekonomia me politikën, më shpjeguan se kishte të bënte me Marksin. Atëherë kërkova një libër të tij dhe gjeta Kapitalin. Mandej me rrjedhën e kurbës profesionale, kam konstatuar me qetësi racionale se ekonomist nuk mund të bëhesh pa njohur edhe Kapitalin, në sensin e njohjes së historisë së doktrinave të mendimit, ku mund të dallosh qartë kthesat, apo spekulimet që janë bërë me idetë në kohë të ndryshme.
-Dhe pas periudhës studentore, ende vazhdon t’ju tërheqë socializmi?
Idetë në çdo kohë i përgjigjen rrethanave të caktuara dhe është absurditet i provuar nga historia të transportosh konkluzione apriori, nga një epokë në tjetrën, pasi i imponon brezave që vijnë skllavërinë e mendimit. Përfundimisht socializmi dhe sot është një ide, një doktrinë dhe do dëshiroja të veçoja si shtyllën e tij solidaritetin social, idenë e shanseve të barabarta, ose më saktë mekanizmin e mbrojtjes së shtresave të margjinalizuara të shoqërisë.