Rrëfimi i piktorit për ish-Kinostudion dhe mungesën e galerive, Leka: Në Shqipëri mungojnë hapësirat

Piktori Gazmend Leka periudhën që punonte, si regjisor i filmave të animuar në ish-Kinostudion “Shqipëria e re” e kujton, si një periudhat më të bukura të jetës së tij. Për të ka qenë tamam si një parajsë, ku vetja i ngjasonte me një magjistar, që me laps në vend të shkopit magjik e bënte një objekt frymor që të qante, qeshte, vraponte dhe të thoshte gënjeshtra e të vërteta.

Për kamerën e “Report tv” Gazmend Leka rrëfen periudhën që ka punuar në ish-Kinostudio, duke ndalur edhe në krimin që iu bë artit kinematografik me shpërbërjen e saj.

Profesor Leka, si e kujtoni punën tuaj si regjisor i filmave të animuar në ish- Kinostudion “Shqipëria e re”?

Unë e kujtoj si një nga periudhat më të bukura të jetës sime. Ka qenë tamam si një parajsë, sepse lidhej edhe me faktin që më dukej vetja si një magjistar, ndërsa lapsi më dukej një shkop magjik, një objekt që ishte jo frymor, por që kthehej në objekt frymor që qante, qeshte, vraponte, bënte truke, thonte gënjeshtra edhe të vërteta. Mbaj mend që kur bëra provën e parë, sepse isha fillestarë se nisa në vitin 1981-’82, kur e pashë për herë të parë lëvizjen unë u shtanga. Ajo gjë nuk m’u nda deri ditën e fundit që kam ikur nga ish-Kinostudio. Ajo që mbeti, mbeti si një gjë e bukur, si një përrallë. Tamam si një përrallë. Kinostudio ishte tamam si gadishull, që ishte me tre ishuj, që ishte filmi vizatimor, dokumentar dhe artistik. Nisi shumë thjesht, filmi i parë zyrtarisht mbahet “Zana dhe Miri” i Vlash Dobronikut në vitin 1975, edhe sot mund të numërohen mund të ketë shkuar në mbi 240 filma vizatimorë. Por, hapi nga viti 1975 deri tek 1989 ka qenë një hapi jashtëzakonshëm, sepse bëheshin rreth 16 filma në vit.

Mbyllja e kinemave edhe shpërbërja e ish-kinostudios “Shqipëria e re”, si ndikoi në këtë gjendje që është krijuar?

Për mua ka qenë një fatkeqësi shumë e madhe mbyllja e Kinostudios. Sido që të ishte mund që të reduktohej numri i filmave, por Kinostudio duhet që të rrinte si një organizëm. Ishte një gjë që ishte ngritur me sakrifica shumë të mëdha, sepse kishin dalë regjisorë me emër. Ishin prodhuar gati 100 filma në vit edhe që të bëhej një asfiksi e tillë për mua mund që të them, se jo në kuptimin e keq, por që ishte edhe një krim. Ishte një krim kombëtar. Unë për vete kisha mendimin që asokohe, që mos të mbyllej ish-kinostudio, por të manovrohej. Buxheti mund të mos ishte shumë i lartë, por më dukej shumë e çuditshme që në një periudhë para ’90-ës të ngrihej ky institucion me regjisorë, piktorë, marangozë etj., të ishte një gjë shumë e madhe edhe në atë kohë shteti të kishte para për ta mbajt në këmbë këtë institucion edhe në momentin, që ndryshon regjimi i jetës së popullit shqiptar të gjenden para për ta mbajtur në këmbë këtë institucion. Për mua ky është një dështim i turpshëm. Pastaj gjithë loja që u bë që duhet që të kishim bashkëpunim me regjisorët jashtë ishte një gjë shumë e madhe, për të cilën s’di se çfarë të them. Por nuk kam parë gjëra që shkëlqejnë që të them se: Jo më mirë që u bë kështu. Sa për filmin vizatimor mendoj se ka qenë një katastrofë, edhe në atë kohë filmi vizatimor ishte pak si minor, sepse ne edhe në atë kohë edhe pse bënim filma për fëmijë, dukeshim edhe ne si fëmijë. Edhe fëmijët trajtohen si të fundit fare. (qesh).

Por çfarë humbasin të rinjtë, fëmijët shqiptarë, duke mos parë filma shqiptarë të animuar?

Për mua humbasin shumë, sepse të huajt nuk është se do të marrin tema shqiptare, qoftë edhe duke marrë legjendat shqiptare, tregimet edhe letërsinë për të rritur. Askush si merr për t’i trajtuar këto tema, të vetmit që do t’i trajtojnë do të jenë regjisorët e filmit multiplikativ, vizatimor.  Duke mos i trajtuar këto është një asfiksi shumë e madhe. Sheh filma që kanë një problematik për fëmijët, por fëmijët s’janë njëlloj në të gjithë botën. Për mua kjo prerje e këtij kordoni ka sjellë një lloj asfiskie.

Pas largimit nga ish-kinostudio Leka nis punën si piktor i pavarur dhe pedagog në Universitetin e Arteve

Nga fundi i viteve ’90 mua nuk më zuri çatia brenda, por shpëtova. Përveç vokacionit të brendshëm që kisha për filmin dhe pikturën, që s’duhet ta kisha braktisur kurrë filmin vizatimor, sepse e adhuroja dhe me këtë do të kaloja jetën time. Por pastaj bëra edhe një llogari të vogël, mendova se filmi vizatimor bëhet në një ekip, që unë s’kam se ku ta gjej më. Sigurisht që jam aktiv, vij çdo ditë studion time, kam bërë çdo vit ekspozita, kam ndërtuar shumë cikle kohët e fundit edhe në tetor do të bëj një ekspozitë që e quaj “Lutja”, që është lutja e thjeshtë që ka artisti, që t’i shkojë puna mbarë. Kjo është për të gjithë artistët, jo vetëm për mua.

Për mundësitë e hapësirave, se ku mund që të ekspozojë një artist në Tiranë çfarë mund të na thoni?

Me energjinë që çlirohet nga akademia e arteve, ambienti i galerive në Shqipëri është pothuajse i asfiksuar, ka jashtëzakonisht pak. Çdo vit brenda viteve ’90 janë hapur galeri të reja, private, që dalëngadalë kanë degjeneruar në galeri-dyqane shitjesh pikturash. Është normale në një vend që çdo njeri do të mbijetojë, por ajo ëndërr për të ndërtuar galeri të mira dalëngadalë është fikur. Sot ka shumë pak galeri, po flas për Tiranën. Ka shumë pak galeri, aq sa është fare e pakonsiderueshme për këtë fluks energjie që hedhin artistët e rinj që mbarojnë shkollën apo që kanë dëshirë artin. Janë vetëm katër apo pesë galeri. Edhe Galeria Kombëtare e Arteve që ishte pothuajse epiqendra e këtyre galerive, e cila me politikat e saj, duke bashkëpunuar edhe me galeritë private mund të thithte brenda barkut të saj energjinë më të mirë që edhe ta konservonte. Duhet që të ishte në pozicionin e një muzeu për të ruajtur vlerat, këto vlera që sot për sot janë nëpër bodrume, në lagështirë (në mënyrë metaforike) edhe u bënë vite të tëra që nuk ka një linjë ekspozimi, përveçse artit të realizmit socialist. Nuk kuptohet fare se çfarë ka ndodhur në 30 vite, edhe 30 vite nuk janë pak, edhe arti i realizimit socialist për 40 vite u bë. Ne kemi 30 vite asfiksi, një turist që mund të vi në aeroport edhe do shkojë në GKA do shoh deri në vitet ’90, pastaj nuk sheh asgjë. Kjo është e turpshme. Nuk themi se nuk kemi ekspozuar, se kam ekspozuar disa herë, por për ne GKA nuk është më ftuese. Sot funksionin e GKA po e merr galeria e Universitetit të Arteve.

Çfarë mund të bëhet për ndryshimin e kësaj gjendje, qoftë edhe nga artistët?

Artistët boll bëjnë shkojnë në studiot e tyre edhe punojnë e sakrifikojnë. Por ka artistë që nuk kanë studio, që nuk kanë ku të punojnë dhe detyrohen që të punojnë për bukën e gojës. Është normale se ai zanat është, por ka student që dalin nga ne që se kanë më zanat, e kanë mision. Këtë nuk e bëjnë dot nëse nuk kanë kushte. Pavarësisht se e dimë se çfarë ka qenë para 90-ës, presion mbi individin, por artistëve më të mirë kishin studio. Unë këtë studio ku jam e kam trashëguar, nuk e kam blerë edhe kjo gjë mund të bëhen në bashkërendim me shtetin. Unë e kuptoj luftën e individit që të dalë mbi ujë, por nuk është normale për vendet e vogla siç është Shqipëria. Shteti edhe pse mund që të jetë i lirë, unë them se s’mund që të jetë i lirë. Duhen investuar tek GKA dhe tek galeritë private etj.

Piktori ndalet edhe tek projektligji i dekomunistizimit, që është na fazat e fundit të hartimit në Partia Demokratike para se të dorëzohet në qeveri për miratim

Është një bisedë shumë e thjeshtë nëse i bie nyjës Grodiane edhe ta çash, por po ta zgjidhësh është shumë e vështirë. Por, mendimi im është që populli shqiptar nuk është një popull i pakulturuar apo një popull idiot, një popull që nuk e ndan dot periudhën kur sheh një film, një pikturë apo kur lexon një roman. Ai e di shumë mirë se cilës periudhë i përket edhe ja ka qejfi që të ta lexojë një gjë të asaj kohe. Mos të harrojmë se edhe përse ato i shërbenin një regjimi, pak vepra mund të gjesh në botë që nuk i shërbenin një regjimi. Të gjithë veprat i shërbejnë një regjimi. Ka njerëz që presin biletat edhe shohin piramidat e Egjiptit. Atje njerëzit i kanë shërbyer një regjimi, kanë vdekur qindra veta që i kanë ndërtuar ato piramida. Ka me qindra njerëz që mund të kenë ndërtuar sheshe të mëdha të Romës gjatë fashizmit apo autostrada në periudhën e Hitlerit. A nuk duhet që t’i shkelim me makinë ato? Kjo është një gjë komplekse, që njeriu që e sheh edhe studion e di. Unë në shtëpinë time kam Mein Kampf. E di shumë mirë se çfarë buron nga Mein Kampf-i. E di shumë mirë se çfarë buron prej saj. Pjesa që është më e rëndësishme, ata që kanë bërë letërsi kanë qenë shkrimtarë të nivelit të lartë, pavarësisht se cili ka qenë objekti i tij. Ata që kanë bërë pikturë, kanë bërë pikturë. Pavarësisht se cili ka qenë objekti i tyre. Personazhe kanë qenë edhe ato që kanë trajtuar, apo pavarësisht nga një frymë ideologjike shumë e fortë. Unë s’mund ta pranoj dot që të marrë një libër të Kadaresë dhe ai të ketë vulën në fillim që: Ky libër është bërë në diktaturë. Unë sot nuk është se po gjej edhe ndonjë shkrimtar më të madh se Kadareja. E dyta, pavarësisht se “sipas mendimeve të shumë njerëzve” ai u ka shërbyer diktatorëve edhe diktaturës. Fryma e tij ne na ka bërë rebel në atë kohë. Librat e Kadaresë na kanë bërë që të ishim disident, jemi ushqyer me atë gjë. Unë vazhdoj që t’i lexoj akoma librat “Viti i mbrapsht”, “Ura me tre harqe”, qoftë edhe “Dimrin e madh”. I lexoj, sepse i shoh në një logjikë tjetër edhe nuk është se unë bëhem komunist. Edhe nëse do të bëhesha mund ta deklaroja, pavarësisht se këtu ka një keqkuptim shumë të madh, se ç’është komunizmi edhe se ç’është kapitalizmi edhe ajo gjëja që do të vijë pas kapitalizmit. Ka një keqkuptim shumë të madh, por këtu flitet thjesht si art. Nëse ai art është prekur nga ideologjia edhe është kthyer  në një citat politik. Asnjeri nuk e merr edhe nuk ë blen më. Po e marr si referim Kadarenë se iu afrua shumë çmimit Nobel, por qoftë edhe filmat. Si do t’i damkosësh ti filmat? Nuk mund të bëhet kjo, se ka një personazh që është munduar për ta bërë, duke kërkuar që t’i shpëtoj klisheve. Ka filma të mrekullueshëm, si “Në shtëpinë tonë”, “Nëntori i dytë”, “Koncert në vitin 1936. Ka shumë filma që i shoh me adhurim, jo nga pikëpamja ideologjike. Syri im nuk gabon për të parë të vërtetën. Në fund të fundit po merr nektarin e artit. Prandaj unë nuk jam dakord që të vihen ato gjëra, do të ishte jo e drejtë. Nuk më ngatërron fare.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kinooperatori: 06/09/2018 20:42

    Ne kinostudion "Shqiperia e Re" paskan punuar shkaterrimtaret dhe varrmihesit e saj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb