Fatmir Haxhiu, ‘piktori i historisë’, botohet monografia! Gazmend Leka: E dhimbshme, disa prej punëve kanë humbur! Suzana Varvarica Kuka: Kam kërkuar që prej fillimeve të krijimtarisë

Zëri që dëgjojmë në sfond është i piktorit Fatmir Haxhiu, i ndarë prej kohësh nga jeta, por që identifikohet si piktori i historisë shqiptare. Një rrëfim më i gjatë plot fakte dhe ngjarje që dëshmojnë jetën sociale, krijimtarinë në pikturë, si dhe gjurmët figurative të stilit të artistit mund të gjendet në monografinë studimore të botuar së fundmi, me autore Suzana Varvarica Kuka. Libri është një vepër voluminoze që përmbledh gjithë jetën dhe veprën e artistit.

Ai është shkruar pas 5 viteve punë dhe komunikime të vazhdueshme me fëmijët e piktorit, të cilët, në nderim të figurës së babait të tyre kanë organizuar edhe një mbrëmje të veçantë, ku ishin të pranishëm artistë, gazetarë dhe personalitete të ndryshme në vend.

“Fillimet e mirëfillta dhe serioze të piktorit Fatmir Haxhiu nisin gjatë qëndrimit të tij pas viteve ’44 në shkollat ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe kërkimet e mia i gjejnë këto fillime në shkolla dhe në sistemin e artit të këtij vendi, të cilat ishin të lidhura me shkollat e vendeve evropiane, kryesisht të Vjenës dhe të Parisit.”, - thotë studiuesja Varvarica-Kuka.

Një vend të veçantë në krijimtarinë e Haxhiut zënë tablotë historike dhe preferenca për tema e tablo me përmasa të mëdha, që krijojnë stilin e tij. Tema e historisë ka qenë më e dashura për piktorin, e lidhur me betejat e shqiptarëve në shekuj.

Për studiuesen Kuka nuk ka qenë e lehtë të mbledhë faktet dhe veprat e shpërndara të artistit në institucione si në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Kryeministri, në Pallatin e Brigadave, në Shtëpinë e Oficerëve dhe në shtëpitë e kulturës në rrethe, disa prej të cilave fatkeqësisht kanë humbur.

“Është e dhimbshme dhe e papranueshme që disa prej tyre kanë humbur dhe nuk dihet ku kanë përfunduar. A mund të humbasë kompozimi “Tenda e Qypit”?! Një nga kompozimet më befasuese dhe mbresëlënëse që, padyshim duhet të ishte një pasuri kombëtare e vyer edhe për “fotografimin” e një çasti të papërsëritshëm, siç është figura e borizanit. Secili prej nesh, që e pa për herë të parë në ekspozitë, është befasuar. Nuk arrinim ta besonim se kishte ndodhur ky akt. Porse tani duhet të befasohemi e të mos e besojmë që kjo humbje ka ndodhur. A mund të shkatërrohet piktura “Me shpatë në dorë”, e cila për vite me radhë u mbështoll kutullaç si një qilim dosido, i hedhur në një qoshe!? Dikur qëndronte e varur në murin kryesor të mbledhjeve të qeverisë shqiptare, në Kryeministri. Kaq mjafton për t’u mbuluar me turp, kur bëhet fjalë për këto vepra që kanë bërë histori në pikturën shqiptare. Mungojnë, se janë vjedhur, janë shitur, janë shkëmbyer dhe e kanë bërë të vështirë plotësimin e koleksionit me imazhe cilësore. Zanës i është dashur që në këtë kaos të vendosë rregull dhe ia ka dalë në krye për mrekulli!”, - shprehet piktori Gazmend Leka.

Piktura realiste e Fatmir Haxhiut shtresëzon tipare të shumë personazheve, që katalogojnë një album shumë karakterësh të tipeve antropologjikë të gjenit shqiptar.

Monografia e sapobotuar përmban fakte nga jeta e artistit si dhe krijimtarinë e tij të shumtë në tema të historisë, ushtrisë dhe autoriteteve shtetërore. Ndërkohë nuk janë përjashtuar krijime të temave minore, si peizazhi e natyra e qetë, ndërsa vend të rëndësishëm zë portreti dhe vizatimet. Gjithashtu, marrëdhëniet me Kosovën dhe detaje të tjera e pasurojnë këtë libër.

Fatmir Haxhiu lindi në Gjirokastër, më 28 dhjetor 1927 dhe u nda nga jeta në Tiranë, më 10 mars 2001.

Ai u njoh herët me emrat më në zë të artit shqiptar si Andrea Mano, Llazar Nikolla, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmin, Odise Paskali e Foto Stamo. Tema e luftës dhe qëndresa heroike e popullit shqiptar në shekuj do të bëheshin motivi kryesor i tërë krijmtarisë së artistit. Për aktivitetin e tij të gjatë e të suksesshëm artistik ai është nderuar me titujt e lartë “Piktor i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

B.G/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arian: 07/12/2024 12:37

    Edhe të "humbasin" Kënga e heronjve të Pojskës dhe Kënga e Mine Pezës të interpretuara nga Vaçe Zela nuk është e drejtë por...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Amnistia e gjobave, Berisha ‘harron’ borxhet e së shkuarës! Propozimi i PD: Të falen faturat e prapambetura të dritave dhe ujit

Amnistia e gjobave, Berisha ‘harron’ borxhet e së shkuarës! Propozimi i PD: Të falen faturat e prapambetura të dritave dhe ujit