Rrëfimi i Spartak Brahos: Sali Berisha spiun i UDB-së, dy njerëzit e tij të besuar takoheshin fshehurazi me kriminelin serb Arkan në vitin 1999 

Rrëfimi i Spartak Brahos: Sali Berisha spiun i UDB-së, dy njerëzit e tij të besuar takoheshin fshehurazi me kriminelin serb Arkan në vitin 1999 

Deputeti Spartak Braho, libri i tij dhe ish-kryeministri Sali Berisha

Deputeti socialist Spartak Braho, ish-kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, i famshëm edhe për simbolikën e “Çantës së zezë”, në librin e tij me titull “‘Masakroni’ Servet Pëllumbin”, shkruan se Sali Berisha ka qenë i infiltruar i USD-së së ish-Jugosllavisë, shërbimit sekret famëkeq të Beogradit si dhe i besuar i Millosheviçit, i cilësuar si ‘kasapi i Ballkanit’, i cili ndërroi jetë në burg, i dënuar me masakrat në Bosnje, Kosovë dhe Kroaci. Braho shkruan se në një kohë kur Millosheviçi po masakronte shqiptarët në Kosovë dhe po kryente gjenocid, Sali Berisha i shpalle luftë UÇK-së dhe deklarohej kundër marrëveshjes së Rambujesë.

Për herë të parë, Braho shkruan se dy njerëz të besuar të Sali Berishës, Bashkim Gazidede dhe Agim Shehu, të arratisur nga Shqipëria në vitin 1997, takoheshin fshehurazi me Arkanin, kriminelin më famëkeq serb, krahu i djathtë i Millosheviçit, për masakrat njerëzore në Bosnje, Kosovë dhe Kroaci. Berisha u kishte besuar Shehut dhe Gazidedes shtypjen e revoltave popullore në mars të vitit 1997, por batalionet e tyre me njerëz të SHIK-ut dhe militantë të armatosur të PD-së, u shpartalluan në Vlorë. Më pas dyshja, sipas Brahos, ka vijuar misionin në arrati, njëri në Gjermani dhe tjetri në një vend aziatik, tashmë kundër UÇK, e cila ishte shpallur nga Berisha në Tiranë si bandë terroriste, marksistë etj.

Braho shkruan se “Hap pas hapi, por pa u ndaluar, siç thotë populli, ‘lakrorit po i hiqen petët. Pas lëvizjes njëzetvjeçare të Berishës, për disa e çuditshme, për të tjerë e dyshimtë, në infiltrimin  tij me regjimin e serb të Milosheviçit dhe UDB-së, arriti kulmin në deklarimin e tij publik: “Të mos firmoset marrëveshja e Rambujesë nga kosovarët.

Tashmë një tjetër fakt përforcon dhe zbulon këtë linjë. Sipas burimeve të afërta kosovare është fiksuar se në muaj e parë të këtij viti (1999), dy nga gjeneralët e Berishës janë takuar kokë më kokë me kriminelin serb Arkan në një nga kryeqytetet e Evropës Qendrore, Sipas këtij burimi, janë këta gjeneralë, Agim Shehu, ish-gjeneral dhe ish-zëvendësministër i Brendshëm, i ardhur në këtë detyrë pas një karriere si kufitar në rajonin e Peshkopisë, aktualisht banues në Hessen të Gjermanisë, pas arratisjes së vitit 1997 dhe Bashkim Gazidede, ish-kryetari i Shërbimi Informativ i emëruar pa dekret gjeneral i operacioneve të shtypjes së revoltave popullore gjatë marsit të vitit 1997, njëkohësisht i mirënjohur edhe si kreu i fundamentalistëve myslimanë të Peshkopisë dhe kryetar i kësaj shoqate më pas, i cili pas arratisjes në vitin 1997, jeton në një vend aziatik.

Përfundimisht nga ky takim i gjeneralëve të Berishës me serbin Arkan arrin në po atë konkluzion të cilin e kemi bërë të njohur edhe më parë. Millosheviçi e ka përdorur dhe do ta përdorë kartën e tij, nënoficerin Berisha”.

Krahas lëvizjeve në prapaskenë, Braho kujton edhe sulmet publike të Sali Berishës kundër UÇK-së. “Shikoni shfaqet e shtypit të Partisë Demokratike: Sulmohet hapur UÇK-ja, hidhet baltë mbi luftëtarët e lirisë, mbi qeverinë e sapoformuar të Thaçit, madje hidhet baltë edhe mbi qeverinë shqiptare, e cilanë kushte kaq të vështira, po përpiqet t’i bëjë ballë kësaj katastrofe ndërkombëtare. Kujt i intereson më tepër të mbahej ky qëndrim? Vetëm Millosheviçi është i interesuar të shuajë rezistencën aktive të popullit të Kosovës. Të shuhet UÇK-ja, të cilën Berisha e quante ‘markseiste” apo të ‘formuar” nga UDB-ja, si dhe të destabilizohet Shqipëria, e cila është një prapavijë e sigurt për popullin  Kosovës”.

Disa javë më parë, Shqiptarja.com, solli në vëmendje artikujt e gazetës ‘Rilindja Demokratike’, organ zyrtar i Partisë Demokratike dhe praktikisht zëri i Berishës, ku UÇK-ja konsiderohej si bandë komuniste dhe marksiste, njësi guerile që kopjonte Che Guevarën në Kubë, akuzohej për vjedhje fondesh, për financim nga Osama Bin Laden dhe si lojë e njerëzve të Millosheviçit dhe UDB-së. Berisha nuk e njihte qeverinë e krijuar drejtuesit e UÇK-së gjatë luftës, por vetëm Presidentin Rugova dhe qeverinë e Bukoshit në arrati.

Ndërkaq, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, gjatë një interviste për Shqiptarja.com dy vjet më parë, ka deklaruar se ish-kryeministri Sali Berisha është ndjekur nga ish-Sigurimi i Shtetit për lidhje të mundshme me UDB e ish-Jugosllavisë. “Berisha është ndjekur nga ish-Sigurimi i Shtetit, si bashkëpunëtor i mundshëm i UDB jugosllave. Unë nuk kam gjetur gjë në dosje, sepse kur unë vajta në krye të SHISH, Berisha kishte pesë vjet në pushtet dhe i kishte rregulluar të gjitha gjërat. Oficerët e kanë parë dosjen e tij. Por, ka një gjë, dosjet e kundërzbulimit asnjëherë nuk janë të sigurta. Unë nuk kam parë asnjë lloj dokumenti dhe të dhëne në dosje”, ka pohuar Klosi.

Nga ana tjetër, Viron Bezhani, biri i Nazif Bezhanit, kryetarit të komisionit të famshëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë për lidhjet me ish-Sigurimin e Shtetit, ka deklaruar se një ish-punonjës i SHIK-ut të Gazidedes, i punësuar më pas në ambasadën shqiptare në Belgjikë, ka rrëmbyer dhe zhdukur dosjet e politikanëve dhe pushtetarëve shqiptarë, bashkëpunëtor të UDB së ish-Jugosllavisë dhe të agjenturave të tjera. Bezhani pohon se ngjarja ka ndodhur gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike. Siç dihet, SHIK-u i atëhershëm ka qenë një kamxhik në duart e Sali Berishës.

Në vitin 2012, deputeti i PS, Taulant Balla, publikoi pjesërisht një dokument nga arkivat  Beogradit, ku thuhet se “U kontaktua me agjentin tonë në Tiranë. S. Berisha ka raporte shumë të mira me udhëheqjen komuniste. 5 Janar 1987”. Balla tha se “Faktet janë të pakontestueshme dhe origjinale. Jemi në pritje të disa dokumenteve të tjera. Në dosjet e ish-UDB fshihen dokumente të përfshirjes së Sali Ram Berishës në shërbimet sekrete jugosllave”. Por, këto dosje ende nuk janë hapur, pavarësisht presionit të vazhdueshëm ndërkombëtar ndaj Beogradit.

Ndërkaq, Ardian Hoxha, i biri i Remzi Hoxhës, i rrëmbyer dhe zhdukur nga SHIK-u i Gazidedes në 21 tetori i vitit 1995, gjatë një interviste në Report Tv, në tetor të vitit 2020, ka akuzuar drejtpërdrejt Sali Berishën për eliminimin e babait të tij. Sipas Ardianit, Remziu u zhduk pasi Berisha dhe Gazidede kishin dyshime se kishte rënë në gjurmët e takimeve të tyre, konkretisht të takimit të Berishës me Millosheviçin në ë Tushemisht dhe të një takimi tjetër të Gazidedes me Arkanin në Shkodër. 

Ardiani ka pohuar se “Më 31 maj 1993 ka ndodhur ky takim, në Tushemisht, ku është kufiri me Pogradecin dhe me Ohrin, pjesa maqedonase. Dhe aty polici kufitar i thotë që duhej të ktheheshin e të shkonin nga Qafë Thana se kufiri ishte i mbyllur. Babai po shkonte nga Shqipëria për në Maqedoni. Duke u kthyer shohin eskortën e Presidentit Berisha. Këta nuk kanë pasur asnjë informacion se çfarë po ndodhte. Dhe çfarë ndodh? Këta kthehen, babai im ndalon në Shkup, këta vazhdojnë për në Ferizaj dhe për në Prishtinë. Në lajmet kryesore të mbrëmjes, lajmi kryesor ishte që Sllobodan Millosheviç takohet me Kiro Gligorovin në Shën Naum.

...Babai im merrej edhe me biznesin. Kishte kompaninë e duraluminit, që ishte kompania më e madhe absolute, siç janë tani grupet e mëdha si Balfin apo Kastrati. Në atë kohë babai ishte njëshi absolut me biznes në Shqipëri, një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të kohës. Duralumini ishte një bum në ato vite. Babai shkon në Shkodër për një projekt shumë të madh, që të inspektonte punët si po shkonin. Mbaron inspektimin bashkë me menaxherin e tij dhe shkojnë për drekë. Kur hyjnë në një restorant të Shkodrës, aty sheh Bashkim Gazideden dhe Arkanin duke ngrënë drekë.

Është patjetër Sali Berisha. Unë e kam thënë shpesh që edhe Sllobodan Millosheviçi nuk ka shkuar në Kosovë dhe vetë fizikisht të shkonte në fshatra e në qytete dhe t’i kapte vetë njerëzit e t’i masakronte vetë”. 

Ndërkaq, në shkurt të vitit 2017, Berisha ka pranuar publikisht se qeveria shqiptare ka qenë kundër embargos së naftës që OKB-ja ja kishte vendosur Jugosllavisë së cunguar të Sllobodan Milosheviçit. Duke pranuar njëherësh se firma “Shqiponja” e PD qe merrej me trafikun e naftës dhe thyerjen e embardos me ish-Jugosllavinë dhe gjithë procesi i takimeve dhe thyerjes se embargos se OKB nuk ka qenë qëndrim i qeverisë “Meksi” por i tij personal si President i Republikës. Një pohim të tillë Berisha e ka bërë këtë në faqen e tij të Facebook, kur i është përgjigjur një komentuesi që e ka sulmuar për këtë çështje.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vedati: 08/01/2021 18:56

    Berisha e pranoi qe Arkani mund te kete hyre ne Shqiperi me pashaporte fallco dhe ky nuk dinte gje. SB eshte antishqiptari me i madh i te gjitha koherave.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Rezultat historik për boksin shqiptar, Alban Bermeta mes 20 më të mirëve në botë! Shumë pranë edhe Denis Nurja (FOTO)

Rezultat historik për boksin shqiptar, Alban Bermeta mes 20 më të mirëve në botë! Shumë pranë edhe Denis Nurja (FOTO)