Rrëfimi i Vlorent Xhafajt: Takimi im, me gjenitë e muzikës klasike në orkestrën e Parisit!

Tingujt e muzikës projektonin ëndrrat e tij, që në fëmijërinë e hershme. Frymëzimin dhe motivimin, si violonçelist i ardhshëm, djaloshi vlonjat, Vlorent Xhafaj, i gjente tek të afërmit, që në takimet me qytetërime të zhvilluara, ishin ‘dashuruar’ me muzikën klasike. Nëpër sirtarët e shtëpisë së tij CD-të e klasikëve do t’i dëgjonte tërë hov, ndonëse në Shqipëri instrumentistët njihesh pak. Tradita ishte e vakët me krijimin e vonë të shkollës së parë të arteve, Liceut Artistik në 1946-n, megjithatë pasioni dhe talenti, premtonin kapërcime të mëdha. Ndonëse e nisi rrugëtimin, kur ishte vetëm 6 vjeç, talenti e të dhënat fizike bënë, që pesha e instrumentit katërshekullor, të humbiste në muzikën që nisi të luante…

 “Unë kam nisur të merrem me violonçelin që në moshën 6 vjeç. Kam nis fillimisht në shkollën e muzikës “Naim Frashëri” në Vlorë. Kam hyrë rastësisht, edhe pse është relativisht e rrallë që të nisësh me këtë instrument që fëmijë. Ishte një dëshirë e gjyshit tim, i cili ka qenë regjisor në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës”, rrëfen Xhafaj.

Në Lice do të dëgjonte për studentët e parë të violonçelit. Po aq frymëzues, do të qenë për të, pedagogët që e përçuan në breza këtë instrument, siç qe edhe profesori i tij Gjovalin Lazri, që i dedikoi jetën këtij profesioni për më shumë se 40 vite me radhë.

 “Në fakt unë kam pas fatin të kem gjithmonë pedagogë të dashur, përpos që nuk kam ndierë asnjëherë presion nga familja”, shprehet Xhafaj.

Dhe s’do kalonte gjatë, derisa Franca u bë për të ëndërr e prekshme, pikërisht në Konservatorin Kombëtar të Muzikës dhe Baletit në Lyon. Një trampolinë që do ta çonte mandej në orkestrat më të mira të botës, duke interpretuar krahas emrave të mëdhenj të muzikës klasike.

“Kujtoj se kur është bërë konkursi “Këngët e tokës”, edicioni i parë me ideator Limoz Dizdarin, profesori im Gjovalin Lazri më shtyu të merrja pjesë në të. Bëra një koncert në sallën e Akademisë së Arteve (sot UA) në moshën 16 vjeç. E regjistrova dhe e dërgova në shkollën franceze, ku edhe më pranuan. Pasi shkova në ambasadën franceze, përfundova në Paris, edhe se nuk dija frëngjisht”, shprehet Xhafaj, i cili që prej moshës 16-vjeçare frekuentonte koncertet e artistëve të njohur të orkestrës së Parisit, ndërsa tani luan përkrahë tyre.

“Kjo është një ëndërr e realizuar. Nuk e di se si ka ardhur, por duhet të jetë nga puna graduale në kohë, që ka bërë që njerëzit të kenë besim tek unë”.

E megjithatë, mes këtyre angazhimeve, e ka ngarkuar veten me një përgjegjësi të dyfishtë; të flasë për Shqipërinë përmes muzikës, e mbi të gjitha përmes koncerteve t’i flasë Shqipërisë, për muzikën klasike, ta afrojë me të, pasi, sipas tij, zhvillimi e qytetërimi ecin paralelisht me kulturën, me ushqimin e mendjes e shpirtit…

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)