Rregjistrimi i '45 i minoritetit
Himara dhe Korça asnjë grek

Rregjistrimi i '45 i minoritetit<br />Himara dhe Korça asnjë grek
Regjistrimi i vitit 1945 ishte regjistrimi i katërt i kryer nga shteti shqiptar gjatë historisë së tij. Duke mos llogaritur regjistrimet e pjesshme të popullsisë të kryera gjatë Luftës së Parë Botërore nga austriakët, popullsia shqiptare ishte regjistruar në vitet 1921, 1923 dhe 1930. Nga regjistrimi i vitit 1921 nuk kanë mbetur të dhëna. Të gjitha këto regjistrime janë kryer për një qëllim të caktuar, për të plotësuar një nevojë të administratës. Kështu, regjistrimi i parë u bë për shkak të nevojës për përpilimin e listës së votuesve të zgjedhjeve të prillit të vitit 1921, i dyti kishte qëllim të përditësonte numrin e votuesve me rastin e zgjedhjeve të vitit 1923, ndërsa i treti, ai i vitit 1930, u krye në përmbushje të detyrimeve ndërkombëtare të shtetit shqiptar si anëtar i Lidhjes së Kombeve, sipas së cilit duhet të kryente regjistrim të popullsisë në çdo 5 vjet.
Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë së vitit 1945 kishte si qëllim, "të vërtetonte gjendjen numerike të popullsisë të ndarë sipas gjinisë, moshës, gjendjes civile, profesionit etj; të krijonte regjistrat themeltarë të popullsisë, të cilët ishin djegur nga lufta, si dhe të përcaktonte popullsinë faktike të ndarë sipas qarqeve". Pavarësisht deklarimeve zyrtare, zhvillimi i një regjistrimi të tillë bëhej i domosdoshëm dhe për një arsye tjetër. Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, të parashikuara për t'u mbajtur më 2 dhjetor 1945 kërkonin hartimin e listave zgjedhore, gjë që e bënte edhe më imediate kryerjen e regjistrimit.
Vendimi për kryerjen e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë u mor më 15 shtator 1945, në mbledhjen e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Sipas këtij vendimi, ai do të kryej brenda një dite të vetme, në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe për këtë u caktua data 30 shtator, një ditë e diel. Regjistrimi i vitit 1945, ashtu si të gjitha regjistrimet e kryera gjatë periudhës 1920-1939, u krye nga shteti shqiptar, pa pjesëmarrjen e enteve fetare. Si formularë për regjistrimin u përdorurën ato të Kongresit Ndërkombëtar të Brukselit, Parisit dhe Madridit. Formularët ishin dy tipash: ai i familjes dhe ai i bashkëjetesës. Këshilli i Ministrave miratoi një rregullore, e cila shpjegonte deri në detaje si duheshin menaxhuar nga faza përgatitore deri në përfundim të regjistrimit. Si mbikëqyrës të regjistrimit ishin ngarkuar komitetet ekzekutive të prefekturave dhe nënprefekturave, të cilat kishin ngritur dhe komisionet përkatëse.
Në rregullore i kushtohej vëmendje e veçantë shpjegimeve mbi plotësimin e formularit. Ai, përveç gjeneraliteteve të zakonshme, si: emri, mbiemri, atësia, amësia, vendi dhe datëlindja, përfshinte dhe kërkesa për deklarim të profesionit (madje dukej sikur theksi ishte vënë tek kjo kërkesë, pasi qeveritarët e rinj kërkonin të kishin një tablo të qartë të forcave prodhuese në Shqipëri), të metave trupore, arsimimit etj. Në shtyllën 14 të tabelës popullsia duhet të tregonte besimin: mysliman, ortodoks apo katolik. Në rregulloren e Këshillit të Ministrave kërkohej që për personat, të cilët nuk deklaronin se i përkisnin ndonjë besimi, kolona të lihej bosh. Në shtyllën e 17-të të formularit kërkoheshin të dhëna për gjuhën që fliste zakonisht popullsia në familje. Formulari nuk kishte ndonjë shtyllë specifike për të treguar kombësinë e popullsisë, kjo në mënyrë të tërthortë zbulohej nga gjuha e folur në shtëpi. Duke qenë se qëllimi i regjistrimit ishte krijimi i regjistrave të gjendjes civile, pra jo thjesht për efekt statistikor, popullsisë iu kërkua që të vërtetonte deklarimet me dokumentet përkatëse.
Ditën e diel, më 30 shtator 1945 në të gjithë territorin e Shqipërisë filloi regjistrimi. Atë ditë dukej se çdo gjë kishte pushuar së lëvizuri. Popullsia ishte urdhëruar të qëndronte në shtëpi në pritje të inspektorëve të regjistrimit. Gjithashtu, iu dha urdhër të gjitha mjeteve të transportit të mos punonin atë ditë.
Përjashtoheshin nga masa e mësipërme personat që ishin ngarkuar me sigurimin publik, me shërbime publike, mos kryerja e të cilave paralizonte jetën, si: post-telegrafistët, specialistët e centraleve të elektrikut dhe ujësjellësit, farmacistët dhe agjentët shëndetësorë, si dhe nëpunësit e regjistrimit. Të gjithë këta duhet të pajiseshin me nga një letër njoftimi të lëshuar nga zyra e regjistrimit pranë nën/prefekturës me anë të së cilës lejohen të qarkullojnë ditën e regjistrimit.
Në interes të këtij shkrimi janë rezultatet e këtij regjistrimi për popullsinë minoritare. Në regjistrim u përfshinë, jo vetëm minoritetet, por shtetasit e huaj që ndodheshin në territorin e Shqipërisë më 30 shtator 1945. Në bazë të udhëzimeve të shtetit shqiptar, në zonat minoritare u përdorën inspektorë vendas (minoritarë), të cilët flisnin edhe gjuhën shqipe. Kështu, vetëm në krahinat ku banonte minoriteti grek u përfshinë në regjistrimin e popullsisë 145 nëpunës regjistrimi, të gjithë minoritarë. Regjistrimi i popullsisë nuk jep të dhëna për minoritetet linguistike dhe kulturore, si: vllahët apo romët.
Të dhënat e dala nga regjistrimi, pasi u kontrolluan për vërtetësinë e deklarimeve nga komisionet e ngritura posaçërisht pranë komiteteve ekzekutive, u dërguan për përpunim në Drejtorinë e Statistikave. Sipas këtij regjistrimi doli se në territorin e Shqipërisë jetonin 1.122.044 veta, nga të cilët 1.075.467 ishin shqiptarë, ndërsa 46.577 ishin me kombësi të ndryshme. E shprehur në përqindje, regjistrimi zbuloi se 95.8% e popullsisë ishte shqiptare dhe 4.2% ishin me kombësi të ndryshme. Duhet theksuar se jo e gjithë popullsia joshqiptare përbëhej prej minoriteteve etnike apo kombëtare, sepse në regjistrim u përfshinë shtetas të huaj, të cilët kishin mbetur në Shqipëri nga Lufta e Dytë Botërore, numri i të cilëve sipas regjistrimit ishte 13001 vetë, 2700 prej të cilëve ishin italianë dhe të tjerët jugosllavë. Në lidhje me minoritetet, analizën më të plotë e kemi për minoritetin grek. Kjo, jo vetëm se ai është minoriteti më i madh në vend, por edhe sepse situata në lidhje me të ishte shumë e ndezur për shkak të ringritjes së pretendimeve territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut nga ana e Athinës zyrtare. Në vitin 1945, numri i personave që u regjistruan si greqishtfolës/minoritarë grekë në të gjithë Shqipërinë ishte 31.560 veta, të cilët jetonin pothuajse të gjithë në qarkun e Gjirokastrës. Ky ishte një numër disi më i vogël se ai që ishte deklaruar në regjistrimin e vitit 1930. Këtë diferencë, raporti që shoqëron regjistrimin, e shpjegon me një rënie të popullsisë së Shqipërisë së Jugut në përgjithësi për shkak të luftës, por edhe me tendencat më të larta të kësaj popullsie për të emigruar jashtë vendit. Me mbylljen e kufijve, një pjesë e minoritarëve grekë, ashtu si dhe ata shqiptarë të larguar në emigracion, nuk mundën të kthehen në atdhe. Sipas regjistrimit, minoriteti grek banonte në mënyrë të përqendruar në 84 fshatra të Prefekturës së Gjirokastrës, në n/prefekturat e Qendrës (Gjirokastër), Delvinës, Konispolit, Libohovës, Sarandës dhe një pakicë shumë e vogël në n/prefekturën e Përmetit (330 vetë).
Regjistrimi i vitit 1945 vuri në dukje se në Shqipëri jetonin dhe minoritetet të tjera, si: maqedonase dhe malazeze, të cilat u konsideruan si minoritete jugosllave. Në analizën që i bëhej regjistrimit bëhej një diferencim midis popullsisë maqedonishfolëse dhe popullsisë me kombësi maqedonase. Sipas tij, në territorin e shtetit shqiptar kishte 2572 persona me kombësi maqedonase, të vendosur plotësisht në prefekturën e Korçës, në rajonin e Prespës së Madhe. Duke qenë se regjistrimi nuk kishte pyetje të drejtpërdrejtë për kombësinë, por për gjuhën që përdorte popullsia e Shqipërisë u evidentuan si maqedonishtfolës një kontingjent i vogël i popullsisë që jeton në krahinën e Gollobordës. Këto krahina nga pikëpamja administrative ishin ndarë në tri krahina dhe më vonë në n/prefektura: Trebishtë, Ostren dhe Steblevë. Por, gjithashtu i njëjti regjistrim popullsie, tregoi se kishte 6489 persona që kishin deklaruar si gjuhë amtare atë maqedonase. Sipas regjistrimit të vitit 1945 në Shqipëri jetonin 998 persona me kombësi malazeze dhe 1695 persona në krahinën e Vrakës, në Shkodër me gjuhë amtare serbo-kroate.
Pas regjistrimit të vitit 1945, qeveria shqiptare ka kryer regjistrime periodike në vitet 1950, 1955, 1960, 1979 dhe 1989.

(Dr. SONILA BOÇI,*Instituti i Historisë Qendra e Studimeve Albanologjike)
(Shkrimi u botua sot ne Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë