Si merren lejet e ndërtimit? Si funksionon aplikimi online? Çfarë dokumentacioni paraqitet dhe çfarë procedurash ndiqen? Çfarë është nënshkrimi elektronik dhe si mund të aplikohet për të? Këto janë disa nga pyetjet më të shpeshta në lidhje me mënyrën e re për pajisjen me leje ndërtimi. Në përputhje me aplikimin e teknologjisë së informacionit, tashmë një leje ndërtimi merret nëpërmjet aplikimit në portalin qeveritar “E-government Albania”.
Sa më poshtë, vijojnë të gjitha hapat që duhen ndërmarrë për të përfituar lejen në këtë mënyrë.
Si duhet të veproj për aplikimin online të lejes së ndërtimit?
Duhet të regjistroheni në portalin e-Albania sipas udhëzimeve të dhëna në këtë portal për kryerjen e regjistrimit. Pas regjistrimit duhet të hyni me kredencialet tuaja në shërbimin e-lejet e ndërtimit (linku: https://e-albania.al/sherbimi.aspx?kodi=6093) dhe të klikoni butonin “Aplikim i ri”. Në vijim, duhet të plotësoni me informacion fushat përkatëse dhe të ngarkoni në fund të aplikimit dokumentacionin e kërkuar. Në rast se nuk keni në dispozicion gjithë informacionin apo dokumentacionin e kërkuar, Ju mund ta ruani aplikimin dhe të vijoni me plotësimin dhe dërgimin e aplikimit në një moment të dytë, sapo të jeni gati.
Sistemi më kërkon të ngarkoj kopjen e dokumentit të pronësisë, të cilën nuk e kam. A mund të vijoj me aplikimin?
Kopja e dokumentit të pronësisë është e detyrueshme për t’u ngarkuar në sistem në mënyrë që të vijoni me aplikimin. Nuk kërkohet që certifikata e pronësisë të jetë e azhornuar, pasi në çdo rast Bashkia do të marrë konfirmimin e statusit të pronës nga zyra përgjegjëse e pasurive të paluajtshme. Në rast se nuk e keni certifikatën e pasurisë në momentin e aplikimit, mund të ruani aplikimin dhe të riktheheni përsëri për ta plotësuar kur të keni të gjithë dokumentacionin në dispozicion.
Çfarë dokumentacioni duhet për të aplikuar për leje ndërtimi për banesë 2 kate, ose për shtesë kati?
I gjithë dokumentacioni i nevojshëm për aplikimet për leje mund të konsultohet nga qytetarët në sistemin online e-leje në portalin e-Albania (https://e-albania.al/sherbimi.aspx?kodi=6093).
Ku mund ta gjej mandat pagesën që më kërkohet të ngarkoj tek dokumentacioni plotësues?
Nëse bashkia përgjegjëse aplikon tarifa për shqyrtimin e aplikimit tuaj, vetë bashkia do t’ju njoftojë përmes sistemit lidhur me vlerën e tarifës dhe llogarinë bankare ku ju do të kryeni pagesën. Nga momenti i njoftimit, ju duhet ta ngarkoni në sistem vërtetimin e pagesës brenda afatit kohor prej 15 ditësh. Në rast se ju nuk e dërgoni dokumentin e mandat pagesës brenda afatit ligjor të specifikuar, atëherë aplikimi juaj do të refuzohet dhe ju do të mund të aplikoni përsëri nga e para.
Ku mund të gjej informacion mbi vlerën e taksave dhe tarifave që duhet të paguaj për t’u pajisur me leje ndërtimi?
Nëpërmjet sistemit online, bashkia do t’ju informojë nëse duhet të paguani tarifa/taksa për marrjen e lejes si dhe vlerën e tyre. Në rast se Ju duhet një informacion paraprak, para fillimi të aplikimit për leje, atëherë mund t’i drejtoheni bashkisë përkatëse apo zyrave të projektimit që ofrojnë shërbime konsulence në fushën e ndërtimit.
A duhet të aplikoj për verifikim GIS Kadastër në bashkinë Tiranë?
Jo, nuk duhet të aplikoni. Ky verifikim do të bëhet nga vetë bashkia përmes sistemit online. I vetmi dokumentacion që ju do të dorëzoni për aplikimet për leje ndodhet në sistemin online.
Si mund të pajisem me nënshkrimin elektronik?
Në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, si vijon, janë sqaruar hapat që duhet të kryejnë përdoruesit dhe specifikat teknike të pasjisjes usbToken që duhet të blejnë përdoruesit për t’u pajisur me nënshkrimin elektronik.http://akshi.gov.al/pki/nenshkrimi-elektronik
Çfarë formati duhet të ketë projekti i ndërtimit?
Projektet e ndërtimit duhet të nënshkruhen elektronikisht nga projektuesit përkatës të pajisur me licensë profesionale. Në rast firme projektimi, projekti duhet të nënshkruhet elektronikisht edhe nga përfaqësuesi ligjor i firmës përkatëse. Projektet e ndërtimit ngarkohen në sistem në formatin .PDF të nënshkruar elektronikisht si më sipër. Projekti arkitektonik ngarkohet në format .PDF dhe në format. DËF, që lejon matjen e dimensioneve dhe sipërfaqeve të vizatimeve nga ana e bashkisë.
Çfarë kapaciteti maksimal duhet të kenë dokumentet që ngarkohen në sistemin e-lejet e ndërtimit?
Çdo dokument që ngarkohet në sistemin e lejeve të ndërtimit duhet të ketë kapacitet maksimal deri 20 megabyte, në mënyrë që të ngarkohet në sistem. Nëse ky kapacitet tejkalohet nga dokumenti, atëherë duhet domosdoshmërish që dokumenti të ndahet në disa dokumente me kapacitet deri në 20 mb dhe të ngarkohen një nga një në sistem, pra nëse dokuemnti. Projekti.pdf ka kapacitet 35 mb, duhet të ndahet në dy dokuementa: Projekti pjesa I.pdf (me kapacitet 19 mb) dhe Projekti_PjesaII.pdf (me kapacitet 16 mb) dhe të ngarkohen njëri pas tjetrit në sistem.