TIRANE-Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme projektligjin për shpronësimin e pronave private për interes publik me kërkesë të bizneseve, bazuar te projektet që kanë për vendosjen në jetë. Fillimisht kërkesa për shpronësim paraqitet në Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin, ndërsa propozimi në Këshillin e Ministrave për miratimin e kërkesës për shpronësim bëhet nga ministri përgjegjës për zhvillimin urban.
Por kush janë objektet që mund të shpronësohen? Objekte të shpronësimit janë pasuritë e paluajtshme në formën e tokës, të ndërtimeve të çdo lloji, me karakter të përhershëm, pasuritë e luajtshme, kulturat bujqësore, duke përfshirë dhe drufrutorët e vreshtat, si dhe çdo investim tjetër i trupëzuar në tokën bujqësore, që do të shpronësohet.
Sipas projektligjit të miratuar sot nga qeveria, kur shpronësimi është kryer me kërkesën e një subjekti juridik privat, ministri përgjegjës për zhvillimin urban i kërkon Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin (ASHSH) që, mbi kërkesën paraprake të këtij subjekti, të bëjë kalimin e pronësisë së pasurive të shpronësuara nga shteti në favor të subjektit privat që ka kërkuar shpronësimin, me kushtin që të jetë vërtetuar sipas ligjit realizimi i ndërtimit ose investimit për interes publik, për të cilin është kryer shpronësimi.
Vendimi i plote
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 nëntor 2019
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8561, DATË 22.12.1999, “PËR SHPRONËSIMET DHE MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM TË PASURISË, PRONË PRIVATE, PËR INTERES PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 41, 78, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8561, datë 22.12.1999, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 5 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 1, fjalët “… ministrit kompetent sipas këtij ligji …” zëvendësohen me “… ministrit përgjegjës për zhvillimin urban …”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Kur shpronësimi është kryer me kërkesën e një subjekti juridik privat, ministri përgjegjës për zhvillimin urban i kërkon Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin (ASHSH) që, mbi kërkesën paraprake të këtij subjekti, të bëjë kalimin e pronësisë së pasurive të shpronësuara nga shteti në favor të subjektit privat që ka kërkuar shpronësimin, me kushtin që të jetë vërtetuar sipas ligjit realizimi i ndërtimit ose investimit për interes publik, për të cilin është kryer shpronësimi.”.
Neni 2
Në nenin 6 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Në rastet kur pronari ka vdekur ose është shpallur i zhdukur dhe nuk është lëshuar dëshmia e trashëgimisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësim ose subjektet e interesuara për shpronësimin kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin Civil dhe në ligjin për noterinë, në rast se kërkesa nuk është paraqitur ose refuzohet të paraqitet nga subjektet e interesuara.”.
2. Në pikat 2, 3 dhe 5, emërtimi “ministri/a kompetent/e” zëvendësohet me “Agjencia Shtetërore për Shpronësimin”.
Neni 3
Neni 7 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 7
Objekte të shpronësimit
Objekte të shpronësimit janë pasuritë e paluajtshme në formën e tokës, të ndërtimeve të çdo lloji, me karakter të përhershëm, pasuritë e luajtshme të treguara në shkronjat “e” dhe “ë”, të nenit 8, të këtij ligji, kulturat bujqësore, duke përfshirë dhe drufrutorët e vreshtat, si dhe çdo investim tjetër i trupëzuar në tokën bujqësore, që do të shpronësohet.”.
Neni 4
Në nenet 10, pika 1, 11, pika 2, 12, pikat 1 e 2, 13, pikat 1 e 2, 14, pikat 1 e 2, 15, pikat 2 e 3, 16, pikat 2, 3, 4 e 5, 17, pika 1, 22 dhe 24, pika1, emërtimi “ministri/a/në kompetente” zëvendësohet me “Agjencia/në Shtetërore për Shpronësimin”.
Neni 5
Në nenin 11 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Titulli i nenit ndryshohet në “Ministria përgjegjëse për zhvillimin urban dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin”.
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Kërkesa për shpronësim paraqitet në Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin, ndërsa propozimi në Këshillin e Ministrave për miratimin e kërkesës për shpronësim bëhet nga ministri përgjegjës për zhvillimin urban.”.
3. Pas pikës 4 shtohen pika 5 e 6, me këtë përmbajtje:
“5. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin është institucion në varësi të ministrit përgjegjës për zhvillimin urban, e cila, përveç detyrave të tjera të përcaktuara në këtë ligj, kryen edhe detyrat e mëposhtme:
a) Planifikon dhe trajton kërkesat për shpronësim nga institucionet përkatëse;
b) Përllogarit masën e shpronësimit për çdo pronë të prekur nga shpronësimi;
c) Mbikëqyr ecurinë e procesit të shpronësimeve;
ç) Krijon bazën e të dhënave për të gjitha shpronësimet dhe likuidimet e çdo shpronësimi;
d) Ka të drejtë të hyjë në negociata me subjektet që shpronësohen, për sa i përket vlerës së shpronësimit dhe afatit të shlyerjes së kësaj vlere. Rregullat e hollësishme për mënyrën e negociimit me subjektet e shpronësuara përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për zhvillimin urban.
6. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin është institucion në varësi të ministrit përgjegjës për zhvillimin urban. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për zhvillimin urban, përcakton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të agjencisë.”.
Neni 6
Pika 1, e nenit 15, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Njëkohësisht me njoftimin e kërkesës për shpronësim për interes publik, sipas pikës 1, të nenit 14, të këtij ligji, për të krijuar mundësinë për mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave të personave të tretë ndaj ose për shkak të pasurisë, pronë private, që kërkohet të shpronësohet, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin bën publikimin e kërkesës për shpronësim në “Fletoren zyrtare” dhe në faqen e internetit të ASHSH-së.”.
Neni 7
Pas pikës 3, të nenit 17, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Masa e shpërblimit për pasuritë, pronë private, që shpronësohen për interes publik, për realizimin e projekteve dhe të investimeve në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar me ligj, llogaritet në përputhje me parashikimet e marrëveshjes, në rastet kur atje përcaktohet edhe mënyra e përllogaritjes së masës së shpërblimit.”.
Neni 8
Neni 20 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 20
Propozimi për shpronësim
1. Me përfundimin e procedurave paraprake të shpronësimit, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin i paraqet ministrit përgjegjës për zhvillimin urban propozimin për shpronësim, të shoqëruar me dokumentacionin, si më poshtë vijon :
a) Relacionin përmbledhës për qëllimin, shkakun dhe nevojën e shpronësimit, afatin e fillimit e të mbarimit të shpronësimit si dhe për afatin e fillimit e të përfundimit të punimeve ose të realizimit të qëllimit të shpronësimit, në të cilin citohen edhe dokumentet që kërkohen në shkronjat “a” deri “dh”, të nenit 10, të këtij ligji;
b) Listën përfundimtare të pronarëve të pasurive, pronë private, që shpronësohen ose që zhvlerësohen, e cila përmban edhe të dhënat identifikuese për aktet përkatëse kadastrale, si dhe listën e personave të tretë, të drejtat e të cilëve duhet të kompensohen për shkak të shpronësimit;
c) Dokumentacionin që citon bazën ligjore përkatëse për vlerësimin e pasurive që shpronësohen e zhvlerësohen, e të drejtave të të tretëve që lidhen me to, dhe të masës së shpërblimit apo kompensimit të propozuar.
2. Ministri, në rast se dokumentacioni i paraqitur në pikën 1, të këtij neni, është i plotë, dërgon në Këshillin e Ministrave projektvendimin për miratimin e shpronësimit.”.
Neni 9
Neni 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 25
Regjistrimi i ri i pasurive të shpronësuara
Pasuritë pronë private, të shpronësuara, duhet të regjistrohen sipas ligjit. Ky regjistrim duhet të kryhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin.”.
DISPOZITA KALIMTARE
Neni 10
Ngarkohen Këshilli i Ministrave dhe ministri përgjegjës për zhvillimin urban që, brenda 3 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 11
Procedurat e shpronësimit, të nisura përpara ngritjes së Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, do të vijojnë të kryhen nga ministritë kompetente, sipas dispozitave që kanë qenë në fuqi në çastin e nisjes së procedurave.